President i bashkimit dhe pajtimit kombëtar

Xho Bajden do të jetë presidenti i dytë katolik në historinë e këtij vendi, që do të shërbejë si President i Amerikës. Presidenti i parë që i përkiste fesë katolike ka qenë Xhon F. Kenedi, i cili pikërisht në këtë ditë, 60 vite më parë me dorën e tij të djathtë mbi Bibël u betua se do të zbatonte dhe do të “mbronte Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm”

Për Koha Javore: Frank Shkreli

Ndonëse katolikët amerikanë përbëjnë grupimin e dytë më të madh fetar në këtë vend, pas protestanëve – për një kohë të gjatë kishte një paragjykim ndaj tyre ndërsa mendohej, gabimisht, se një politikan katolik amerikan mund të ishte më besnik ndaj Papës sesa ndaj Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Por, ishte Presidenti Xhon F. Kenedi ai i cili, si të thuash e zhduku këtë paragjykim fetar nga mentataliteti historik i shumicës protestane amerikane ndaj politikanëve katolikë që synonin karrigën e Presidentit të Amerikës.
Gjatë fushatës për president 60-vite më parë, Xhon F. Kenedi i kishte siguruar votuesit amerikanë për qëndrimin dhe besimin e tij të palëkundur për ndarjen e kishës nga shteti: “Unë nuk jam kandidati katolik për president”, kishte deklaruar ai në atë kohë, “Por jam kandidati i Partisë Demokrate për President, që njëkohësisht, i përkas fesë katolike. Unë nuk flas në emër të Kishës për çështje publike dhe Kisha nuk flet për mua.” Historianët janë dakort se gjatë 1000-ditëve të presidencës së Xhon F. Kenedi, feja e tij katolike nuk ka pasur asnjë ndikim në vendimet e tij politike dhe publike gjatë jetës së tij politike. Për më tepër, për gjashtë dekadat e kaluara, ç’prej inaugurimit të Presidentit Xhon F. Kenedi e këndej, asnjë kandidat katolik për president të Amerikës nuk është kundërshtuar nga shumica protestane, si rrjedhim i pikëpamjeve fetare ose praktikimit të besimit katolik.

Xhon F. Kenedi, Presidenti i parë katolik në Amerikë i zgjedhur në vitin 1961

Kështu ndodhi edhe me kandidatin e Partisë Demokrate, Xho Bajden në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar: përkatësia e tij fetare katolike nuk u përmend asnjëherë gjatë fushatës presidenciale, as nga kundërshtarët e tij politikë as nga media, megjithëse ish-Senatori Xho Bajden njihet botërisht, jo vetëm si anëtar i Kishës Katolike, por edhe si praktikues i rregullt dhe i devotshëm i këtij besimi.
Ata që e njohin mirë z.Bijden thonë se feja katolike është pikë referenca e tij thelbësore se si e sheh ai botën në përgjithësi. Sipas burimeve të ndryshme, ai mban rruzaren në xhep dhe merr pjesë në meshë çdo të diel, megjithëse mban disa pikëpamje që ndoshta nuk përputhen me doktrinën kishtare, siç është çeshtja e abortit – diçka që ai e kundërshton personalisht, por nuk beson se duhet të imponohet ligjërisht.
Në fjalimin me rastin e fitores së tij në detyrën më të lartë të vendit, pasi u shpall fitues i zgjedhjeve nëntorin e kaluar në Amerikë, Presidenti i zgjedhur Xho Bajden nuk hezitoi aspak t’i referohej rolit që mund të luante besimi i tij në kryerjen e detyrës më të lartë të këtij vendi, duke theksuar se ai do të jetë “president që nuk kërkon të përçajë, por t’i bashkojë njerëzit”. Duke cituar një paragraf nga Bibla, z. Bajden u shpreh: “Për gjithçka ka një stinë: ka një kohë për të ndërtuar, një kohë për të korrur frytet; një kohë për të mbjellur dhe një kohë për të shëruar plagët”, duke shtuar se, “Tani është koha për të shëruar plagët dhe për të pajtuar Amerikën”.
Presidenti i ardëshëm i Shteteve të Bashkuara, z. Bajden përfundoi fjalimin e tij me një thirrje për unitet duke cituar fjalët e himnit katolik “On Eagle’s Wings” (Në krahët e Shqiponjës) me qëllim për të nënvizuar mesazhin e tij për bashkim dhe pajtim kombëtar. “Dhe tani, së bashku mbi krahët e shqiponjës, ne fillojmë detyrën që Zoti na ka thirrur të bëjmë, me kurajo, besim dhe me duar të qendrueshme, me besim në Amerikën dhe në njëri-tjetrin, me dashuri për Atdheun dhe me punë për drejtësi dhe përgjegjësi individuale e shoqërore – Le të punojmë për një komb të bashkuar, për një komb të fortë dhe për një komb të pajtuar”, ka thënë në fjalimin e tij, z. Biden.
Udhëheqësit e Kishës Katolike në Shtetet e Bashkuara, përfshirë Konferencën Ipeshkvënore të Amerikës, e cila përfaqëson të gjithë ipeshkvijtë katolikë amerikanë dhe jurisdikcionet e tyre – e pritën mirë fitoren e Presidentit të zgjedhur Xho Bajden dhe zëvendëspresidentes Kamala Haris dhe u bënë thirrje udhëheqësve politikë: “Që të bashkohen në frymën e unitetit kombëtar dhe të angazhohen për dialog dhe kompromis, për të mirën e përbashkët.”

