Deputeti i Listës Shqiptare, Genci Nimanbegu, ka reaguar ndaj shkarkimit të drejtorëve shqiptarë, kuadro të kësaj liste, nga Qeveria e Malit të Zi, konkretisht nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit dhe nga Ministria e Turizmit (Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit).
Në një deklaratë për media, ai ka thënë se raporti i Qeverisë së Malit të Zi ndaj pakicave vërtetohet përmes ndërrimit të kuadrove të Listës Shqiptare, të punësuar përmes konkursit publik.
Sipas tij, mënyra se si janë ndërruar ata tregon se ftesa e kryeministrit dhe e shumicës së re parlamentare dërguar pakicave për formimin e qeverisë së re “nuk ishte e sinqertë, por ishte demagogjike dhe protokollare”.
Ai ka treguar se drejtorët e drejtorive të këtyre ministrive janë njoftuar për shkarkimin e tyre përmes faqes në internet të Qeverisë së Malit të Zi, pa kurrfarë paralajmërimi mbi procedurën e nisur dhe vetëm përmes njoftimit me gojë, pasi që është marrë vendimi në qeveri.
Nimanbegu ka thënë se me këtë qeveria e re ka treguar fytyrën e vet të vërtetë, duke e hequr maskën.
“Me siguri se Qeverisë i ka penguar fakti se ata janë përfaqësues të kombit shqiptar në Mal të Zi, dhe se vendet, me siguri do të plotësohen me shqiptarë ‘të përshtatshëm’, gjegjësisht me njerëz tjerë me të cilët do të vërtetojnë se janë duke respektuar Kushtetutën, që në nenin e famshëm 79 flet për përfaqësimin proporcional në pushtetin ekzekutiv”, ka deklaruar ai.
Nimanbegu ka theksuar se përgjegjësia për këto akte bie mbi Qeverinë dhe shumicën qeveritare, në rastin konkret mbi ministrat përgjegjës të cilët, sipas tij, “si duket këto hapa i kanë përvetësuar nga dy personat e parë të Qeverisë, kryetari dhe nënkryetari i Qeverisë, të cilët që nga 30 gushti një gjë flasin e punojnë krejt kundër, gjë që vërtetojnë edhe shkarkimet që i kanë miratuar në Qeveri”.
Deputeti i Listës Shqiptare ka thënë se “veprimet e tilla edhe më shumë do të përforcojnë rezervat e popullit shqiptar në Malin e Zi ndaj pushtetit të tanishëm dhe qëllimeve të vërteta të tij dhe në këtë mënyrë do të ashpërsojë konfliktet politike në Malin e Zi”.
(Kohapress)
