Të mërkurën, në Komunën e Tuzit u organizua punishtja e parë në kuadër të projektit “Raising Awarness” , që synon të kultivojë zhvillimin e feminizmit përmes artit , një shoqëri të ndërgjegjshme që të ngritë vetëdijen ndaj dhunës , pabarazisë gjinore dhe diskriminimit.
Pjesëmarrësit në këtë punishte ishin nxënësit e shkollës fillore dhe të gjimnazit të moshës prej 15 deri 19 vjeç.
Të ftuarit special ishin: Maja Raieviq, ( drejtoreshë e Qendrës së të Drejtave të Grave në Mal të Zi) e cila foli për të drejtat e grave, për format e ndryshme të dhunës që u bëhen atyre, si ato psikike , fizike etj. dhe si mund të reagojmë ndaj fenomeneve të tilla.
Leonora Dukaj ( aktiviste për të drejtat e grave) ligjëroi për dukurinë e trafikimit njerëzor, viktimat, trajtimet që duhen bërë si dhe problemet e parandalimit të tyre.
Arkitektja Ema Alihoxhiq-Jasharoviq paraqiti shembuj edhe nga historia personale për diskriminim që u bëhen femrave në jetën e përditshme si në atë profesionale ashtu edhe në atë private. Ndërkaq, Leonora Dedivanoviq (drejtoresha e Agjencisë Turistike në Tuz) foli për rëndësinë e vetëbesimit që çdo femër duhet ta ketë si pjesë e karakterit të saj, duke sjellë shembuj nga eksperienca vetjake.
Punishtja e dytë do të mbahet gjatë kësaj jave në Komunën e Tuzit. Të ftuar do të jenë: Andrea Sinishtaj (psikologe ) dhe Nada Vojinoviq aktiviste, drejtoreshë e ’’ Concept Zahara” ) .
Projekti ‘’Raising Awareness‘’ do të mbyllet përmes ekspozitës që do të zhvillohet javën që vjen, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas’’, në Qendrën Kulturore në Tuz .Projekti do të përmbajë elemente nga të dyja punishtet . Ky projekt u organizua nga profesoresha e kulturës së artit Arlinda Lulgjuraj , dhe u mbështet nga Komuna e Tuzit.
Donika Lulgjuraj