Guci/Plavë – Të udhëhequr nga dëshira e përbashkët që t’i kontribuojnë avancimit të ofertës turistike në territorin e komunave të Gucisë dhe Plavës, përfaqësuesit e dy organizatave turistike të Gucisë dhe Plavës dhe të Parkut Nacional “Bjeshkët e Nemuna” (Prokletije), të mërkurën, më 10 shkurt 2021, në Guci, kanë nënshkruar memorandumin për bashkëpunim në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe të mbrojtjes së mjedisit jetësor.
Drejtori i Organizatës turistike të Gucisë, Irfan Radonçiq, ka konfirmuar se të tubuarit rreth idesë së njëjtë – promovimit të rajonit të Bjeshkëve të Nëmura si destinacion turistik i përbashkët, me atë dokument dëshirojnë të realizojnë nj veprim të sinkronizuar në lëmin e turizmit dhe ruajtjen e diversitetit.
“Kemi definuar hapat më të rëndësishëm dhe kemi harmonizuar bashkëpunimin në aktivitetet, siç janë: Organizimi i manifestimeve të përbashkëta të cilat i lidhin dy komunat (vrapime çiklistike, maratona…), intensifikimi i kampanjës promovuese ‘Zbulo Bjeshkët e Nemuna’, digjitalizimi i trashëgimisë kulturore të trevës së Plavë-Gucisë, etj.”, ka deklaruar Radonçiq.
Drejtori i Parkut Nacional “Bjeshkët e Nëmuna”, Jasmin Medunjanin, në fjalën e vet të rastit ka konstatuar se Parku Nacional në fjalë është i gatshëm të ofrojë mbështetjen e qartë në hartimin, koncipimin dhe jetësimin e projekteve të ardhshme.
Njëri prej aktiviteteve të përpikta i cili do të zbatohet në afat sa më të shkurtër është lidhshmëria e rrugëtimit (marshutës) “Gjurmëve të njerëzve të parë”, të cilin e promovon Organizata turistike e Gucisë me rrugëtimin “Magna Mater” i cili gjendet brenda parkut. Të dy rrugëtimet tematike begatojnë me përmbajtje parahistorike – me petroglife, dhe si të tilla paraqesin prezantimin e jashtëzakonshëm të trashëgimisë kulturore të Bjeshkëve të Nemuna.
Drejtoresha e Organizatës turistike të Plavës, Samira Canoviq, ka thënë se memorandumi paraqet bazament të fortë për të gjitha aktivitetet e mëtejme dhe bashkëpunimin i cili do t’i kontribuojë avancimit të kushteve të qëndrimit të turistëve në atë trevë.
“Ekziston hapësirë e mjaftueshme për bashkëpunim në sfera të ndryshme nga të cilat do të veçoj pushimin aktiv, turizmin adrenalinues, edukimin përmes punëtorive të përbashkëta, nga të cilat benefite pikërisht do të kenë vizitorët, në kënaqësinë tonë neve, si nënshkrues të këtij dokumenti”, ka konfirmuar Canoviq.
Në fund të takimit është arritur marrëveshja që në takimin vijues në bazë të kontratës së nënshkruar, të hartohet plani i përbashkët aksional.
Shaban Hasangjekaj