Guci – Në seancën e tretë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Gucisë, të mbajtur më 29 dhjetor 2020, në sallën e Komunës, këshilltarët miratuan një sërë propozim vendimesh, të cilat temë shqyrtimi kishin aktivitetet dhe veprimtaritë e punës së organeve dhe institucioneve të administratës lokale, ndër të cilat qendrore ishin propozimi i vendimit për Buxhetin dhe për Planin e investimeve të Komunës së Gucisë për vitin 2021.
Pas verifikimit të mandateve të dy këshilltarëve të rinj, të zgjedhur në vend të këshilltarëve që kanë dhënë dorëheqje për shkak të emërimit në poste të reja të administratës lokale dhe jashtë saj, nga lista zgjedhore e PDS-së në zgjedhjet lokale, në vend të këshilltarit Irfan Radonçiq është zgjedhur këshilltari Zumber Nikoçeviq, kurse nga lista zgjedhore e Koalicionit PB – PL “Me korrektësi për Gucinë” Rafet Husoviq, në vend të këshilltarit Ragip Delanin është zgjedhur këshilltarja Anesa Bektesheviq. Ndërkaq këshilltarja e deritashme e PDS-së, dr. Harisa Llalliçiq, ka deklaruar se për shkak të një vistër arsyesh nuk do të përfaqësojë më këtë parti, duke u bërë këshilltare e pavarur në Kuvend.
Në fillim të seancës, këshilltarët miratuan njëzëri procesverbalin nga seanca e dytë e rregullt e Kuvendit, e mbajtur më 20 nëntor 2020.
Në paraqitjen procedurale, këshilltarët e dy subjekteve politike në opozitë, Admir Mullamekiq i “Socialdemokratëve të Malit të Zi, Ivan Brajoviq – Ne vendosim me konsekuencë për Gucinë” dhe dr. Ellvis Omergaiq, këshilltar i vetëm i PSD-së në Kuvend, reaguan ashpër me plot mllef ndaj kryetarit të Kuvendit, Bujar Hasangjekaj, me rastin e hapjes së seancës me disa fjali së pari në gjuhën shqipe, e më pas edhe në gjuhën malazeze, duke u mbështetur në nenin 13 të Kushtetutës së Malit të Zi.
Ata pretenduan se “seanca e Kuvendit duhet të hapet në gjuhën zyrtare, e ajo në Mal të Zi është gjuha malazeze”. Këshilltarët në fjalë, të njëjtin reagim e kanë bërë edhe në fillim të seancës së dytë të Kuvendit, të mbajtur më 20 nëntor 2020, për të njëjtin motiv.
Reagimet e këshilltarëve në fjalë i kundërshtuan dy këshilltarët e Koalicionit të partive shqiptare “Bashkë për Gucinë”, Fadil Ulaj (UDSH) dhe Alia Kukiq (LDSH), duke theksuar se edhe gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, andaj nuk është bërë kurrfarë shkeljeje e ligjit dhe Kushtetutës nga kryetari i Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit, Bujar Hasangjekaj, tha se nuk i ka shkelur e as cenuar nenet dhe parimet e Kushtetutës në asnjë aspekt, duke bërë me dije se kryetarët e kuvendeve të komunave të Ulqinit dhe Tuzit, seancat i hapin duke u drejtuar të pranishmëve në gjuhën shqipe, e madje edhe pjesën më të madhe të seancës e drejtojnë në gjuhën shqipe.
Në vazhdim, kryetari i Kuvendit, Bujar Hasangjekaj, të pranishmit i njoftoi me rendin e propozuar të ditës prej 15 pikash, i cili pësoi ndryshime dhe plotësime, pasi që kryetarja e Komunës, Anella Çekiq, nga rendi i ditës tërhoqi pikën e parë, ndërsa propozoi dy pika të reja për plotësimin e rendit të ditës. Rendin e ditës, të ndryshuar dhe plotësuar prej 16 pikash, këshilltarët e miratuan njëzëri.
Pikat qendrore të punës së Kuvendit ishin Propozimi i vendimit për Buxhetin e Komunës së Gucisë për vitin 2021 dhe Propozimi i Planit të investimeve të komunës për vitin 2021. Ato i ka prezantuar sekretari për Ekonomi, Zhvillim dhe Financa, Mirallem Bektesheviq, i cili theksoi se të hyrat dhe shpenzimet e Buxhetit të Komunës së Gucisë për vitin 2021 planifikohen në shumën 2.153.550,00 euro, nga të cilat Buxheti operativ në shumën prej 1.504.050,00 euro, Buxheti kapital në shumën 619.500,00 euro, rezerva rrjedhëse e Buxhetit në shumën 20 mijë euro dhe rezerva e përhershme e Buxhetit në shumën 10 mijë euro.
Plani i investimeve në Komunën e Gucisë për vitin 2021 është ndarë në infrastrukturën lokale me interes të përgjithshëm 85 mijë euro; në infrastrukturën rurale 140 mijë euro, dhe në shpenzimet për objektet ndërtimore 60 mijë euro, mjete këto që paraqesin shpenzimet kapitale në një anë dhe shpenzimet për shërbime 35 mijë euro, shërbimet komunale 70 mijë euro dhe shpenzimet për material 60 mijë euro, mjete këto investuese që paraqesin shpenzimet e përgjithshme në shumë prej 160.500,00 euro.
Pas pjesëmarrjes në diskutim, me ç’rast këshilltarët e partive opozitare dhanë ca vërejtje, kritika dhe sugjerime, Buxheti dhe Plani i investimeve të Komunës së Gucisë për vitin 2021 u miratua me 26 vota “për” dhe dy vota “kundër” të këshilltarëve të PSD-së dhe PPS-së.
Me shumicë votash “për” ose “njëzëri” këshilltarët miratuan edhe pikat tjera të rendit të ditës, duke përfshirë edhe dy pikat shtesë, të propozuara nga kryetarja e komunës, Anella Çekiq.
Shaban Hasangjekaj