Skijimi si sport i përsosur me përfitime të shumta shëndetësore

Të ndodhur në sezonin e dimrit ku temperaturat nga dita në ditë variojnë dhe termometri mund të shënojë disa gradë nën zero, sidomos në zonat e thella malore, përveç që sjell me vete anën “negative” që është të ftohtit acar, sezoni i dimrit ka edhe anët pozitive.
Po t’i referohemi anës së argëtimit dhe të aventurave që sjell stina e dimrit, atëherë mund të thuhet se edhe kjo stinë është tejet interesante për të gjithë ata që janë të pasionuar pas sporteve dimërore dhe për turistë të cilët vizitojnë vende të ndryshme, edhe gjatë sezonit dimëror. Pavarësisht se pjesa dërrmuese e të huajve preferojnë që të argëtohet në sezonin veror, kur temperaturat janë të larta dhe plazhet e tejmbushura me pushues, edhe sezoni dimëror jep argëtim dhe kënaqësi.
Dimri për dikë është shumë më i pëlqyeshëm se sa vera, dhe kjo për shumë arsye. Ata që e preferojnë dëborën, mezi presin që të vijë sezoni dimëror, që të përmbushin nevojën e tyre për argëtim dhe rekreacion dhe kjo për shumëkë sjell dëfrim të jashtëzakonshëm, pasi duan që vërtetë ta shijojnë maksimalisht këtë dhuratë që vjen nga Zoti, dëborën.
Admiruesit e sporteve ekstreme dimërore siç është skijimi, apo edhe sporte të tjera që mund të realizohen në dëborë, këtu në Mal të Zi, ia mësyjnë qendrave të skijimit në Kollashin, ku dy qendrat e skijimit atje, janë të pajisura me të gjithë infrastrukturën dhe kushtet e nevojshme për ta realizuar këtë lloj sporti.
Këto qendra sportive, veçanërisht në ditët me diell, janë të tejmbushura me turistë nga të gjitha anët, madje ajo që të bën përshtypje, kurdoherë që rastis ta vizitosh, është se aty dëgjohet të flitet gjuha shqipe dhe kjo sepse shumë vizitorë nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, preferojnë që pushimet e tyre të fundjavës t’i kalojnë në këto qendra skijimi.
Ushtrimi i sporteve ekstreme dimërore, përveç që të jep kënaqësi dhe argëtim pafund, ato sjellin edhe përfitime të shëndetit mendor. Kështu kanë pohuar ekspertë të shëndetit, ku efekti i borës së bardhë e të bukur, mund të ndikojë pozitivisht në mirëqenien e përgjithshme të njeriut.
Nga shumë hulumtime të kryera mbi efektet që sjell sporti në shëndetin mendor, është thënë se skijimi është njëri ndër ato aktivitetet e shumta që njerëzit mund të merren dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në mirëqenien e tyre të përgjithshme. Entuziastët e stinës së dimrit kuptojnë se qëndrimi në natyrë, në ajrin e pastër të vargmaleve të mbuluara me dëborë, përveçse argëtim, është edhe si “tonik për shpirtin”.
Studimet kanë vërtetuar se stërvitjet dimërore, sportet e ndryshme në dëborë, sjellin shumë përfitime të shëndetit mendor. Ato kanë treguar se ushtrimet dhe aktivitete intensive, nxisin lirimin e endorfinës në trup të cilat e çlirojnë trupin nga kimikatet.
Stërvitjet nëpër qendra të ndryshme skijimi, është provuar të jenë një qetësues natyral për ata që kanë probleme me tensionin dhe stresin a akumuluar. Skijimi, përveç disiplinave të tjera sportive, mund të ndikojë gjithashtu që të kemi një gjumë më të qetë dhe të rehatshëm gjatë natës, aftësi më të mprehta të kujtesës dhe ndjenjë më të lartë të vetëvlerësimit.
Shkenca gjithashtu ka treguar se aktivitetet sportive në dëborë e ndihmojnë trupin që ta pompojë gjakun më shumë dhe kështu t’i eliminojë bakteret nga rrugët e frymëmarrjes dhe nga mushkëritë, si dhe shumë probleme të tjera siç janë alergjitë e ndryshme.
Prandaj, do të ishte në dobi të gjithsecilit që është pasionant i aventurave dhe sporteve dimërore dhe që zotëron teknikat dhe aftësitë për skijim, që të shkojë nëpër qendra skijimi, qoftë brenda vendit apo nëpër qendra të njohura që ka edhe rajoni, të shijojë aktivitete sportive të dëborës, sepse do t’i bëjë mirë, edhe sistemit kardiovaskular, por gjithashtu, duke qëndruar në diell, do të përthithin një sasi të caktuar të vitaminës D, që është shumë e rëndësishme për aspekte të ndryshme të funksionimit të organizmit.
Një anë tjetër pozitive dhe që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejt në të qenit pozitiv të gjithsecilit është, të qeshurit. Pra, teksa jeni duke luajtur dhe argëtuar në dëborë me familjen apo miqtë, shanset janë se do të qeshni më shumë dhe kjo më pas ndikon që të jeni në tërësi më të lumtur. Në këtë aspekt, kurdoherë që të keni kohë dhe mundësi, dhurojini vetes këto dobi dhe përfitime për shëndetin mendor dhe për mirëqenien e përgjithshme, sepse trupi dhe mendja do t’ju jenë më shumë falënderues.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat