
Deklarata e Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq se nuk do të marrë pjesë në festimet me rastin e shënimit të 20-vjetorit të Pavarësisë së Malit të Zi, me arsyetimin se “nëse do të festoja diçka të tillë, do të turpërohesha dhe do të pështyja në fytyrë veten dhe popullin tim”, ka zbuluar edhe një herë hapur qëndrimin e tij dhe të politikës zyrtare të Serbisë ndaj pavarësisë së Malit të Zi.
Edhe pse Serbia e ka njohur shtetin e Malit të Zi dhe ka lidhur marrëdhënie diplomatike me të, politika e saj zyrtare akoma nuk mund ta përpijë këtë fakt historik. Në fakt, Vuçiqi nuk ka thënë asgjë të re, por ka pranuar atë që mendon realisht. Me gjuhën e përdorur, ai thjesht ka dalë jashtë fjalorit diplomatik.
Vuçiqi e konsideron Malin e Zi pjesë të Botës Serbe. Prandaj janë të kota argumentimet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi se ai (Mali i Zi) nuk është ndarë nga Serbia! Sepse edhe në kohën e krijimit dhe ekzistencës së krijesave shtetërore artificiale jetëshkurtra, si Federata Jugosllave dhe Unioni Serbi-Mali i Zi, dihej qartë se kjo i shërbente Serbisë vetëm për ta paraqitur veten si trashëgimtare të ish-Jugosllavisë.
Vuçiqi personifikon politikën nacionalshoviniste të Sllobodan Millosheviqit dhe pasardhësve të tij. Politika e tij hegjemoniste në vazhdimësi synon të prodhojë kriza në Mal të Zi, duke përdorur elementin proserb – partitë politike proserbe në Mal të Zi dhe Kishën Ortodokse Serbe. Në këtë synim të tij, Vuçiqi deri diku edhe ia ka arritur qëllimit duke rrëzuar nga pushteti në vitin 2020 forcat pro pavarësisë së Malit të Zi dhe duke sjellë në pushtet partitë proserbe, të cilat megjithëse janë në pushtet, në nivel qendror dhe në nivel lokal në disa komuna, veprojnë hapur në kundërshtim me politikën zyrtare të Malit të Zi. Rasti i fundit është ai i Kuvendit të Komunës së Zetës, i cili ka miratuar një deklaratë politike me të cilën gjoja është shfuqizuar vendimi i Kuvendit të Malit të Zi për njohjen e Kosovës, në territorin e kësaj komune.
Të gjithë qytetarët dhe pushtetarët që mbështesin pavarësinë e Malit të Zi duhen ta kenë të qartë tashmë se kush janë armiqtë e pavarësisë së Malit të Zi dhe kush e rrezikon shtetësinë e tij. Prandaj, ashtu si dhe pavarësia e Kosovës, edhe pavarësia e Malit të Zi nuk duhet të merret si një projekt i kryer, derisa ekzistojnë forca të brendshme dhe të jashtme që luftojnë kundër pavarësisë së tij. Për më tepër, e kaluara e Malit të Zi është dëshmia më e mirë për një frikë të tillë.
