Pritet të mbërrijë në fund të janarit

Podgoricë – Vaksinimi kundër koronavirusit në Mal të të Zi do të duhej të fillonte në fund të këtij muaji dhe do të jetë mbi bazën vullnetare, kurse prioritet në vaksinim kanë personat mbi moshën 80-vjeçare, ka thënë më parë Ministrja e Shëndetësisë Dr. Jelena Boroviniq – Bojoviq në një konferencë për gazetarët e cila është mbajtur në Qeverinë e Malit të Zi.
Ajo ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është duke bërë përpjekje intensive në mënyrë që dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit në Mal të Zi të mbërrijnë sa më parë.
Boroviniq – Bojoviq është shprehur se Ministria e Shëndetësisë ka takime intensive me përfaqësues të BE-së dhe të COVAX nismës, si dhe në veçanti me prodhuesit, në mënyrë që vaksina të arrijË sa më parë në vendin tonë.
“Pres që në fund të janarit të fillojë vaksinimi në Mal të Zi në rast se bisedimet bilaterale do të vazhdojnë me këtë ritëm”, ka deklaruar Ministrja e Shëndetësisë, Jelena Boroviniq – Bojoviq.
Ajo ka thënë se Komisioni Evropian ka miratuar pakon e ndihmës prej 70 milionë eurosh për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke shprehur falënderim të posaçëm ndaj komesarit për zgjerim, z. Oliver Varhelit i cili, siç ka theksuar, ka treguar shqetësim të veçantë ndaj të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke i konsideruar si partnerë shumë të rëndësishëm.
Boroviniq – Bojoviq ka thënë se arsyeja e pritjes për vaksina në Mal të Zi është edhe ajo se Qeveria e kaluar nuk ka zhvilluar asnjë bisedim bilateral me prodhuesit, përveç se është firmosur iniciativa COVAX, e cila siç tha, ka qenë gjithashtu e rrezikuar.
“Kur bëhet fjalë për nismën COVAX, të gjitha bisedimet të cilat i ka bërë Mali i Zi para ardhjes së Qeverisë së re nuk i ka përfunduar deri në fund. Garancioni shtetëror për vaksina i cili duhet të ishte paguar në kohë, nuk është paguar, dhe në këtë mënyrë është vënë në pikëpyetje protokolli i cili është firmosur me iniciativën COVAX”, ka thënë ajo.
Ministrja e Shëndetësisë ndër të tjera në këtë konferencë është shprehur se sistemi shëndetësor ka qenë i detyruar që me Ministrinë e Punëve të Jashtme të reagojë shumë shpejt dhe që garancioni shtetëror të paguhet më 15 dhjetor, për ç’gjë, siç ka theksuar ajo, kanë pasur vetëm disa ditë.
“Vaksina e cila do të mbërrijë në Mal të Zi duhet të jetë e sigurt, efikase dhe me cilësi të mirë dhe se kjo sigurisht do të respektohet”, kanë deklaruar nga Ministria e Shëndetësisë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat