Qeveria fiton edhenjë nënkryetardhe tre ministratë rinj

Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar të enjten e kaluar (23 korrik 2026), me votat e shumicës qeverisëse, propozimin e kryeministrit Millojko Spajiq për rikonstruksionin e Qeverisë, duke zgjedhur për anëtarë të saj Jelena Boroviniq – Bojoviqin, Radosh Zeçeviqin, Jovan Vuçuroviqin dhe Zoran Jojiqin.
Ish-kryetarja e Kuvendit të Podgoricës, Jelena Boroviniq – Bojoviq është zgjedhur nënkryetare e Qeverisë për shëndetësi dhe përkujdesje sociale, drejtori i Ndërmarrjes “Putevi” të Podgoricës, Radosh Zeçeviq nga Demokracia e Re Serbe ministër i ri i Transportit, Zoran Jojiq nga Partia Popullore Socialiste ministër i Sportit dhe të Rinjve, ndërsa Jovan Vuçuroviq nga Demokracia e Re Serbe ministër pa portfol. Për tre pjesëtarët e rinj të Qeverisë që vijnë nga radhët e Demokracisë së Re Serbe kanë votuar 45 deputetë, kurse për ministrin nga Partia Popullore Socialiste 46 deputetë.
Asnjë deputet nuk ka qenë i përmbajtur, derisa deputetët e opozitës e kanë lëshuar sallën e Kuvendit para votimit.
Qeveria e Malit të Zi mbeti pa dy ministra muaj më parë pas tërheqjes nga koalicioni qeverisës i Partisë Demokratike Popullore të Millan Knezheviqit.
Qeveria e Malit të Zi ka gjithsej 35 anëtarë, përfshirë kryeministrin dhe shtatë nënkryetarët e Qeverisë, duke qenë kësisoj më e madhja në historinë e pluralizmit politik në Malin e Zi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat