Hapet kabineti për teknologji ndihmëse

Plavë – Pas Cetinës dhe Rozhajës, edhe në Plavë, në Qendrën Ditore për Fëmijë dhe të Rinj me Pengesa në Zhvillim “Lipa”, më 6 janar është hapur kabineti për teknologji ndihmëse.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij institucioni, Muhamed Rekoviq, ka thënë se hapja e kabinetit në fjalë paraqet ngjarje të madhe për tërë bashkësinë e Plavës dhe Gucisë.
“Definitivisht, fëmijët tanë me këtë teknologji ndihmëse do të përmirësojnë zhvillimin dhe do të avancojnë cilësinë e jetës së vet, e me këtë do të përmirësojnë edhe cilësinë e shërbimeve të Qendrës Ditore. Pos kësaj, me këtë teknologji do të mund të shërbehen përmes profesionistëve tanë shkollat që vijojnë fëmijët me pengesa në zhvillim. Të pranishmëve, punën me teknologjinë ndihmëse ua kanë sqaruar punëtorët tanë profesionistë, si përdoren dhe cilat janë parimet e saj”, ka pohuar ai.
Rekoviq ka falënderuar kryetarin e ri të Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, drejtoreshën e Qendrës për Punë Sociale të komunave të Plavës dhe Gucisë, Branka Gjukiq, profesoreshën Senada Gjesheviq, dhe mysafirët e tjerë të cilët duke i respektuar masat epidemiologjike kanë marrë pjesë në hapjen e kabinetit.
Me përdorimin e mjeteve të teknologjisë ndihmëse, siç është komunikuar, u jepet mundësia fëmijëve dhe të rinjve me pengesa në zhvillim që të kryejnë aktivitete të caktuara, të cilat përndryshe nuk do të mund t’i kryejnë, apo t’i kryejnë me vështirësi. Shërbimin do ta ofrojnë punëtorët profesionistë të cilët drejtpërdrejt janë të kyçur në punë me shfrytëzues, e të cilët paraprakisht kanë fituar certifikatat gjegjëse pas ushtrimeve pesëditëshe.
“Projektin ‘Me teknologji ndihmëse deri te inkluzioni i plotë’ e financojnë Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Malit të Zi, me ndërmjetësimin e Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë për Financa në kontraktimin e fondeve për ndihmë të Bashkimit Evropian.
Projektin e zbaton dhe e jetëson Qendra Ditore për Fëmijë me Pengesa në Zhvillim dhe Personave të Prekur me Invaliditet në Cetinë, si bartëse e projektit, Qendra Ditore për Fëmijë dhe të Rinj me Pengesa dhe Vështirësi në Zhvillim në Rozhajë dhe Qendra Ditore për Fëmijë dhe të Rinj me Pengesa në Zhvillim ‘Lipa’ në Plavë, si partnere”, ka përfunduar ushtruesi i detyrës së drejtorit, Muhamed Rekoviq.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat