Vapori i shpejtë në Ulqin

Mbaj mend se anija ka mbërritur në orën dy pasdite dhe menjëherë në orën tre është kthyer mbrapa për Tivar dhe qytetet tjera bregdetare të Malit të Zi. Pastaj ka vazhduar për Dubrovnik, Split, Rijekë. Ka qenë një ndodhi e përditshme për të gjithë qytetin. Në Molin e Madh janë tubuar të gjithë - të rinjtë dhe më të moshuarit. Në bedenat e Kalasë kanë dalë gratë

Pas Luftës II Botërore
Para dhe gjatë luftës, barkat (anijet) ulqinake mbeten në limanet në Shqipëri ose ish-Jugosllavi. Disa humbën, disa u konfiskuan.
U formua Kooperativa e Peshkaxhinjve në Ranë, e cila ka pasur flluga për peshkim. Shpejt erdhën edhe barkat e vogla me motor, të cilat i kanë tërhequr fllugat deri në Plazhin e Madh dhe në Bunë. U ble edhe leuti i parë. Po ashtu edhe anija e njohur “Sllani” ishte pronë e Kooperativës. Babai im ishte kapidan në barkën “Sllani”. Motorist ka qenë djaloshi i ri, Hashim Dervishi.
Disa vjet më vonë u blenë edhe disa barka private për transportin e mallit nëpër bregdet, prej Bunës deri në Tivar, Bokë të Kotorrit, e nganjëherë edhe deri në Dubrovnik. Këto barka ishin: “Suka”, “Mendra”, barka e familjes Kroma dhe dy barkat e familjes Kapllanbegu dhe Ismajlaga – “Sillni” dhe “Llubnica”, si dhe dy lundra me gjatësi deri në 15 metra: “Carev Llaz” dhe “Zhablak”.

Viti 2014
Ishte ditë e premte, ditë pazari. Duke ecur takova zonjën Nevenka Mashanoviq. Pasi u përshëndetëm, filluam bisedën. I thashë: “Më kujtohet kur në dekadën e gjashtë-shtatë vinte ‘Brza Pruga’ (Vapori i shpejtë). Atëherë ke qenë vajzë e re, e bukur dhe bashkë me një shoqe çdo ditë ke dalë në Mol të Madh për të pritur Brza Prugën”.
I fola, sepse më kujtohet edhe babai i saj, Ilija, i cili ka punuar në librari, si dhe vëllezërit Pavle, drejtor i Muzeut, dhe Milloja, i cili punonte në sipërmarrjen “Neptun”.
Kur mbërritëm deri te pazari, Nevenka, sot e moshuar, më tha: “Sot ma keni zbukuruar ditën!”

Udhëtimi me vapor
Pas përfundimit të shkollës së mesme për infermieri, gjatë muajve të verës u punësova në Organizatën Turistike, në sektorin e kontrollit të turistëve, me disa pensionistë (Idriz Tula, Vaso Dragoviq, Pero Kallugjeroviq). Kështu i kam fituar të hollat për fillimin e shkollimit në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Beogradit.
Në atë kohë, anija ishte komunikacioni më i mirë dhe filloi ardhja e turistëve, më së shumti nga Bosnja e Hercegovina dhe nga Serbia. Turistë nga Kosova ka pasur shumë pak. Ka pasur edhe turistë të huaj, të cilët akomodoheshin në hotelet e atëhershëm: “Galeb”, ”Jadran”, “Republika”. Hotelet tjerë në Ulqin janë ndërtuar më vonë.
Mbaj mend se anija ka mbërritur në orën dy pasdite dhe menjëherë në orën tre është kthyer mbrapa për Tivar dhe qytetet tjera bregdetare të Malit të Zi. Pastaj ka vazhduar për Dubrovnik, Split, Rijekë.
Ka qenë një ndodhi e përditshme për të gjithë qytetin. Në Molin e Madh janë tubuar të gjithë – të rinjtë dhe më të moshuarit. Në bedenat e Kalasë kanë dalë gratë.
Në këtë vend janë përcjellë të rinjtë që kanë shkuar në shërbimin ushtarak. Nganjëherë edhe nxënësit dhe studentët, apo edhe ndonjë vajzë që është martuar në Sarajevë ose në ndonjë vend tjetër.
Agjencia për shitjen e biletave ka qenë në Ranë, në lokalet e ish-Neptunit. E mora biletën dhe hyra në anijen “Novi Sad”. Ka pasur tetë anije gjithsej, me emra të qyteteve (“Maribor”, “Osijek”, “Novi Sad”, “Mostar”) dhe të shkrimtarëve (“Aleksa Shantiq”, “Ivan Cankar”, “Vlladimir Nazor”, “Njegosh”). U vendosa në pjesën e parë (në bash të anijes), në klasin II. Në mëngjes anija mbërriti në Split. Pastaj vazhdova me tren deri në Zagreb…

Në bedenat e Kalasë
Vapori mbërriti dhe u gastua (u lidh) në mol. Filluan të dalin udhëtarët. Ndërmjet tyre ishte edhe një djalë i ri. Nusja, e cila ishte në beden duke shikuar vaporin, kërceu prej shendit (gëzimit).

  • Erdhi Xhemali jem! – tha.
    Një grua në moshë, i tha: Merre vedin me t’mirë!
    Por ajo vrapoi dhe i doli burrit para te Porta e Kalasë.

Në spital me vapor
Ishte viti 1958. Atëherë isha 12 vjeç. Me vëllaun Shyqyriun – Çylin shkuam me vapor deri në Tivar. Prej molit të Tivarit me autobus deri në spital. Pas dy ditëve u operova prej zorrës së keqe te dr. Ivana Jovanoviq, kirurge.

Të fundit

më të lexuarat