Diploma pa dije dhe politika mbi meritën

Në vend të meritës dhe profesionalizmit, sot shpesh vendos përkatësia politike. Kjo është një ndër sëmundjet më të rënda të shoqërisë sonë. Nëse i shërben partisë, puna të sigurohet më shpejt. Nëse nuk je pjesë e strukturave politike, edhe diploma e fituar me mund, madje edhe me sukses të shkëlqyer, shpesh mbetet pa vlerë praktike. Të rinjtë që kanë investuar vite të tëra në arsimim ndihen të zhgënjyer kur shohin se vende pune fitojnë njerëz më pak të aftë, por më të lidhur politikisht

Gjekë Gjonaj

Vitet e tranzicionit sollën ndryshime të mëdha politike, ekonomike dhe shoqërore në jetën e shqiptarëve. Bashkë me lirinë, pluralizmin dhe hapjen ndaj botës, erdhën edhe shumë dukuri negative që me kalimin e kohës u shndërruan në plagë të thella të shoqërisë sonë. Njëra ndër më shqetësueset është pa dyshim zhvlerësimi i dijes, i meritës dhe i profesionalizmit.
Sot jetojmë në një kohë paradoksale: kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë njerëz me diploma universitare, por njëkohësisht kurrë më parë nuk është vërejtur kaq shumë mungesë profesionalizmi dhe dijeje në jetën institucionale e publike. Në pamje të parë duket sikur kemi një shoqëri të arsimuar, por realiteti shpesh dëshmon të kundërtën. Në shumë raste diploma është kthyer në një letër formale, që shërben më shumë për prestigj personal apo për punësim politik, sesa si dëshmi e dijes dhe e aftësive profesionale.
Dikur shkollimi konsiderohej një mision fisnik. Familjet shqiptare sakrifikonin shumë që fëmijët e tyre të ndiqnin shkollën. Nxënësi dhe studenti respektoheshin për mundin dhe dijen. Profesorët kishin autoritet moral e profesional, ndërsa diploma fitohej me sakrifica të mëdha. Për të përfunduar studimet duhej disiplinë, përkushtim dhe net të tëra mbi libra. Sot, fatkeqësisht, ky kuptim i arsimit është zbehur dukshëm.
Në shumë raste, diploma nuk fitohet më me dije, por me para, me lidhje dhe me ndërhyrje të ndryshme. Nuk janë të pakta rastet kur studentët i kalojnë provimet pa njohuri të mjaftueshme, ndërsa disa institucione arsimore janë shndërruar në “fabrika diplomash”. Populli ynë me të drejtë thotë: “Pa e nxehur stolin”. Kjo shprehje sot dëgjohet më shpesh se kurrë, sepse shumëkush arrin tituj akademikë pa kaluar rrugën normale të dijes dhe përgatitjes.
Një pjesë e të rinjve fakultetin e kryejnë në afate shumë të zgjatura, dhjetë e më shumë vite, por as kjo nuk përbën pengesë për punësim. Shpesh nuk ka rëndësi se çfarë di, sa je përgatitur apo sa je aftësuar profesionalisht. Mjafton të jesh afër një partie politike, të kesh mbështetje nga ndonjë funksionar apo të jesh militant i bindur. Atëherë rruga përpara bëhet më e lehtë.
Në vend të meritës dhe profesionalizmit, sot shpesh vendos përkatësia politike. Kjo është një ndër sëmundjet më të rënda të shoqërisë sonë. Nëse i shërben partisë, puna të sigurohet më shpejt. Nëse nuk je pjesë e strukturave politike, edhe diploma e fituar me mund, madje edhe me sukses të shkëlqyer, shpesh mbetet pa vlerë praktike. Të rinjtë që kanë investuar vite të tëra në arsimim ndihen të zhgënjyer kur shohin se vende pune fitojnë njerëz më pak të aftë, por më të lidhur politikisht.
