
Ne lidhje më këtë çështje ka mendime dhe pikëpamje të ndryshme, por më këtë rast do të cekim vetëm dy. Kështu p.sh. M.Macura si vendbanim ka definuar “ çdo vend të banuar me emër të veçantë pa marrë parasysh se a janë të banuar në momentin e regjistrimit”. Ndërsa nga ana tjetër, statistika zyrtare ka pranuar definimin gjeografik të vendbanimeve se “vendbanimi është njësi e veçantë territoriale-antropo-gjeografike me emër të veçantë pa marrë parasysh numrin e shtëpive”.
Nga ajo që u tha më lart, del se vendbanimet veçohen me hapësirën e tyre territoriale, numrin e shtëpive dhe të banorëve në një vend të caktuar. Ato paraqesin dukuri komplekse që trajtohen nga disciplinat e ndryshme shkencore.
Vendbanimet pa banorë
Gjatë diskutimit në këtë takim, në mes tjerash u trajtuan edhe vendbanimet të cilët tash janë pa banorë. Një dukuri e tillë ka filluar të jetë e pranishme sidomos në këto dy dekadat e fundit që dëshmohet edhe në rezultatet e regjistrimit të popullsisë (1991, 2003, 2011). Pasi që trendi i emigrimit të popullsisë është bërë dukuri bashkëkohore, nga një dukuri e tillë nuk bëjnë përjashtim as disa vendbanime në Komunën e Ulqinit. Por, ishte konstatim i përgjithshëm se ndonëse këto vendbanime për këtë kohë janë pa banorë, ato nuk duhet të fshihen nga regjistri i vendbanimeve, sepse ish-banorët aty kanë shtëpitë dhe pronat e tyre. Një qëndrim i tillë ishte me vend, sepse në të ardhmen mund të ndodhë që të ketë rikthim të ish-banorëve, apo vendosjes së të tjerëve në to. Pasi ata vazhdojnë të jenë pronarë legjitimë, çështje kjo e cila nuk mund të eliminohet me asnjë vendim administrativ, u vendos që të jenë pjesë e regjistrit të përgjithshëm të vendbanimeve në Komunën e Ulqinit.
Duke marrë parasysh së në Statutin e Komunës së Ulqinit ekzistonin të evidentuara 39 vendbanime, në cilësinë e këshilltarit të FORCËS, në seancën e Kuvendit të komunës paraqita propozimin me datën 13.4.2011, duke i shtuar numrit ekzistues edhe katër vendbanime të tjera: Selita, Gjonza, Kravari i Poshtëm dhe Rashtisha e Poshtme. Propozimi im pas arsyetimit u miratua njëzëri nga këshilltarët dhe më pas u bë pjesë e Statutit të Komunës së Ulqinit, përkatësisht neni nr.8 (Gazeta Zyrtare e MZ nr.16/11).
Por, pasi ditë më parë nga Shërbimi i Kuvendit arriti akti për Vendimin e caktimit të emrave të vendbanimeve në territorin e Komunës së Ulqinit, në lidhje me këtë çështje Këshilli për propozimin e emërtimeve të rrugëve, shesheve dhe institucioneve në Komunën e Ulqinit, mbajti mbledhje me datën 30.5.2016. Pas një diskutimi konstruktiv nga pjesëmarrësit, me shumicë votash u miratua propozimi që regjistrit ekzistues ti shtohen edhe shtatë vendbanime të tjera: Amulli i Poshtëm, Bore, Gaçi, Suma, Kodra e Dakajve, Zenelaj dhe Zheji.
Ndërsa në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Ulqinit të mbajtur një ditë më pas, pra me 31.5.2016, gjatë diskutimit për këtë pikë të rendit të ditës, duke arsyetuar propozimin e Këshillit, ceka se asnjë regjistër nuk është i përkryer andaj çdo propozim, apo vërejtje është e mirëseardhur, kështu që ftova këshilltarët të marrin pjesë në diskutim për këtë çështje. Në diskutim morën pjesë disa këshilltarë, duke paraqitur pikëpamjet e tyre si për numrin e po ashtu edhe për drejtshkrimin e emërtimeve në gjuhën shqipe dhe atë malazeze. Kështu nga këshilltarët u propozua që regjistrit ti shtohet edhe vendbanimi i Lulajve, që u miratua njëzëri nga këshilltarët, duke qenë vendbanimi i 51-të në regjistrin e vendbanimeve në Komunën e Ulqinit. Madje, duhet thënë se një vendbanim i tillë në Anë të Malit, ka vlera të veçanta etno-kulturore dhe historike, pothuaj si asnjë vendbanim tjetër në këtë krahinë.
Forma e folur dhe forma e shkruar e emërtimeve
Duke marrë parasysh së emërtimet e toponimeve paraqesin vlera gjuhësore dhe historike, duhet të kemi kujdes në shënimin e tyre në formën origjinale, ashtu si i shqipton popullata vendore. Por, duke marrë parasysh formën e shkruar të tyre, deri më tash në tabelat rrugore, duhet bërë çmos që ato gabime të mos përsëritën edhe në të ardhmen. Kështu p.sh. kemi të shkruar Rashtisha e Epërme, që nuk përkon me realitetin, sepse popullata vendore e quan Rashtisha e Naltë, apo e Sipërme, e jo e Epërme! Në mënyrë identike është shkruar edhe Kllezna e Epërme, ne vend të Kllezna e Naltë, apo e Sipërme.
