Respekto veten duke u ushqyer shëndetshëm

Paula Dekaj

Teprimi me sasinë e konsumit të ushqimit apo një dietë me ushqime të shpejta, përforcuar nga një stil jetese krejt pasiv, mund të na japë formën trupore më pak të dëshirueshme. Përtej asaj që vërehet nga shqisa e të parit, nuk do shumë mend për të kuptuar se një stil jete i pashëndetshëm, do na japë një trup të pashëndetshëm.
E keqja është se të gjithë kemi informacione të bollshme për ushqimin, aq sa të dimë se çka është e mirë apo e keqe, por duke qëndruar në apati, preferojmë të mos i marrim në konsideratë. Kjo sepse ndoshta jemi neglizhentë dhe nuk e duam trupin tonë.
E rëndë duhet të jetë kur nuk ke çfarë për të ngrënë, në një botë ku rreth 9 milionë njerëz vdesin nga uria çdo vit, por thjesht të konsumosh në sasi më të reduktuar (normale), dhe të jesh më i përmbajtur ndaj disa produkteve, nuk është mision i pamundur. E gjithë kjo realizohet duke treguar pak më shumë kujdes për veten.
Të gjithë preferojmë të konsumojmë diçka më të shijshme edhe pse pa vlera ushqyese, në vend të të anasjelltas, por duhet bërë një pakt me veten, për të mirën e vetes. Lakmia ndaj këtyre produkteve, duhet të jetë e menaxhueshme, por disa individë mund ta kenë të pamundur.

E rëndë duhet të jetë kur nuk ke çfarë për të ngrënë, në një botë ku rreth 9 milionë njerëz vdesin nga uria çdo vit, por thjesht të konsumosh në sasi më të reduktuar (normale), dhe të jesh më i përmbajtur ndaj disa produkteve, nuk është mision i pamundur. E gjithë kjo realizohet duke treguar pak më shumë kujdes për veten

Këta persona, pasi i shohin kilogramët e shtuar, marrin iniciativa t’iu nënshtrohen dietave strikte njëra pas tjetrës, të cilat mund t’i gjejnë nga kërkimet në internet. Doktori ‘‘Google’’ na mëson shumë gjëra të pasigurta, ndër to mund të jenë edhe këto dieta.
Për këtë arsye, në raste të nevojshme është më e dobishme të kontaktojmë një dietolog/e profesionist/e, sesa të bazohemi në internet. Përveç kohës së humbur me dieta joefektive, kjo mund të jetë një lojë e rrezikshme për shëndetin.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, obeziteti ka arritur përmasa epidemike në mbarë botën, me të paktën 2.8 milionë njerëz që vdesin çdo vit si rezultat i mbipeshës. E meqë jemi ata çfarë hamë, le të bëjmë që të jemi versioni më i mirë i vetes tonë, fizikisht e mendërisht.
Të kujdesesh për veten, kërkon edhe shpenzime financiare, por gjithashtu është dhe pjesë e kulturës. Shumë vetave nuk u mungon paraja, por kultura. Të bërit kontrolle të rregullta mjekësore, edhe pa ndjerë shqetësime, përfaqësojnë një individ që e do vetën, dhe qe e do jetën.
Ndërsa, kur një person është i vetëdijshëm për një problem shëndetësor, dhe përsëri vazhdon me moskokëçarje të mos respektojë këshillat e mjekut, është e keqja e vetes, dhe e gjithë shoqërisë, sepse kësaj të fundit i duhen njerëz të shëndetshëm e jo shtim pacientësh nëpër spitale.

Të fundit

më të lexuarat