Tuz – Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, z. Ardit Bido dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, z. Bedri Zyberaj u pritën të hënën në takim nga kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj dhe shefi i Zyrës për Bashkëpunim me Diasporën, Mark Lucgjonaj.
Në kumtesën për opinion të Komunës së Tuzit thuhet se ky takim vjen si kërkesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë për mundësinë e bashkëpunimit me Komunën e Tuzit, përkatësisht, aplikimin e projektit të parë, hapjen e Këndit Arkivor.
“Ky projekt, do t’u mundësojë qytetarëve të interesuar, e sidomos studiuesve, të kenë qasje në dokumentet arkivore të Arkivit të Tiranës, pa pasur nevojë të udhëtojnë drejt kryeqytetit”, theksohet në kumtesë.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj, shprehu gatishmëri lidhur me implementimin e këtij projekti, i cili sipas tij do të jetë i realizuar shumë shpejtë. Ai ndër të tjera, falënderoi z. Bido për idenë dhe bashkëpunimin.
Në të njëjtën kohë, në takim u diskutuan edhe mundësi të tjera bashkëpunimi në mes të Komunës së Tuzit dhe Arkivave të Shqipërisë dhe Kosovës.
t. u.