Dukuria e përkthimit të emërtimeve
Përkthimi i toponimeve nuk është dukuri e re dhe e panjohur edhe në ketë mjedis, që dëshmohet me deformime dhe kalke të ndryshme qe janë të panevojshme. Është dukuri e njohur dhe e pranueshme në vendet demokratike, që toponimet shënohen në formën e të folmes sipas popullsisë vendore. Por, në Komunën e Ulqinit kemi dublete si Mali i Bardhë-Bijela Gora, Mali i Brisë-Briska Gora, apo forma e dubletes Katërkollë-Vlladimir, Millë-Mide etj. Por, më i çuditshëm është përkthimi i emrit personal, ku Gjergji na del Gjorgje, si p.sh. rasti i Shën Gjergjit në Sveti Gjorgje, apo Shën Kolli në Sveti Nikolla. Një dukuri e tillë është për çdo kritikë, sepse për raste të tilla forma me e pranuar është ajo e transkripsionit, duke qenë më afër emërtimit përkatës, duke çmuar formën burimore në të folur dhe në të shkruar. Në rastin konkret nuk paraqet problem transkripsioni i shkronjave, sepse të tillat ekzistojnë edhe në gjuhën sllave, por problemi është i natyrës jashtëgjuhësore i diktuar nga faktori politik dekada me radhë, duke deformuar emërtimet përkatëse, përmes kalkeve apo dubleteve të panevojshme.
Emërtimet ndërkombëtare nuk përkthehen
Rasti i tillë është për hulumtim që dëshmon në formën më praktike asimilimin, sepse emrat askund nuk përkthen apo deformohen, por shkruhen ashtu siç janë në përdorim nga popullata përkatëse. Fjala vjen, nuk përkthehet San Francisko, San Marino, San Remo, San Diego, San Hose, Sankt Peterburg sipas dëshirës së individëve apo administratorëve të ndryshëm, por shënohen si të tillë dhe nuk paraqesin pengesë për komunikim. Madje një veprim i tillë është obligim ndërkombëtar sipas rezolutës së OKB-së në lidhje me standardizimin e emërtimeve gjeografike (Gjenevë, 1967). Sepse, emërtimi i standardizuar është ai emërtim i cili është pranuar nga organet kompetente dhe ashtu në mënyrë unike shfrytëzohet në atë hapësirë gjuhësore.
Është çështje tjetër qasja subjektive, apo veprimi i qëllimshëm, për të deformuar toponimin përkatës i cili i takon arealit gjuhësor dhe kulturor të një popullsie tjetër, ku raste të tilla në ish-Jugosllavi ka pasur mjaft e as Mali i Zi nuk ka mundur të jetë përjashtim. Forma e shkruar në harta apo në aktet e administratës lokale paraqet gjendjen praktike të barazisë gjuhësore, e me këtë edhe kombëtare të popullsisë përkatëse në një mjedis të caktuar. Në lidhje me këtë çështje viset dhe vendbanimet shqiptare në Mal të Zi, paraqesin rast tipik për hulumtim jo vetëm gjuhësor, sepse përmes tyre paraqitet në mënyrë praktike pozita dhe statusi i shqiptarëve në këtë mjedis.
Forma e folur dhe e shkruar
Edhe pse kemi të bëjmë me një territor relativisht të vogël sikurse është Ana e Malit, ka ndryshime gjuhësore lokale, sepse varësisht prej vendbanimit ka forma të ndryshme të të folurit, andaj del se kemi formën e folur dhe formën e shkruar të emërtimit të vendbanimit. Kështu për lart thuhet nalt, përkatësisht forma lokale nelt, por edhe sipër. Ndërsa në këtë aspekt në Krajë thuhet ana e sipërme dhe ana e poshtme, që varet kryesisht nga aspekti relievor i kësaj krahine.
Duhet të konsultohet popullsia vendore
Ne lidhje me përcaktimin e territorit dhe të emërtimit të vendbanimeve, del se popullsinë vendore nuk e ka konsultuar askush nga ata të cilët kanë vendosur emërtimet në tabelat rrugore. Andaj në këtë aspekt Ndërmarrja e rrugëve e cila ka ndërtuar rrugën dhe ka vendosur tabelat rrugore e ka obligim të bëjë përmirësimin e tyre, sikurse i emërton popullsia vendore. Në lidhje me këtë çështje dua të ceki se administrata lokale e Ulqinit në lidhje me vendbanimet Lisna dhe Bore, vazhdimisht i ka paraqitur si një vendbanim Lisna-Bore, që nuk përkon me gjendjen reale, sepse janë dy vendbanime të ndryshme.
Madje, shikuar historikisht vendbanimi Lisën është më i vjetër, ndërsa Bore shumë i ri dhe me një shpërndarje hapësinore më të gjerë. Këtu si duket si kriter administrativ është marrë komuna kadastrale, andaj me këtë rast në regjistër i kemi evidentuar si dy vendbanime të veçanta: Lisën dhe Bore duke eliminuar një padrejtësi disa vjeçare.
