Vende që promovojnë turizmin malor

Guci/Plavë – Drejtoresha ekzekutive e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, zonja Andriola Kambo, javën e kaluar vizitoi Komunën e Gucisë. Zonjën Kambo e priti dhe i uroi mirëseardhje kryetari i Kuvendit të Komunës, Bujar Hasangjekaj.
Në këtë takim, Hasangjekaj e njoftoi mysafiren me rrjedhat e jetës dhe punës së popullatës së Komunës së Gucisë, ku me angazhimin e tyre u rikthye statusi i komunës së pavarur pas plot 60 vjetësh, në vitin 2014.
Në bisedën theks i veçantë i është kushtuar atraksioneve dhe bukurive gjithëpërfshirëse natyrore me të cilat disponon treva e kësaj komunë, të cilat janë vlera të paçmuara për zhvillimin, valorizimin dhe promovimin e turizmit kodrinoro-malor.
Pas takimit, me qëllim të njohjes dhe promovimit të bukurive natyrore dhe potencialeve të shumëllojshme që për turizëm ka treva e komunave të Gucisë dhe Plavës, në fshatin Vuthaj vizituan Ujëvarën “Gërla”, Muzeun etnografik, pronë e veprimtarit kulturor Ramok Çelaj.
Me këtë rast, në prononcimin për gazetën “Koha Javore”, kryetari i Kuvendit të Komunës së Gucisë, Bujar Hasangjekaj, shprehu kënaqësinë dhe nderin që ta presë në vizitë zonjën Andriola Kambo, drejtore ekzekutive e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, bashkë me ekipin e TV Klan.
“Vizituam disa vende turistike me qëllim të promovimit të bukurive natyrore dhe potencialeve për turizmin e Plavës dhe Gucisë. Shpresojmë që ky bashkëpunim i sapofilluar do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe do të japë rezultate konkrete”, shtoi ai.
Drejtoresha ekzekutive e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, zonja Andriola Kambo, në galerinë e vet në Plavë e priti dhe i dëshiroi mirëseardhje piktorja dhe poetja e mirënjohur nga Hoti i Komunës së Plavës, zonja Kaltrina Hoti, me të cilën zhvilloi bisedë të këndshme dhe miqësore.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat