Gjithmonë është jetuar për dy gishta fytyrë

Anton Gjuravçaj

BREZI I BINJAKËVE

Historia rri
dhe në heshtje plagët i numëron
në fund del
bilanc marramendës
se sa ka marrë prej të huajve
po aq ka marrë prej nesh
krahësh qetë kështjellën
që nuk e ndërtuam ne
por të parët tanë
e dimë se i sillem rrotull
vetëm për të vjedhur ndonjë gur
edhe pse mirë e saktë
i kemi ndarë vëllazëritë… shtëpitë
si dymbëdhjetë fiset e Izraelit
e përsëri na paraqitet fenomeni i dollarit
dhe ndarja që shkaktoi
në njeri dhe dollarnjeri
në libër dhe dollarlibër
hero dhe dollarhero
në patriot dhe dollarpatriot…
dhe kështu pa fund përditësim normal
bota e civilizuar fjalën dollar para çdo emri
e kupton si varfëri… mungesë
uri e pangopur për ta përpirë realitetin
lojë symbyllur me shkencën…
një ditë kur të kuptohet rëndësia e së vërtetës
këta emra të deformuar
do të bien përtokë
me zhurmën e frytit të kalbur…

CONDITIO SINE QUA N0N

Në një vitrazh
me motive ferri
të engjëjve të rënë
paraqitet lëpirja e politikanëve me intelektualë
të parët
me sukses shesin pupagjela
fara kungulli…
në tubime zyrtare
të dytët
kërkojnë markë postare
që të fshihen prej shkrumbit

si kopsa fustani
renditën shqytarët
braktisin kohën
me mision…
kur emërorja shndërrohet në dhanore

në të çarat e civilizimeve
relativizmi është rruga
e kompromisi frymëmarrja
poshtëruesi
dhe i poshtëruari
njëqind herë në ditë
përqafohen me dashuri “vëllazërore”
dhe shtrijnë dorën si lypësit
për një duartrokitje

në çarjet e civilizimit
si në çarjet e fytyrës
kot ngritet kryet drejt qiellit
që të shihet Zoti
Gëte ka lëshuar langonjtë e vet
faustat
apo kjo kohë antologjike e shqytarëve
është mallkimi i Servantesit
që s’e dëgjoi emrin Arbër
apo shqiptar

PËR TANGO NEVOJITEN TRE

Vjen me lulen e parë
e ik me dallëndyshen e fundit
me ty edhe shtrati i mëkateve tona

prej vesës së mëngjesit
gjinjtë
e flokët e gjatë
vazhdojnë të më kullojnë në zemër
derisa bindi veten se ke bel tepër të hollë
për dymbëdhjetë muajt e vitit
kuptoj se do ta ruash elegancën dhe flladin
e hapit tënd

lexoj shkrimet e veta
origjinali e ka vendin në muze… nuk të falet
në kohën kur njerëzit kanë tepricë fytyrash
ujditë i zhveshin lëkurat
frika dhe pasuria në kurrizin e huaj
janë motra
disa gjëra mund të thithen
vetëm me tëmblin e nënës

falënderoj Zotin që nuk jam një si ata
që i mbathin
këpucët me kallëp të caktuar
u duket nder…
që ecin duke u lëkundur në dy anë
si pinguinët
duke u munduar të fshehin
dhimbjen dhe përkatësinë
në të njëjtën kohë

gjithmonë është jetuar për dy gishta fytyrë
po tani
tre gishta i shkoqin prej fytyrës
dhe i zëvendësojnë me arna
që vazhdojnë t’u lindin në prag
si maje bjeshkësh i çojnë përpjetë
vendosin për fatin tonë…
mund të jetë edhe për stinët
lulet… dallëndyshet…
vetëm agimi
mund të na e sjellë llogarinë

VITET ME SAMAR

Shëtisin fajin si një kopil
nëpër oborret e huaja
e prej territ
mundohen të gdhendin meritën
në botën e mëkatit kjo do të quhej shpifje
historia te ne shumë fjalë i ka varrosur
pa epitaf
duke ngatërruar veten me varrmihës
në shkallën më të lartë të dehjes
perceptimi në këtë nënqiell
monizmin e paraqet me shkop
e pluralizmin me shkop e karotë
asgjë më shumë
më pak asgjë
gjithkush ik prej pyetjes së vërtetë
ka forcën e rrufesë
mediat si morri gjithmonë në një lëkurë
mund të formojnë partinë e eterit
dhe të zgjedhin koalicion
të shkojnë në pushim mjekësor katërvjeçar
apo të shndërrohen në postë private…
njerëzit me gojë plot art
krijojnë plagë
birësohen dhe e shfuqizojnë birësimin
sipas ndërrimeve të hënës
në zbrazësinë e fjalës
dinjitetit

në vendin ku kujtesa harron
haptazi
e harresa kujton
fshehtazi
ata që u lidhën me mish e shpirt
për çdo kohë
ngulen si një trung me rrënjë të kalbura
në çfarëdo arë…
pa ditur se çka është trishtimi
bijtë e anës së errët të mbijetesës

përsëri e vrapojnë maratonën e vet
ushtruar me logjikën e fituesve
që gjithmonë vijnë pas përfundimit të ngjarjeve

…keq është
kur krejt paratë e botës
të lënë përsëri vetëm sapun
që për të lëvizur
duhet dora e huaj mbi ty…

Të fundit

më të lexuarat