Shifra alarmante

Për sa kohë që vazhdojmë t’i numërojmë femicidet por nuk arrijmë t’i parandalojmë ato, rajoni ka arsye për t’u shqetësuar

A.M. Perkaj

Dy femicide në Mal të Zi brenda 48 orëve, në fund të muajit maj, shkaktuan shqetësim të madh në opinionin publik. Dy gra u vranë në një periudhë shumë të shkurtër, në raste të ndara që hapin sërish pyetjen se sa e aftë është shoqëria të njohë dhe të ndalojë dhunën para se ajo të shndërrohet në tragjedi.
Çfarë është femicidi?
Femicidi është vrasja e femrës, e lidhur me gjininë e saj, më së shpeshti nga partneri aktual ose ish-partneri, bashkëshorti ose një anëtar tjetër i familjes.
Femicidi nuk është e njëjta gjë me dhunën në familje. Dhuna në familje është një nocion më i gjerë dhe mund të përfshijë: dhunë fizike, dhunë psikologjike, dhunë seksuale, dhunë ekonomike, kërcënime dhe përndjekje dhe nuk është e domosdoshme të përfundojë me vrasje.
Shumë femicide i kanë rrënjët në dhunën afatgjatë familjare ose në marrëdhëniet e partneritetit, por çdo rast i dhunës në familje nuk përfundon si femicid. Femicidi përfaqëson pasojën e tij më të rëndë të mundshme.
Në debatet profesionale dhe juridike ekzistojnë gjithashtu përkufizime të ndryshme. Disa përdorin një përkufizim më të ngushtë (vrasja e femrēs nga partneri ose familja), ndërsa të tjerë, një më të gjerë (çdo vrasje e femrēs e motivuar nga urrejtja, dominimi ose diskriminimi ndaj grave). Prandaj edhe statistikat ndonjëherë ndryshojnë varēsisht nga vendi.

Krahasim i përafërt për Malin e Zi, Shqipërinë dhe Kosovën
Mali i Zi – 16-19 femicide në 5-7 vitet e fundit (varësisht nga metodologjia e përdorur).
Shqipëria – Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit të Shqipërisë dhe Observatorit të Femicidit, në katër vitet e fundit janë vrarë 37 gra dhe vajza, prej të cilave 27 raste janë vlerësuar si femicide.
Vetëm gjatë periudhës 2021-2023 janë regjistruar 32 vrasje të grave dhe vajzave, prej të cilave 24 janë klasifikuar si femicide.
Sipas të dhënave të aktivistëve, gjatë dekadës së fundit janë vrarë më shumë se 150 gra dhe vajza. Për një vend me rreth 2.7 milionë banorë, ky është një problem serioz.
Kosova – Për Kosovën nuk ka statistika të unifikuara dhe të publikuara rregullisht. Megjithatë, vitet e fundit disa raste të vrasjeve të grave nga bashkëshortët ose partnerët e tyre kanë shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe në institucionet shtetërore.
Në vitin 2024, presidentja Vjosa Osmani shpalli ditë zie kombëtare pas një sërë femicidesh që tronditën vendin.
Në fund, për sa kohë që vazhdojmë t’i numërojmë femicidet por nuk arrijmë t’i parandalojmë ato, rajoni ka arsye për t’u shqetësuar.

Të fundit

më të lexuarat