Ulqin – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, dhe drejtori ekzekutiv i SHPK “Eurozox” nga Danillovgradi, Zoran Drobnjak, kanë firmosur të mërkurën e kaluar kontratën për fillimin e rindërtimit të ish-kinemasë në Ulqin.
Oferta e kompanisë “Eurozox” është vlerësuar si më e mira dhe më e përshtatshmja në tenderin për rindërtimin e ish-kinemasë, që Komuna e Ulqinit ka hapur në fund të vitit të kaluar.
Nga zyra e kryetarit të Komunës së Ulqinit kanë bërë të ditur se vlera totale e punëve të kontraktuara do të arrijë shumën 1.3 milion euro, ndërsa afati për përfundimin e punimeve është 360 ditë nga dita e nënshkrimit të kontratës.
“Me këtë rast, u shpreh kënaqësi me nënshkrimin e kontratës dhe u theksua se me rindërtimin e ish-kinemasë, e cila tani është në një gjendje të devastuar, do të realizohet ëndrra e shumë ulqinakëve dhe Ulqini do të fitojë një objekt modern dhe multifunksional”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Në muajin gusht, ish-ministri i Kulturës, Aleksandar Bogdanoviq, gjatë vizitës së tij në Ulqin në periudhën e fushatës për zgjedhjet parlamentare, kishte nënshkruar kontratën me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, për rindërtimin e objektit të kinemasë së dikurshme.
Sipas projektit, rindërtimi është parashikuar të bëhet mbi bazën e objektit ekzistues, me sipërfaqe 242 metra katrorë. Salla do të ketë gjithsej 147 ulëse – 110 në katin e parë dhe 37 në katin e dytë. Në katin e dytë është parashikuar të jetë një galeri e madhe. Po ashtu, objekti përmban edhe dhomën për projeksion dhe një zyrë.
Investitorë janë Ministria e Kulturës dhe Komuna e Ulqinit.
Që prej disa vitesh Ulqini, qyteti që dikur kishte dy kinema (njëra vetëm për periudhën e verës), nuk ka në funksion asnjë kinema.
(Kohapress)
