Plavë – Profesoresha e gjuhës dhe letërsisë malazeze në Shkollën e Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, Jasmina Cikotiq, është zgjedhur kryetare e re e Kuvendit të Komunës së Plavës, në mbledhjen e mbajtur të hënën, në sallën e vogël të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”.
Mbledhja është thirrur me nismën e 1/3 të këshilltarëve të Kuvendit të shumicës qeverisëse dhe në të ishin të pranishëm 20 këshilltarë, prej gjithsej 31 sa numëron Kuvendi (munguan 10 këshilltarët e subjekteve politike në opozitë: 3 të PSD-së, 2 të Koalicionit FD-PPS, 4 të PDS-së dhe 1 i Grupit të qytetarëve “Zgjedhim Plavën”).
Në mungesë të kryetarit të Kuvendit, Shefket – Sheko Jevriq (PDS), i cili Kuvendin bashkë me pesë këshilltarë të PDS-së e ka braktisur seancën e mbajtur më 21 dhjetor 2020, në të cilën është shkarkuar kryetari i komunës, Mirsad Bajraktareviq, duke kaluar në opozitë, kurse në seancën e radhës të Kuvendit të mbajtur më 25 janar 2021, është shkarkuar nga detyra e kryetarit të Kuvendit, seancën e ka hapur sekretari i Kuvendit Adill Milush, kurse deri në zgjedhjen e kryetares së re me propozimin e shumicës qeverisëse atë e ka drejtuar këshilltari i Partisë Boshnjake, Besim Musiq, i cili të pranishmit i ka njoftuar me propozimin e rendit të ditës prej tri pikash.
Ndonëse nuk ka pasur propozime për ndryshimin dhe plotësimin e rendit të ditës, ai është miratuar njëzëri nga 20 këshilltarët e pranishëm.
Anëtarja e Këshillit Komunal për Veprimtari Shoqërore dhe përfaqësuesja e këshilltarëve nismëtarë për thirrjen e seancës së Kuvendit, Hurjeta Pejçinoviq, për kryetare të re të Kuvendit të Komunës së Plavës propozoi zonjën Jasmina Cikotiq, profesoreshën e Shkollës së Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” të Plavës, e nominuar për këtë post nga shumica qeverisëse dhe e mbështetur me nënshkrimet e veta nga 13 këshilltarët e Socialdemokratëve të Malit të Zi dhe të Partisë Boshnjake.
Meqë ky ishte propozimi i vetëm për këtë post, në votimin publik me aklamacion, me 19 vota “Për”: 9 të Socialdemokratëve, 7 të Partisë Boshnjake, 2 të PDS-së dhe 1 të Alternativës Shqiptare, dhe një votë “të përmbajtur” e këshilltarit të pavarur (ish-këshilltar i Socialdemokratëve) Adis Toshiq, Jasmina Cikotiq u zgjodh kryetare e re e Kuvendit të Komunës së Plavës, puna e së cilës në këtë funksion do të jetë profesionale dhe mandati i saj do të jetë sa edhe mandati i Kuvendit.
Pas dhënies së betimit solemn, kryetarja e re në fjalën e vet të rastit falënderoi këshilltarët për besimin e dhënë në këtë detyrë duke u zotuar se atë do ta kryejë me përkushtim, besnikëri dhe përgjegjësi të plotë konform statutit, ligjit dhe Kushtetutës së vendit.
Dy pikat tjera të rendit të ditës së seancës – Propozimi i Vendimit mbi ndryshimin dhe plotësimin e aktit themelues të Qendrës për Kulturë të Plavës dhe Propozimi i Vendimit mbi dhënien e pëlqimit në Vendimin mbi ndryshimin dhe plotësimet e Statutit të Qendrës për Kulturë në Plavë, janë miratuar me 19 vota “Për” dhe 1 “Të përmbajtur” të këshilltarit të pavarur.
Shaban Hasangjekaj