Kështu krijohet një padrejtësi e madhe shoqërore. Përparësi nuk ka më dijetari, profesionisti apo njeriu i ndershëm, por servili politik dhe militanti partiak. Kjo gjendje ka prodhuar një administratë të dobët dhe institucione joefikase. Në shumë raste, poste me rëndësi u besohen njerëzve pa përgatitjen e duhur profesionale. Juristi mbulon punën e ekonomistit, ekonomisti ndërhyn në çështje të arsimit, inxhinieri i ndërtimtarisë merret me politikë, inxhinieri i bujqësisë kryen detyrën e ekologut, farmacisti drejton kulturën, ndërsa specialistë të fushave krejt të tjera udhëheqin sektorë për të cilët nuk i kanë njohuritë e nevojshme.
Këta njerëz, të emëruar jo mbi bazën e meritës por të interesave politike, krijojnë përshtypjen sikur dinë gjithçka. Në realitet, shpesh nuk zotërojnë si duhet as profesionin që ua dëshmon diploma. Pasojat e kësaj dukurie janë të shumta: vendime të gabuara, mungesë përgjegjësie, dobësim i institucioneve dhe ngecje në zhvillimin ekonomik e shoqëror.
Në një shtet normal dhe demokratik, institucionet ndërtohen mbi profesionalizmin dhe konkurrencën e ndershme. Vendet e punës u takojnë më të aftëve. Në shoqërinë tonë, fatkeqësisht, shpesh ndodh e kundërta. Kjo ka bërë që shumë të rinj të humbin besimin te drejtësia dhe te perspektiva në vendin e vet.
Pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj gjendjeje është largimi masiv i inteligjencës shqiptare. Të rinjtë më të aftë, më të përgatitur dhe më ambiciozë nuk gjejnë hapësirën e merituar në vendin e tyre. Ata detyrohen të largohen drejt vendeve perëndimore, ku puna dhe dija vlerësohen më shumë se libreza partiake. Atje ata gjejnë mundësi zhvillimi profesional, kushte më të mira jetese dhe respekt për aftësitë e tyre.
Kjo ikje e trurit është një humbje e madhe kombëtare. Shoqëria jonë humb njerëzit më të përgatitur, ata që mund të sillnin zhvillim, ide të reja dhe përparim. Është tragjike kur një shtet investon në arsimimin e të rinjve, ndërsa frytet e atij investimi i përfitojnë vendet e tjera. Ndërkohë, vendin e tyre e zënë njerëz pa përgatitje të mjaftueshme, të cilët shpesh e shohin postin vetëm si privilegj personal dhe jo si përgjegjësi ndaj qytetarëve. Kështu krijohet një rreth vicioz: paaftësia prodhon paaftësi, mediokriteti ushqen mediokritetin dhe politika vazhdon të dominojë mbi meritën.
Një tjetër problem është se kjo dukuri po ndikon negativisht edhe te brezat e rinj. Kur një i ri sheh se puna dhe dija nuk vlerësohen, ai humb motivimin për të studiuar seriozisht. Në vend të dijes, ai kërkon lidhje; në vend të përkushtimit, mbështetje politike; në vend të konkurrencës së ndershme, rrugë të shkurtra për sukses. Kjo është tepër e rrezikshme për të ardhmen e kombit.
Asnjë shoqëri nuk mund ta ndërtojë të ardhmen mbi diplomën pa dije, mbi politikën pa moral dhe mbi pushtetin pa profesionalizëm. Një shtet serioz kërkon institucione të forta, njerëz kompetentë dhe respekt për meritën. Vetëm atëherë mund të ndërtohet një administratë efikase dhe një shoqëri me perspektivë. Prandaj është koha që shoqëria jonë të reflektojë seriozisht. Arsimi duhet të rikthehet në tempull të dijes dhe jo në treg diplomash. Punësimi duhet të bazohet në meritë dhe profesionalizëm, jo në përkatësi politike. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndalet largimi i inteligjencës dhe të rikthehet besimi i qytetarëve te shteti dhe institucionet.
Nëse vazhdohet me këtë logjikë të mbrapshtë, do të kemi gjithnjë e më shumë diploma, por më pak dije; më shumë poste, por më pak profesionalizëm; më shumë institucione, por më pak shtet dhe të rinj pa shpresë në vendin e tyre. Dhe kjo është një nga fatkeqësitë më të mëdha që mund t’i ndodhë një kombi.

Të fundit

më të lexuarat