Peshk i të varfërve dhe të pasurve

Kubla është peshk i ujërave të njelmëta. Ajo vjen nga Oqeani Atlantik dhe Deti Adriatik në grykat e lumenjve për të derdhur putargën (ikrën). Është ky një instinkt që përcillet çdo vit para pranverës, pikërisht në Ditën e Nevryzit, thonin peshkatarët e gjuetisë së kublës

Asllan Bisha

Kësaj jave nisi sezoni i peshkimit të kublës në ujërat e ëmbla të grykës së Bunës. Kubla është peshk i ujërave të njelmëta. Ajo vjen nga Oqeani Atlantik dhe Deti Adriatik në grykat e lumenjve për të derdhur putargën (ikrën). Është ky një instinkt që përcillet çdo vit para pranverës, pikërisht në Ditën e Nevryzit, thonin peshkatarët e gjuetisë së kublës.
Sivjet kubla u paraqit më herët dhe filloi peshkimi i saj në grykë të detit, në rrugën e saj për të arritur në liqenin e Shkodrës. Dikur ai që i sillte vezirit të Shkodrës, pashait çiftin (dy kublat e para) dhuratë, shpërblehej me një napolon ari dhe lëshonte dekretin se është lejuar – hapur sezoni i peshkimit.
Nisja e sezonit të peshkimit të kublës ishte diçka e mrekullueshme në fëmijërinë time, ngase mungonte ushqimi dhe kubla ishte peshk që pas dimrit sillte mbarësi. Njerëzit e kësaj ane e zinin në shumë mënyra, si në avarde (mjet peshkimi në Bunë nga bregu), me rrjeta duke peshkuar në Bunë. Por kubla peshkohet në gjithë hapësirën e Zallit, në cekëtina të Plazhit të Madh në Shtoj. Ky peshk udhëton me shpejtësi të madhe dhe sapo bijën në rrjetë, ngordh. Është i pasur me albumina, me elemente tjera ushqyese dhe kur konsumohet i gatuar me perime, i bërë kapama dhe mënyra të tjera, është i shijshëm. Dikur kubla edhe piqej në furrë, kështu që i eliminoheshin, i digjeshin ferrat. Ajo edhe fërgohet si mënyra më e lehtë e përgatitjes.
Ky peshk nënvlerësohet, sepse peshkohet me shumicë dhe peshkimi i saj zgjat një muaj e gjysmë. Dikur mbusheshin lundrat me kubla dhe ajo shitej me shumicë, kurse klasa më e lartë e shoqërisë nuk e çmonte shumë. Kubla peshkohej shumë edhe në Bunë dhe peshkatarët kur ngopej tregu me peshk, e çonin për ta shitur edhe në katundet e malit të Anës së Malit, si në Kravar, Rashtishë, Bojk, Millë, Krythë dhe në Mërkot, duke e këmbyer me fiq, arra dhe pekmez, sepse kubla ishte ushqim i preferuar.
Edhe sot e kësaj dite nuk ka familje ulqinake që së paku një herë mos ta konsumojë kublën. Ajo është peshk i kategorisë B, por e shijshme dhe e dobishme për ushqim. Tani që mungon në treg edhe krapi, qefulli dhe levreku dhe kanë çmim bukur të lartë, kubla do të jetë e mirëseardhur për tryezat e shtëpive. Aroma e saj gjatë përgatitjes do të ndjehet në lagjet e Ulqinit, por edhe të katundeve. Shumë kubla do të ruhen edhe në frigorifer. Një gjë duhet ditur: kubla nuk duron shumë të mbahet në frigorifer, më së shumti dy muaj. Qëndrimi i saj i gjatë shkakton humbjen e albuminave.
Viteve të fundit edhe kubla peshkohet më pak. Ajo pasi e hedh putargën, kthehet në ujë të njelmët në det. Pas katër muajsh kublat e vogla – kublicat, ose siç i quajnë në Krajë “maçat”, kthehen në det dhe vazhdojnë udhëtimin sipas instinktit natyror për në Detin Adriatik dhe më gjerë.
Kublat peshkohen edhe në grykën e lumit Neretva. Kroatët e quajnë “çepa”. Kubla peshkohet në grykën e lumit Nil dhe anijet franceze nga ky peshk prodhojnë miell peshku.
Peshkimi i kublës po vazhdon dhe peshkatarët e hapën sezonin. Paçin fat. Edhe këtë vit, ata që e konsumojnë do të përfitojnë. Kubla është e mirë nëse dihet të përgatitet. Është peshk i të varfërve dhe të pasurve.

Të fundit

më të lexuarat