
Krizën brendapartiake në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk ka arritur ta zgjidhë as Kuvendi i jashtëzakonshëm që është mbajtur javën e kaluar. Ndonëse kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka arritur t’i mbijetojë votëbesimit, kjo nuk i ka shuar ndasitë brendapartiake.
Kuvendi ka dëshmuar edhe një herë se LDK është në një krizë të thellë politike, që është reflektuar në rezultatet e kësaj partie politike në disa palë zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale, duke u renditur si forca e tretë politike në vend.
Brenda LDK-së ekzistojnë disa klane, të cilat zhvillojnë luftë të brendshme të pandërprerë për marrjen e pushtetit në parti. Kjo pa dyshim që është reflektuar në humbjen e besimit tek elektorati i saj.
Kujtojmë se LDK-ja kishte dikur elektoratin më të qëndrueshëm ndër partitë politike në Kosovë.
Por kjo parti nuk ka arritur të reformohet dhe t’i përshtatet realitetit të ri politik pas vdekjes së kryetarit të saj dhe Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Për një kohë të gjatë, jo vetëm derisa ishte gjallë por edhe pas vdekjes së tij, LDK ka jetuar dhe korrur sukses me hijen e emrit të Rugovës. Në këtë kuadër duhet përmendur se LDK ka dalë forca e parë politike në Kosovë edhe pas luftës së viteve 1998-1999. Por ata është dashur të jenë të vetëdijshëm se hija e tij mund të të mbajë për një kohë të shkurtër, por jo përgjithmonë.
Megjithatë, pas vdekjes së Rugovës, asnjëri prej udhëheqësve të LDK-së nuk ka arritur të krijojë profilin e vet politik dhe autoritetin brenda LDK-së. Në fakt, duhet pranuar se duke pasur parasysh autoritetin dhe madhështinë e figurës së Rugovës, për pasuesit e tij ka qenë e vështirë ta zëvendësojnë atë.
Rugovizmi është përdorur si një kapital i fuqishëm politik kundrejt partive të tjera, por edhe ndërmjet vetë drejtuesve dhe ithtarëve të LDK-së, duke u bërë shpesh mollë sherri se cili është më rugovist. Në opinionin publik, në emër të Rugovizmit dhe trashëgimisë së tij LDK është përpjekur të paraqitet si parti ndryshe – shtetformuese, institucionaliste etj. dhe me demokraci brendapartiake. Por në realitet ajo nuk ka ndryshuar nga partitë tjera, ndërsa demokracia brendapartiake shpesh është keqpërdorur në dëm të vetvetes.
Prandaj sot, në kushte dhe rrethana të reja politike, trashëgimia e Rugovës nga një kapital politik është shndërruar në një barrë të rëndë, që LDK dhe drejtuesit e saj zor se mund ta bartin mbi supet e tyre. Për këtë arsye, nëse duan të mbijetojnë në skenën politike të Kosovës, ata nuk duhen të shikojnë vetëm nga e kaluara e ndritur, që personifikohet me Presidentin Rugova, por të shikojnë nga e ardhmja duke ndërtuar një alternativë të qëndrueshme politike mbi bazën e traditës dhe përvojës politike.
