Gjenerata të shumta të nxënësve të Gjimnazit të Ulqinit e njohin shumë mirë profesorin Rasim Muja, mësimdhënësin e gjuhës frënge dhe asaj latine të shkollës së mesme të qytetit të Ulqinit. Pothuajse të gjithë e njohin atë si mësimdhënës të vyer e të rregullt. Profesori ynë ka qenë mësimdhënës edhe i prindërve tanë, të cilët e kujtojnë, njëjtë si edhe ne, për vetitë më të mira të një mësimdhënësi, ku veçohen cilësia e lartë në mësimdhënie, vlerësimi objektiv, gjithmonë parimor dhe shumë i dashur me nxënës.
Profesor Rasim Muja ka lindur në fshatin Ftjan të Krajës, në komunën e Tivarit, më 8 gusht 1953. Rrjedh nga një familje fshatare. Ciklin e ulët të shkollës fillore e ka kryer në fshatin e lindjes, ndërsa ciklin e lartë pranë shkollës fillore në Ostros. Pas shkollës fillore ka vazhduar shkollën e mesme, gjegjësisht gjimnazin në Ulqin, ku dhe ka diplomuar në vitin shkollor 1971/1972. Në vitin shkollor 1972-1973 është regjistruar në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, në degën e gjuhës dhe letërsisë frënge me gjuhë latine, me kohëzgjatje gjashtë semestra, ku u diplomua në vitin 1976.
Karrierën e tij si mësimdhënës e filloi si student në vitin 1975, në Gjimnazin “8 Nëntori” në Podujevë, ku në ndërkohë u diplomua dhe vendosi të punojë në Gjimnazin “Ivo Llolla Ribar” në Prishtinë, ku punoi deri në vitin 1980.
Në vitin 1980 u kthye në Ulqin dhe filloi të punojë pranë Qendrës për Arsimin e Mesëm të Orientuar ”Vëllazërim Bashkim”. Më vonë kaloi të punojë si profesor i gjuhës frenge në Shkollën Fillore “Marko Nuculloviq” në Shtoj, ku ishte i vetmi profesor. Aty punoi deri në vitin 1992 dhe pastaj përsëri u kthye në Gjimnazin “Vëllazërim Bashkim” si profesor i gjuhës frenge dhe latine, ku edhe e përfundoi karrierën e tij si mësimdhënës më 8 gusht 2020. Nga kjo rezulton se ai ishte plot 43 vite në mesin e nxënësve.
“Këndi i gjimnazistit” është konceptuar si një rubrikë që ka për qëllim promovimin e nxënësve të dalluar të shkollave të mesme dhe nxitje për moshat e reja që të lexojnë e shkruajnë sa më shumë
”Gjatë kësaj periudhe, shumë herë janë bërë reforma në arsim, ku janë bërë shumë ndryshime, mund të them edhe prova. Por megjithëse çdo periudhë ka pasur karakteristikat e veta, e vetmja gjë që nuk ndryshoi kurrë është nxënësi”, thotë profesori.
Nga karriera e tij e gjatë si mësimdhënës, ai përcolli plot 43 gjenerata nxënësish dhe bazuar në këtë, ai tregon se sot kemi kuadro me profile dhe funksione të ndryshme.
Kur e pyetëm profesorin për ndonjë dallim në mes gjeneratave, ai tregon se gjeneratat e para me këto të ditëve të sotme kanë ndryshime të mëdha, sepse edhe demokratizimi e ka bërë të veten. Por motoja e profesorit, e cila kurrë nuk ndryshoi, ishte që kurrë për të nuk kishte nxënës “të keq” dhe pikërisht nga ky fakt raporti i tij me nxënësit ishte në nivelin e duhur, duke mos munguar respekti i dyanshëm.
Ai pohon se e mban mend shumë mire gjeneratën e parë dhe atë të fundit të nxënësve që u kishte dhënë mësim. Në pyetjen tonë nëse do të zgjidhte përsëri arsimin si profesion, përgjigjja e tij është “po, dhe atë me plot deshirë”. Ndërsa në pyetjen se nëse është lodhur gjithë këto vite të punës me nxënës, përgjigjja e tij është e prerë: “jo”.
Profesor Rasim Muja na tregoi një thënie interesante që ia kishte treguar profesori i tij, se “duke punuar me të rinj, edhe vetë ndjehesh i ri”.
Profesori ynë i nderuar ka disa muaj që është duke e shijuar pensionin e merituar pas një jete të tërë me ditar në dorë. Ai tani ka filluar një cikël të ri në jeten e vet dhe ne i dëshirojmë jetë sa më të gjatë.
Për fund, në emër të gjeneratës sonë por edhe shumë e shumë gjeneratave të tjera i themi: Faleminderit profesor!
(Autori është nxënës i dalluar i Gjimnazit të Ulqinit)