
Viti që lamë pas ishte një vit plot ngjarje. Ishte një vit i trishtë dhe i vështirë, mu për shkak të pandemisë e cila bllokoi jetën normale në mbarë rruzullin tokësor. Me fillimin e vitit të ri, shumë shtete të botës filluan vaksinimin kundër Covid-19. Kjo shihet si një pikë shprese në horizont, por edhe ringjalli teoritë e konspiracionit se a duhet të marrim vaksinën apo jo. Disa teori shkojnë deri atje sa pohojnë se Covid-19 është një shpikje e “elitave kriminale botërore”. E vërteta është se kjo pandemi ekziston dhe çdo ditë po merr jetë njerëzish në mbarë botën.
Viti 2020 nuk ishte një vit normal
Në Gjermani situata është e rënduar, bile më e rënduar se asnjëherë tjetër. Situata aktuale e pandemisë dhe vendimet qeveritare vazhdojnë të paraqesin sfida të mëdha. Masat për parandalimin e pandemisë Covid-19 janë zgjeruar dhe zgjeruar. Qeveria e shtetit gjerman, përsëri u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të lënë punonjësit e tyre të punojnë nga shtëpia kudo që të jetë e mundur në mënyrë që të minimizohet rreziku i infektimit. Kjo zvogëlon numrin e punonjësve në kompani, e bën më të lehtë respektimin e masave të marra dhe forcon mbrojtjen e shëndetit, duke i kufizuar takimet ballë për ballë në minimumin absolut.
Zyra Federale e Statistikave vlerëson se si ekonomia është zhvilluar çdo tre muaj. Statistikat zyrtare mbështeten në data të ndryshme, por ne mund të konkludojmë se 2020 nuk është një vit normal.
Vaksinimi i detyrueshëm apo në baza vullnetare
Ministrja Federale e Drejtësisë, Kristine Lambreht, ka përjashtuar vaksinimin e detyrueshëm në luftën kundër virusit Corona. Qeveria federale ka deklaruar qartë se nuk do të ketë asnjë detyrim për t’u vaksinuar kundër Covid-19. Ajo shtoi se “nëse njerëzit janë të bindur për sigurinë dhe efektivitetin e vaksinimit, shumica dërmuese do të vaksinohen.”
Vaksinimi kundër koronavirusit ka filluar në Gjermani. Fillimisht vaksinohen grupet e njerëzve me një rrezikshmëri të lartë si dhe grupe që janë veçanërisht të ekspozuar në punë, ose që kanë kontakte të afërta me grupet e rrezikut.
Shumë kompani kanë dalë me koncepte krijuese të higjienës që mbrojnë punonjësit dhe klientët e tyre. Një numër i tyre, sidomos ata të shërbimit publik, janë duke siguruar vaksina për punëtorët e vet. Dy doza vaksinash rekomandohen aktualisht në një interval prej tri (BioNTech/Pfizer) ose katër javësh (Moderna).
Një problem tjetër është paraqitja e mutacioneve te ky virus. Kjo ngjall shqetësime, por edhe ngrit dyshime në efikasitetin e luftimit të tij dhe kohëzgjatjen e masave.
Për shkak të mutacioneve, masat parandaluese përfundojnë në prill, gjatë Pashkëve?!
Në shtetin federal të Gjermanisë është duke u diskutuar për masat izoluese edhe kohëzgjatjen e tyre. „Lockdown“ në Gjermani është planifikuar deri më 31 janar 2021. Kancelarja gjermane Merkel paralajmëron për numra ekstremë të të infektuarve me Covid-19, duke aluduar në vazhdimin e masave izoluese deri në prill. Qytetarët janë në pritje dhe të shqetësuar, shpesh dëgjojmë pyetje se “a nuk do të përfundojë Lockdown-i deri për Pashkë?”
Kryeministri i Baden-Vyrtemberg, Vinfried Kretshman (Të Gjelbrit), beson se masat për Covid-19 mund të shtrëngohen në shkurt, në funksion të numrit të lartë të infeksioneve. “Shifrat nuk janë të tilla që të mund të organizoni një koncert të madh hapjeje”, tha Kretshman në Shtutgart.
Por ka edhe zëra të tjerë që izolimin e shikojnë si pengesë serioze në jetën e përditshme. Kështu kryetari i bashkisë së Tubingen, Boris Palmer, nuk beson në një izolim të zgjatur.
“Kjo është vetëvrasje për shkak të frikës nga vdekja”, shprehet ai, duke shtuar se “mbi të gjitha, ju nuk e dini nëse varianti mutacion i koronavirusit është vërtet më i rrezikshëm, por dëmi i shkaktuar nga izolimi i forcuar, megjithatë, është i sigurt.”
Pas shiut lind diell
Një situatë e tillë nuk mund të zgjasë pafundësisht. Pas motit të keq kemi gjithmonë një përmirësim dhe anasjelltas. E tillë duhet të jetë situata me pandeminë, e cila nuk është e para në historinë njerëzore.
Shpresojmë që 2021-shi të jetë një vit normal dhe një vit i kthesave të mëdha, si në jetën politike ashtu edhe në atë shoqërore. Një gjë është e sigurt, megjithatë: asgjë nuk do të jetë e njëjtë me atë që ishte para kësaj pandemie. Përpjekjet për t’u kthyer në normalitet nuk janë vetëm të domosdoshme, por edhe nevojë e njerëzimit të sotëm për të jetuar në mënyrë të civilizuar dhe dinjitoze.