Në një editorial redaksional, revista e njohur katolike, “America” që botohet nga jezuitët amerikanë, komenton në numrin e muajit të kaluar se fituesi më i madh i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 ishte populli amerikan dhe shton se një shumicë e qartë e votuesve amerikanë i dha z. Bajden një mandat bindës. Një mandat, sipas revistës në fjalë “Për të riparuar marrëdhëniet shoqërore të kombit, për të shëruar plagët dhe për të na bashkuar të gjithëve si pjesë e një kombi”. Por z. Bajden nuk ka, sipas redaktorëve të revistës jezuite, “America”, “një mandat për të vendosur një rrregull të ri legjislativ radikal në vend…Shumë votues madje edhe republikanë dhe të pavarur kanë votuar jo për partinë (e z. Bajden) por për vendin e tyre. Z. Bajden dhe kolegët e tij demokratë duhet të qeverisin duke mos harruar këtë fakt”, porosit revista në editorialin mbi fitoren e Xho Bajden.
Revista e njohur katolike e jezuitëve amerikanë, “America”, i bën thirrje gjithashtu presidentit të dytë katolik në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të “shërojë plagët” dhe të punojë për drejtësi sociale. Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një udhëheqës, thuhet në komentin redaksional të kësaj reviste prestigjoze katolike amerikane, ndërkohë që i kërkohet presidentit të ardhshëm amerikan që të mbajë premtimin e dhenë prej tij se do të jetë “President i të gjithë amerikanëve” pa përjashtim dhe se do të qeverisë, sipas fjalëve të Abraham Linkolnit: “Pa keqdashje ndaj askujt dhe me bamirësi e dashamirësi për të gjithë”.
Si çdo president tjetër i Amerikës para tij, edhe Presidenti Xho Bajden, pa marrë parasysh përkatësinë e tij fetare, pas betimit të tij të mërkurën, ai dhe administrata e tij do të gjykohen dhe vlerësohen, jo për fjalët e bukura dhe deklarata të fushatës, por për veprat konkrete dhe për angazhimet serioze gjatë mandatit të tij, të cilat duhet të çojnë drejt një pajtimi dhe uniteti më të fortë të vendit, duke pasur në qendër të vëmendjes periudhën kritike që po përjeton, aktualisht, vendi ynë si dhe pasojat, afatgjata dhe afatshkurtra të ngjarjeve të fundit në Uashington.

Të fundit

më të lexuarat