Miku për shqiptarët – personi që të kryen ndere

Togfjalëshi ‘‘Jemi të barabartë’’ duket se qëndron vetëm në teori, për sa kohë praktika dëshmon të kundërtën. Gjithë këto favorizime falë miqve, (të cilët janë persona me ndikim mbi dikë tjetër, për të ndërhyrë në zgjidhjen e një problemi në rrugë joligjore), duket sikur janë rrënjosur në shoqërinë tonë, dhe për fat të keq ajo nuk di si të funksionojë duke iu përmbajtur rregullave të përgjithshme

Paula Dekaj

Fjala ‘‘mik’’ për ne shqiptarët, përfaqëson më shumë sesa thjesht një njëri të afërt me të cilin kemi marrëdhënie shoqërore me të, apo lidhje miqësie prej një martese. Ose, nëse mund të shprehem kështu, roli i mikut është i gjerë dhe i gjatë, përderisa përballë shumë situatave, na duhet domosdo një mik.
Në mënyrë më konkrete, mund të përmendim disa raste për funksionet e mikut në shoqërinë tonë.
Një mik në Shqipëri mund të të kalojë dhjetëra radhë para një zyre institucioni, kështu s’ke fare nevojë të presësh gjatë si pjesa tjetër që s’kanë miq kaq të dobishëm.
Po ashtu, një mik mund të bëjë jo vetëm që policia të mos e gjobisë, por kur të dëgjojë për mikun e përbashkët, të të nderojë e të të respektojë pa u lodhur, a ke shkelur ndonjë rregull ligjor.
Por, situata është edhe më e rëndë kur forca e mikut ndërhyn deri në zbehjen apo mbylljen e disa çështjeve gjyqësore për vepra si dhuna në familje, abuzimi seksual deri edhe tek vrasjet.
Nëse je i pashpresë dhe nuk di kujt t’i drejtohesh më sepse avokatët po i zvarrisin çështjet tua me ligjin, thjesht me një mik ke fituar jo vetëm vëmendjen e tyre, por ata janë më këmbëngulës e seriozë në zgjidhjen e problemeve tua.
Gjithashtu, një mik mund të bëjë që fëmija yt të mos mbesë në klasë edhe pse e meriton. Le të mos përmendim abuzimet me lëshime diplomash të falsifikuara që fatmirësisht deri diku kanë rezultuar me mbyllje të këtyre institucioneve disa vite më parë.
Gjendja e tregut të punës është një ballafaqim i frikshëm i të ardhmes për shumë studentë në prag të diplomimit. Pesimizmi i tyre në lidhje me meritokracinë, është produkt i gjërave që shohin dhe dëgjojnë, ku edhe për të fituar një vend pune të duhet një ‘‘mik i fortë’’. Jo më kot shumë prej këtyre studentëve synojnë rrugët e emigracionit, pasi nuk shohin shpresë për të ardhmen në vendin e tyre.
Situata bëhet edhe më e vështirë për ngritjet në detyrë, pasi jo gjithmonë mjafton niveli i lartë i përgatitjes profesionale, por përveç kësaj duhet të jesh një person i rëndësishëm. Ose e thënë më qartë: të kesh si mbështetje një të njohur me pozita të forta në vend.
Pastaj kemi spitalet, ku të kesh një doktor të njohur (apo një mik të përbashkët me të) do të thotë të je shumë me fat. Orët apo ditët e dëshpëruara të pritjes zhduken, sepse shqetësimet tua shëndetësore janë më prioritare dhe çdo gjë mund ta kryesh më shpejt, pavarësisht a ka të tjerë që kanë ardhur aty para teje.
Në anën tjetër, po disa biznese si ka mundësi që operojnë fare pa faturim? Për shkelje të tilla ka grupe të posaçme inspektimi që ‘‘ta pinë gjakun’’ për çdo parregullsi të gjetur. Por në Shqipëri një mik apo një shok i shpëton këta nga taksat e shtetit? Një Zot e di!
Togfjalëshi ‘‘Jemi të barabartë’’ duket se qëndron vetëm në teori, për sa kohë praktika dëshmon të kundërtën. Gjithë këto favorizime falë miqve, (të cilët janë persona me ndikim mbi dikë tjetër, për të ndërhyrë në zgjidhjen e një problemi në rrugë joligjore), duket sikur janë rrënjosur në shoqërinë tonë, dhe për fat të keq nuk ajo di si të funksionojë duke iu përmbajtur rregullave të përgjithshme.
Si pasojë, është mjaft dëshpëruese kur para syve të tu, kalojnë duke të shkelur sikur të mos ishe fare, vetëm sepse ata kanë më pushtet se ti. Në përmirësim të kësaj gjendjeje, mund shërbejnë vetë qytetarët nëse bashkëpunojnë me median.
Për çdo parregullsi të vërejtur, është e mira që ata të dërgojnë faktet e tyre në mediat që e ofrojnë këtë bashkëpunim, duke vënë në jetë kështu gazetarinë investigative. Nuk duhet harruar kurrë se pushteti i medias, është aq i fortë sa t’i qesë në dritë këto skandale, dhe të vërë në lëvizje organet përgjegjëse për zgjidhjen e tyre.

Të fundit

më të lexuarat