Pavarësia e Malit të Zi, “paradhomë” për pavarësinë e Kosovës

Unë kam pasur fatin dhe vullnetin që si kryetar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, me përkrahjen e partisë, të filloja dhe të realizoja një bashkëpunim të sinqertë e të frytshëm me njeriun pa të cilin projekti i pavarësisë së Malit të Zi nuk do të ishte i mundshëm, me birin më të madh të Malit të Zi modern, Millo Gjukanoviq, pasi ky, në vitin 1997, u kishte thënë jo politikave të Sllobodan Millosheviqit

Ferhat Dinosha

Koha prej 20 vitesh ka shoshitur disa të vërteta aksiomatike lidhur me Referendumin për Pavarësinë e Malit të Zi të 21 majit 2006:

  1. Referendumi ka qenë dhe mbetet projekti politik dhe ngjarja më e rëndësishme shoqërore në historinë më të re të Malit të Zi;
  2. Referendumi nuk do të mund të realizohej pa një politikë pragmatike e të guximshme të Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) dhe të liderit të saj, Millo Gjukanoviq, dhe partneritetit të tij me partitë kryesore të pakicave nacionale dhe me liderët e tyre – me Unionin Demokratik të Shqiptarëve (UDSH) të Ferhat Dinoshës, Partinë Boshnjake të të ndjerit Rafet Husoviq dhe me Nismën Qytetare Kroate të Marija Vuçinoviqit;
  3. Vota e pakicave ka qenë vendimtare për rezultatin pozitiv të Referendumit, sepse ai nuk do të kalonte vetëm me votën ortodokse, gjë që do të thotë se pakicat nacionale janë shtetformuese në Malin e Zi bashkëkohor;
  4. Rezultatin e Referendumit është dashur ta pranonin detyrimisht edhe ata të cilët kanë qenë kundër tij, për shkak se paraprakisht për validitetin e tij ishte përcaktuar një përqindje mbi standardin demokratik, prej 55% të zgjedhësve që do që dilnin në votim;
  5. Referendumi ka hapur rrugë për njohjen ndërkombëtare të Malit të Zi sovran, njohje e cila është vulosur me integrimin euroatlantik të vendit, në vitin 2017, i cili ka shtuar gjasat edhe për integrimin evropian, që, tashmë po afrohet dhe me të cilin do të rrumbullakohet realizimi i projekteve kryesore strategjike të Malit të Zi modern;
  6. Për shqiptarët Referendumi ka pasur rëndësi të dyfishtë, meqenëse jo vetëm që i ka faktorizuar shqiptarët në Malin e Zi, por tërthorazi, e ka ndihmuar shumë edhe pavarësinë e Kosovës.
    Unë kam pasur fatin dhe vullnetin që si kryetar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, me përkrahjen e partisë, të filloja dhe të realizoja një bashkëpunim të sinqertë e të frytshëm me njeriun pa të cilin projekti i pavarësisë së Malit të Zi nuk do të ishte i mundshëm, me birin më të madh të Malit të Zi modern, Millo Gjukanoviq, pasi ky, në vitin 1997, u kishte thënë jo politikave të Sllobodan Millosheviqit.
    Bashkëpunimi ynë ka dalë i frytshëm meqë në të kishim hyrë me sinqeritet të dyanshëm dhe me sqarim paraprak të detyrave që e prisnin secilin prej nesh.
    Zaten, me siguri pse isha në atë kohë minoritari më i eksponuar në skenën politike të Malit të Zi dhe pse ai ishte i vetëdijshëm se vota ortodokse nuk do të mjaftonte për rezultat pozitiv të referendumit, ai, një ditë, që në fillimet e fushatës për pavarësi, në kabinetin e tij, më drejtohet me këto fjalë: “Unë në këtë projekt kam hyrë pa kthim. Nëse në të sheh edhe interesin e shqiptarëve, të kam të domosdoshëm”. (Komunikimi ynë, tashmë, ishte në numrin njëjës).
    Jam përgjigjur pa vonesë: “Po, në këtë projekt shoh edhe interesin e shqiptarëve, por për të hyrë në të pa rezervë e me mushkëri të plota, më duhet përgjigjja Jote në këtë pyetje: Kur ne të pavarësohemi, si do të sillet Mali i Zi ndaj Kosovës?”
    Kam marrë një përgjigje të prerë: “Nëse ne pavarësohemi dhe nëse ata e shpallin pavarësinë, Mali i Zi do ta njohë Kosovën”. Ashtu edhe ka ngjarë.
    Besa është besë, edhe te disa malazezë.
    Mendoj se ky duhet të ketë qenë vendimi më i vështirë politik i z. Gjukanoviq, por ai do t’i bënte vend definitivisht në grupin e miqve të shqiptarëve, si burrështetas i Malit të Zi. Liderët më të spikatur të shqiptarëve në Ballkan, si Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Sali Berisha, Fatos Nano etj., flisnin, në këtë kohë, se “Millo Gjukanoviqi është mik i shqiptarëve”. Kam qenë dëshmitar i këtij narracioni nga ana e tyre, në shumë takime ndërkombëtare dhe ndërshqiptare.
    Në të vërtetë, Gjukanoviqi kishte tërhequr simpatinë e shqiptarëve që më herët, që në vitin 1999, atëherë kur Mali i Zi i kishte dyert e hapura për rreth 100 mijë shqiptarë nga Kosova, të dëbuar nga krimet dhe gjenocidi i regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
    Kam qenë vazhdimisht i bindur se të punoje për pavarësinë e Malit të Zi, punoje edhe për pavarësinë e Kosovës. Unë të parën vazhdimisht e kam parë si “paradhomë” të së dytës.
    Atë bindje ma përforconin fjalët e fytyrave politike më të ndritura shqiptare të kohës, në takime të drejtpërdrejta me to.
    Më kujtohet, kështu, një bisedë me Ibrahim Rugovën, në Budapest, ku po merrnim pjesë në një tubim ndërkombëtar, organizuar nga Project on Etnic Relations (PER) i Alen Kassofit (“Shqiptarët dhe fqinjët e tyre”), pas bombardimeve të NATO-s dhe përfundimit të luftës në Kosovë. Gjatë darkës, e pyes, pos tjerash: “Çka tash me Kosovën, si do të ecë puna atje?” Marr përgjigje të kulluar: “Deshti Zoti e Sërbi s’do të ketë më në Kosovë”. “E ne në Mal të Zi, si të sillemi?”, shtoj unë. “Ashtu si ke filluar Dinoshë. Të përkrahni pavarësinë e Malit të Zi”, konkludon bindshëm Presidenti Historik.
    I kisha të çmuara edhe fjalët e Mandelës sonë, Adem Demaçit, në një takim me të, në Prishtinë, para luftës në Kosovë: “Ju duhet ta përkrahni Gjukanoviqin, n’e past pernimënd me Millosheviqin”.
    Mendim të ngjashëm, madje më të ngjeshur se këto të parat, lidhur me pavarësinë e Malit të Zi, dëgjoj, më vonë, para Referendumit në Mal të Zi, në një tubim tjetër të PER-it, në Lucern të Zvicrës, nga një mendje tjetër e ndritur politike shqiptare, Arben Xhaferri. Po drekonim me të dhe me Hashim Thaçin e Ali Ahmetin. Rast i mirë për “të futur në rëntgen” rrjedhat politike, gjithandej në tokat shqiptare. Xhaferi e kishte sogjuar se prej partive shqiptare, vetëm unë po bashkëpunoj ngjushtë me Gjukanoviqin dhe më trimëron që patjetër të vazhdoja ashtu: “Sepse pavarësia e Malit të Zi, për momentin, është interesi numër një i shqiptarëve, jo vetëm në Mal të Zi”.
    Ekon e ndryshimeve pozitive që kishte sjellë Referendumi i Pavarësisë së Malit të Zi në marrëdhëniet e tij me faktorin shqiptar në Mal të Zi dhe me kombin shqiptar, në përgjithësi, e kam dëgjuar nga emra të përveçëm të politikës e të kulturës shqiptare dhe pas mbajtjes së tij.
    Kryeministri i Republikës së Shqipërisë i kohës së luftës në Kosovë, Pandeli Majko, duke komentuar në një studio televizive të Tiranës, rëndësinë e pavarësisë së Malit të Zi dhe gjasat e Kosovës për t’u pavarësuar, thotë, pos tjerash (parafrazoj): “U bë mirë që kaloi pavarësia e Malit të Zi, sepse sikur kjo të mos ngjante, vendimmarrësit ndërkombëtarë kanë pasur në sirtarë projektin alternativ të një federate të Serbisë e të Malit të Zi, në të cilën do të ishte edhe Kosova. Me pavarësinë e Malit të Zi është kryer edhe një punë e mirë për Kosovën”.
    Në vitin 2011, si ministër në Qeverinë e Malit zë Zi, kam qenë mikpritës i darkës së shtruar për nder të shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili ato ditë ishte mysafir i Podgoricës, në të vërtetë i librarisë “Karver”. Në darkën me nja 30 të ftuar, pas fjalës sime të mirëseardhjes, bardi i letrave shqipe më mundëson t’i shtroja këtë pyetje: “Si i shihni sot marrëdhëniet shqiptaro-sllave, e në kuadër të tyre, edhe ato shqiptaro-malazeze?”
    Pa u menduar shumë, ashtu si munden eruditët, ia pret: “Sllavët nuk na duan. Nuk i duam as ne ata. Por, kjo që kohëve të fundit ka ndodhur në marrëdhëniet ndërmjet malazezëve e shqiptarëve, e rrëzon këtë tezë timen. Unë i përgëzoj të gjithë ata që kanë ndikuar që kjo të ngjajë dhe i inkurajoj ta vazhdojnë këtë”.
    Pra, projektet strategjike të përmendura – Pavarësia e Malit të Zi, integrimi euroatlantik dhe (së shpejti) integrimi evropian dhe vlerat e reja të bashkëjetesës së malazezëve dhe shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe marrëdhëniet e reja të lakmueshme të Malit të Zi me Republikën e Shqipërisë dhe me Republikën e Kosovës, janë jetësuar derisa në pushtet ka qenë opozita e sotme malazeze.
    Ato për shqiptarët në Mal të Zi duhen të jenë vija e kuqe e bashkëpunimit me pushtetin e sotëm dhe me cilindo pushtet të ri në Mal të Zi. Këtë duhet thënë qartë edhe aktorëve të brendshëm të skenës politike edhe atyre të jashtëm.
    Për më tepër, për të mos qenë të varur nga ndërrimi i pushteteve në Mal të Zi, partitë shqiptare duhen të dalin me Platformë të përbashkët për një autonomi të shqiptarëve në Mal të Zi, të bazuar mbi standardet demokratike evropiane për të drejtat e pakicave nacionale në demokracitë multietnike.
    Kjo autonomi duhet të prodhojë pjesëmarrje të sigurt e efektive të përfaqësuesve autentikë të shqiptarëve në të gjitha llojet e pushtetit, pa rrezikuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Mali të Zi. Autonomia do të duhej të mbikëqyrej nga faktori ndërkombëtar.
    Mali i Zi evropian duhet të mësohet edhe me një standard evropian që ka të bëjë me pakicat nacionale autoktone. Ato janë të tilla pikërisht se janë të ndara nga kombi dhe nga shteti amë, siç ka ndodhur edhe me shqiptarët. Andaj, askush nuk mund të kërkojë nga shqiptarët që Shqipërinë të mos e quajnë nënë, sepse e kanë nënë, dhe e drejta për ta ndier e thirrur ashtu është standard evropian. Evropa e jo Ballkani, është shpikëse e sintagmave “mother land” ose “keen state”.
    Mali i Zi është edhe shtet i shqiptarëve të cilët jetojnë në të, por jo edhe nënë. Nënë e shqiptarëve është Shqipëria.
    Natyrisht, edhe malazezët në Shqipëri, megjithëse jo autoktonë, e kanë “Crna Gorën, majko naša”, ndërsa Shqipërinë e kanë shtet ku jetojnë.
    Këto gjëra nuk po i cek sot për të parën herë. I kam thënë edhe para edhe pas Referendumit. Madje, me rastin e miratimit të Ligjit për simbolet shtetërore të Malit të Zi, pas Referendumit të vitit 2006, kam votuar kundër këtij ligji. I vetmi në Parlament. Pikërisht për shkak të himnit që ka edhe vargun “Majko našo Crna Goro”. Këtë e kam cekur në fjalën time në Parlament, pak para se të votohej Ligji. Nuk kam ngurruar të bëja kështu, edhe pse isha shqiptari i vetëm në podiumin e tubimit përfundimtar në Podgoricë, në prag të Referendumit të 21 majit të vitit 2006.
    Andaj, Mali i Zi evropian, sado që i definuar si shtet qytetar, duhet të ketë më shumë ndjesi e mirëkuptim për qytetarët e vet që kanë identitet të ndryshëm nacional nga shumica, e të mos habitet kur shqiptarët (sidomos), boshnjakët e kroatët flasin për shtet të tyre amë. Sepse çdo qasjeje tjetër do t’i vinte era “melting pot”, që vlen për Amerikën, e jo “afirmative action”, që vlen për Evropën, ku dëshiron të hyjë edhe Mali i Zi.
    Në fund, duhet dhënë mesazh të qartë edhe atyre të cilët Akoma përpëliten të zhbëjnë projektet e realizuara deri më tani, duke provuar ta ngatërrojnë Malin e Zi me fqinjët ose ai të jetë nën autoritetin dhe kontrollin e tyre.
    S’ka kush që do të mund të ndryshojë vendimin e qytetarëve të Malit të Zi të vitit 2006 dhe vendimin e Qeverisë së tij të vitit 2017, me të cilin është vulosur i pari. Mali i Zi është “Porta e Adriatikut” e paktit NATO.
    Do të jetojë Mali i Zi i pavarur e euroatlantik, që së shpejti do të bëhet edhe evropian – anëtar i ri i Bashkimit Evropian.

Të fundit

më të lexuarat