Shifrat e viktimave dhe të të infektuarve, brengosëse

Në Mal të Zi të hënën gjatë ditës, nga të dhënat e analizuara të 24 orëve të fundit të Institutit të Shëndetit Publik si pasojë e infektimit me koronavirus në vend, kanë humbur jetën tetëmbëdhjetë persona, ditë kjo që ka shënuar një rekord të zi në vend, me numrin më të lart të viktimave në 24 orë, që nga fillimi i epidemisë së koronavirusit në vend.
Numri i infektimeve të reja në nivel ditor kap shifra të larta, ku pothuajse çdo ditë evidentohen mbi pesëqind raste të reja të të infektuarve, shifër kjo që nga dita në ditë varion. Herë më e ulët e herë më e lartë. Nga marsi i vitit të kaluar qekur ka filluar epidemia në vend, shifra e të prekur nga ky virus vdekjeprurës në Mal të Zi sipas të dhënave zyrtare i ka kaluar tetëdhjetëmijë, ndërsa të vdekur nga ky virus deri më tani ka 1.085 persona.
Situatë e rënduar paraqitet në qytetin e Ulqinit ku aktualisht ka 513 të prekur nga ky virus dhe për fat të keq gjatë ditëve të kaluara ka pasur edhe disa viktima.
Në qytetin e Tuzit situata aktualisht paraqitet e qëndrueshme, ku jeta vazhdon të zhvillohet në përputhje me masat kufizuese në fuqi dhe aktualisht të prekur ka 113 persona.
Ndërkaq, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi, numrin më të lart të të infektuarve vazhdon ta ketë kryeqyteti Podgoricë me 3395 të infektuar.
Nga Shërbimi i Marrëdhënieve me Publikun i Qeverisë së Malit të Zi kanë njoftuar se në Mal të Zi ka mbërritur dërgesa e dytë me pesëmijë vaksina ruse Sputnik V, që deri më tani siç kanë sqaruar nga qeveria, kanë marrë 10 mijë nga 50 mijë vaksina të kontraktuara të këtij prodhuesi.
Ministrja e Shëndetësisë, Jellena Boroviniq-Bojoviq ka thënë se deri më tani në Mal të Zi kanë mbërritur në total 42 mijë vaskina.
“Shfrytëzoj rastin që të motivoj qytetarët dhe qytetaret e Malit të Zi që detyrimisht të vaksinohen, sepse vaksina është plotësisht e sigurtë dhe efikase, por njëkohësisht paralajmëroj se procesi i vaksinimit kërkon kohë të caktuar. Është e domosdoshme që bashkërisht t’u përmbahemi masave epidemiologjike në mënyrë që sa më parë të dalim nga kjo situatë në të cilën ndodhemi”, është shprehur Boroviniq-Bojoviq.
Të hënën gjatë ditës, si pasojë e përkeqësimit të situatës epidemiologjike në vend, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq ka ftuar qeverinë që në mënyrë urgjente dhe pa vonesë të mbyll kufijtë dhe të fus masa më të rrepta për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Ai ka thënë janë alarmante të dhënat mbi numrin e viktimave dhe të të infektuarve.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat