Shtëpia që ndërtoi civilizim

“Gjatë hulumtimit në terren kam konstatuar se shtëpitë tradicionale shqiptare të Krajës nuk ishin thjesht vend banimi. Ato ishin monumente kulturore, institucione familjare, kështjella vlerash, kulla të fortifikuara. Me një fjalë, ishin shkolla ku mësoheshin parimet - besa, nderi, mikpritja, burrëria, respekti ndaj familjes, fisit, kombit”, ka theksuar autori i projektit Arben Berjashi, duke konkluduar se “shtëpia ishte gurthemeli mbi të cilin u ngrit civilizimi ynë”

Në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin, të shtunën mbrëma (16 maj 2026) është organizuar një aktivitet kulturor në fokus të të cilit ka qenë trashëgimia kulturore e Krajës.
Autori i projektit “Shtëpia që ndërtoi civilizim”, Arben Berjashi, ka thënë se ky projekt është një thirrje për të gjithë ne që këto artefakte – objekte etnografike, relikte, dokumente arkivore të mos i shohim si barrë, por t’i shohim si pasuri të cilat jemi të detyruar t’i mbrojmë dhe t’ua përcjellim brezave të ardhshëm.
Ai ka thënë se gjatë hulumtimit në terren ka konstatuar se shtëpitë tradicionale shqiptare të Krajës nuk ishin thjesht vend banimi.
“Ato ishin monumente kulturore, institucione familjare, kështjella vlerash, kulla të fortifikuara. Me një fjalë, ishin shkolla ku mësoheshin parimet – besa, nderi, mikpritja, burrëria, respekti ndaj familjes, fisit, kombit”, ka theksuar Berjashi, duke konkluduar se “shtëpia ishte gurthemeli mbi të cilin u ngrit civilizimi ynë”.
Ndër elementet kryesore të shtëpisë tradicionale, ai ka zgjedhur për të prezantuar katër prej tyre: ahurin dhe votrën, të cilat i përkasin trashëgimisë kulturore të paluajtshme, si dhe arkën dhe tezgjahun, që i përkasin trashëgimisë kulturore të luajtshme.
“Nëse ka gjëra që meritojnë të ruhen, janë këto gjëra – arka dhe tezgjahu, të cilat duhet t’i mbajmë, t’i konservojmë me fanatizëm. Ruajtja e trashëgimisë është ruajtja e vetes sonë”, ka thënë ndër të tjera Berjashi.
Për rëndësinë, rolin dhe funksionin e këtyre objekteve të trashëgimisë kulturore kanë folur Ali Gjeçbritaj, Fiqret Mujeziqi dhe Gazmend Çitaku.
Duke folur për rolin dhe funksionin e tezgjahut, mësimdhënësi dhe poeti Ali Gjeçbritaj ka thënë se ai është një vegël apo pajisje e thurjes së ndryshme, me të cilën punohet me dorë dhe me këmbë.
“Një tezgjah është pajisje që përdoret për të endur pëlhurë, sixhade dhe qilima. Qëllimi themelor i çdo tezgjahu është që të mbajë fijet e dekorimit nën tension për të lehtësuar gërshetimin e fijeve… Forma e saktë e tezgjahut dhe mekanika e tij mund të ndryshojnë, por funksioni bazë është i njëjtë”, ka thënë ai.
Sipas Gjeçbritajt, përdorimi i kësaj vegle për punimin e endjes është shumë i hershëm.
“Tezgjahu ka qenë mjeti kryesor që është përdorur për punimin e pëlhurës, nga e cila qepeshin veshjet, sidomos këmishat, bohçet dhe veshjet tjera të grave, pastaj mësallat, havlitë etj. Në tezgjah janë punuar edhe pëlhurat e leshta, nga të cilat punoheshin qilima, bohçe të leshit, struga etj.”, ka thënë ai, duke përmendur edhe elementet e tezgjahut.
Ndërkaq poeti Fiqret Mujeziqi ka folur për votrën, si një ndër katër elementet themelore të shtëpisë tradicionale të Krajës.
“Votra (vatra) ishte një element kryesor në shtëpitë e krajanëve, por edhe i shqiptarëve më gjerë. Për të mos thënë që ishte elementi më i rëndësishëm, sepse aty mblidhej familja, bisedohej, gatuhej, ngrohej etj.”, ka thënë ai, duke numëruar elementet e votrës.
Përpos funksionit të saj parësor, votra sipas Mujeziqit fitoi me kohë edhe një rol tjetër simbolik.
“Njerëzit filluan të besojnë se votra është një vend i shenjtë dhe zjarrin nuk duhet shuar. Ka ndodhur që kanë ndërtuar shtëpi tjetër dhe e kanë marrë gacën nga ajo votër dhe e kanë përcjellë në shtëpinë e re”, është shprehur ai.
Krahas kësaj, votra shërbente edhe si një mjet besimi, sepse njerëzit betoheshin në votër. Po ashtu, votra ka pasur edhe një rëndësi tjetër – aty njerëzit kanë treguar edhe statusin e tyre social.
“Shpeshherë është thënë ‘derë e madhe’, ose ‘bij fisi, oxhakut’. Kjo ka një kuptim. Ai statusi social nuk është matur vetëm me pasuri, por edhe me kontributin e asaj votre në komunitet”, ka thënë Mujeziqi.
Gazmend Çitaku ka folur për arkën e nuses apo siç quhej ndryshe, arka e pajës.
“Arka nuk ishte një mobilie e thjeshtë, por ishte një mobilie shumë e rëndësishme për jetën e vajzës, sepse ajo simbolizonte kalimin nga një periudhë jetësore, domethënë nga vajzëria në nusëri. Sepse përmes arkës që merrte nusja më vete, mund të kuptoje shumëçka lidhur me statusin e saj social të mëparshëm. Për shembull, madhësia e arkës, dekori apo materiali që janë ndërtuar, ka qenë treguesi kryesor i statusit social të familjes së nuses”, ka thënë ai.
Çitaku ka treguar se arka është përdorur nga nusja për ruajtjen e gjërave të ndryshme, si qëndisjet, veshjet tradicionale, çarçafët, thurjet e ndryshme të cilat i ka përgatitur me vite të tëra.
Një fakt interesant, sipas tij, është se arka kishte gjithmonë një ndarje të vogël, të mbyllur brenda, si një lloj sirtari të fshehtë, ku nusja kishte mundësi që të mbante sendet më personale – ndonjë bizhuteri, ndonjë para që i jepnin si dhuratë etj.
Në vazhdim, Çitaku ka thënë se bazuar në hulumtimet dhe studimet e ndryshme rezulton se arka si mobilie te ne filloi të paraqitet nga mesi i shekullit XIX.
“Meqë ne i takojmë rajonit të Shkodrës, mund të themi se edhe numri më i madh i arkave vjen nga ky qytet dhe se dominon stili i ndërtimit me dekore dhe ngjyra nga ndikimi i artit venecian, gërshetuar me motive vendore”, ka thënë ai, duke shtuar se qendrat kryesore ku mund të tregtoheshin arkat ishin qendrat zejtare si Shkodra, Gjakova, Prizreni, Elbasani, Berati, Korça etj., por familjet e pasura, për vajzat e veta shpeshherë blinin arka edhe nga qendra të tjera, jashtë hapësirës shqiptare.
Moderatorja e aktivitetit, Ardita Rama, udhëheqëse e Bibliotekës së Qytetit në Ulqin, ka thënë në fjalën hyrëse se nuk jemi mbledhur vetëm për të parë objekte të së kaluarës apo për të dëgjuar kumtesa shkencore.
“Jemi këtu për të rikthyer në kujtesë një botë të tërë vlerash, zakonesh, mjeshtrish dhe simbolesh që kanë jetuar ndër breza në trojet e veta etnike të Krajës”, ka thënë ajo.
Duke folur për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore në kohën tonë, Rama ka thënë se “në një kohë kur globalizmi shpesh rrezikon të zbehë identitetet kombëtare e kulturore, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë bëhet një detyrim moral dhe kombëtar”.
Mbi rëndësinë e trashëgimisë arkitekturore, shtëpisë krajane dhe objekteve të ndryshme të trashëgimisë kanë folur dhe evokuar kujtime edhe disa pjesëmarrës të tjerë në këtë aktivitet.
Për të pranishmit është shfaqur edhe një film i shkurtër dokumentar dhe është ndarë një broshurë e vogël mbi shtëpinë krajane, ndërsa në galerinë e Qendrës së Kulturës ishin të ekspozuara tezgjahu dhe arka, kurse në fotografi ahuri dhe votra.
Aktiviteti është realizuar në kuadër të projektit të mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat