Nga “investim strategjik” në një skemë fitimi

Si u shndërrua projekti i marinës turistike në një kompleks ndërtimi të financuar nga qytetarët dhe blerësit shqiptarë, ndërsa risku dhe humbjet mbeten publike

Ola Xama

Durrës Yacht Marina u prezantua fillimisht si një nga investimet më të mëdha të huaja që do të realizoheshin në Shqipëri dhe se do ta transformonte qytetin e Durrësit në epiqendër të turizmit të jahteve në Evropë.
Kur kontrata me kompaninë private të familjes së Mohamed Alabbarit u miratua në Kuvendin e Shqipërisë, u kuptua qartë se ajo që ishte thënë nuk kishte lidhje me projektin që miratohej. Më shumë se sa marinë turistike (që planifikohet të ndërtohet në fund), portin më të rëndësishëm tregtar të vendit do ta zëvendësonte një projekt masiv ndërtimi me pallate dhe hotele.
Me një ndryshim: financimi nuk do të ishte i kompanisë me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, por i blerësve.
Në planin e biznesit, kompania merrte përsipër të investonte vetëm 6.8% të projektit (3.4% kredi nga banka) dhe pjesa dërrmuese e parave do të sigurohej nga lidhja e kontratave të parashitjes. Toka ku ndërtohej dhe taksa në infrastrukturë ishin kontribut i shtetit shqiptar që ka 33% në kompaninë Durrës Marina.
Në fund, pasi investonte 80 milionë euro para të saj, kompania Eagle Hills Real Estate Development planifikonte të fitonte 572 milionë euro, me një normë kthimi investimi 615 për qind! Pasi propaganda se paratë që do të financonin Durrës Marina ishin investime të huaja ra, në publik u shit fabula se projekti do të ishte ndër më të mirët sa i takon punimeve inxhinierike dhe arkitekturës, pasi vinte të ndërtonte firma e një prej drejtuesve të Emaar Group, kompani që kishte ndërtuar Burj Khalifa, Marina Dubai, Dubai Mall etj. Tashmë dhe kjo fasadë ra.
Projektimi është bërë nga kompani shqiptare dhe ndërtimin po e bëjnë po ata. Nga pesë godina që po ngrihen, dy janë fundosur me disa centimetra dhe rrezikojnë prishjen. Nëse i sheh bilancet e kompanisë Durrës Marina, mund të konstatosh shumë lehtë se vlera e punimeve për vitin 2023 dhe 2024 është 41 milionë euro, nga të cilat investimi i kompanisë Eagle Hills është 7.4 milionë euro. Shumica e punimeve janë financuar me paratë e kontratave të shitjes përmes të cilave janë mbledhur 36 milionë euro.
Me këtë që ka ndodhur, investitori ka luajtur bixhoz me lekët e klientëve (pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë)! Ky rrezik ka ardhur për shkak të modelit të financimit që kanë miratuar në kontratën e projektit deputetët e Kuvendit dhe që ndodh si fenomen në të gjithë tregun e ndërtimit në Shqipëri. Mbrojtja për konsumatorin është zero: ai jep paratë e financimit, merr përsipër çdo risk – ndërsa investitori që ka siguruar lejen e ndërtimit vjel fitimin! Por përveç kësaj, shifrat tregojnë se historia e projektit Durrës Marina nxjerr të humbur jo vetëm ata që kanë blerë apartamente, por të gjithë qytetarët shqiptarë.
Po prishet një pasuri që vlen qindra miliona euro siç është Porti i Durrësit, me paratë e taksave të shqiptarëve po financohet një projekt tjetër që kushton 390 milionë euro vetëm për fazën e parë, që t’i hapim rrugën investimit 13.3 milionë euro (bashkë me kapitalin që ka shtuar në 2025-n) të kompanisë nga Dubai, Eagle Hills Real Estate!

Të fundit

më të lexuarat