Aleksandar Daboviq u zgjodh kryetar i ri i Komunës

Ulqin – Inxhinieri i arkitekturës dhe kryearkitekti i deritashëm i Komunës së Ulqinit, Aleksandar Daboviq, është zgjedhur kryetar i kësaj komune, në vazhdim të mbledhjes së Kuvendit të Komunës së Ulqinit, që është mbajtur të mërkurën e kaluar.
Për zgjedhjen e Daboviqit kanë votuar 20 këshilltarë të shumicës së re parlamentare, e cila përbëhet nga Partia Demokratike e Socialistëve, koalicioni “Bashkë për të ardhmen e Ulqinit” (Partia Demokratike, LD në MZ), Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Socialidemokratët e Malit të Zi dhe Partia Boshnjake, kundër kanë votuar gjashtë këshilltarë të Forcës së Re Demokratike, ndërsa këshilltari i Partisë Socialdemokrate ka qenë i përmbajtur.
Në fjalën e tij pas dhënies së betimit, Daboviq ka thënë se nuk dëshiron të premtojë gjëra joreale dhe të paarritshme.
“Por dëshiroj të jeni të bindur që do të jap maksimumin për të bërë disa ndryshime themelore për të mirën e Ulqinit dhe për përparimin e komunitetit ku jetojmë. Kurse koha do jetë treguesi më i mirë për suksesin e arritur”, ka thënë ai.
Kryetari i ri i Komunës së Ulqinit është shprehur se jemi dëshmitarë që Ulqini dhe Mali i Zi po kalojnë nëpër një situatë shumë të vështirë shëndetësore, ndaj së cilës duhet të përshtatemi, të jemi të përgjegjshëm, të ruajmë veten dhe të tjerët.
“Vetëm së bashku dhe të disiplinuar mund ta fitojmë pandeminë. Shëndeti nuk ka çmim, këtë e kemi parë edhe vetë”, ka thënë Daboviq, duke përkujtuar se jemi në prag të sezonit turistik dhe se duhet të japim maksimumin në mënyrë që Ulqinit t’ia kthejmë shkëlqimin.
Daboviq zëvendëson në këtë post kryetarin e deritashëm të Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, të cilit i ka përfunduar mandati për shkak të pensionimit.
Ai është anëtar i Këshillit Qendror të Partisë Demokratike të Socialistëve.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat