
Rasti i fundit me prokurorët dhe gjykatësit serbë dhe thirrja e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës për t’i kthyer në detyrë, pavarësisht se ata ishin larguar vullnetarisht në vitin 2022 nga sistemi i drejtësisë, ka sjellë edhe një herë në vëmendje aplikimin e standardeve të dyfishta nga bashkësia ndërkombëtare duke e shndërruar Kosovën në një eksperiment të rrezikshëm.
Është e vërtetë se Kosova është çliruar dhe e ka fituar pavarësinë me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, por kjo nuk i lejon përfaqësuesit ndërkombëtarë të sillen si kapadai, duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Pse mos ta themi troç se bashkësia ndërkombëtare ka dështuar në Kosovë. Dhe shembulli më i keq në këtë aspekt mbase është UNMIK-u (Misioni i Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë), i themeluar në qershor të vitit 1999 sipas Rezolutës 1244, për të siguruar qeverisje të përkohshme, paqe dhe autonomi.
Kosova ka bërë shumë kompromise në të kaluarën ndaj kërkesave të ndërkombëtarëve, bile edhe në dëm të pavarësisë së saj. Ajo është vendi ku pakicat, sidomos ajo serbe, gëzojnë shkallën më të lartë të të drejtave – nacionale, gjuhësore, fetare etj., duke u renditur pa asnjë mëdyshje në vendin e parë në rajon dhe më gjerë.
Pakicat i kanë të garantuara vendet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pavarësisht përqindjes së tyre (sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë më 2024, në Kosovë jetojnë 36652 serbë, 19419 turq, 26841 boshnjakë, 8730 romë, 16207 ashkalinj, 10581 egjiptianë dhe 9140 goranë), komunitetet joshumicë në Kosovë i kanë të rezervuara 20 vende (10 deputetë për komunitetin serb dhe 10 deputetë për komunitetet tjera joshumicë) nga 120 deputetë sa ka gjithsej Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Me Kushtetutën e Kosovës mund të thuhet se pakicat gëzojnë edhe një lloj vetoje, pasi që ndryshimet kushtetuese për çështjet me rëndësi nuk mund të bëhen pa votën e tyre! Në këtë drejtim, Kushtetuta e Kosovës sanksionon të drejtën e votës së dyfishtë për deputetët e komuniteteve joshumicë.
Serbët kanë qenë dhe vijojnë të jenë të privilegjuar në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare ka toleruar për një kohë të gjatë funksionimin e institucioneve paralele serbe në Kosovë, organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, nën mbikëqyrjen e OSBE-së, importimin e votuesve nga Serbia dhe hapësirat tjera ku jetojnë serbët në zgjedhjet në Kosovë, përdorimin e dinarit si monedhë në pjesën veriore të Kosovës etj. Të gjitha këto kanë cenuar rëndë sovranitetin e Kosovës. Për më tepër, nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare janë krijuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs, të njohura si Gjykata për Krime Lufte me seli në Hagë (Holandë), e cila ndonëse e themeluar formalisht nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka devijuar nga misioni i vet duke u shndërruar në gjykatë kundër një populli – duke i akuzuar, por edhe dënuar shqiptarët, që ishin viktimë e luftës së Kosovës.
Në emër të decentralizimit, në bazë të Planit të Ahtisaarit dhe Marrëveshjes së Brukselit (2013) janë krijuar artificialisht disa komuna të reja serbe në Kosovë. Kështu, nga 38 komuna sa ka gjithsej Kosova, në 11 prej tyre dominojnë dhe qeverisin pakicat (në dhjetë komuna serbët – Mitrovica Veriore, Zubin Potoku, Leposaviqi, Zveçani, Shtërpca, Kllokoti, Graçanica, Novobërda, Ranillugu, Parteshi; dhe në një komunë – Mamushë pakica turke).
Pavarësisht kritikave, që mund të jenë edhe të drejta, ndaj politikës aktuale të shtetit të Kosovës, është absurde që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar dialogun me Serbinë, ndërkaq e kanë ndërprerë me Kosovën, vendin më proamerikan në Ballkan dhe Evropë! Po kaq absurde ishin edhe masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat u hoqën para zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar.
Udhëheqjet e mëparshme të Kosovës, të cilat e kanë drejtuar Kosovën pas luftës së viteve 1998-1999, kanë pranuar “syqorrazi” pothuajse çdo propozim dhe kërkesë të ndërkombëtarëve, qoftë me idenë se çdo gjë që vjen prej tyre është e mirë, por edhe për të ruajtur veten nga frika e ndëshkimit për shkak të veprimeve të tyre joligjore, pa menduar për pasojat për shkak të veprimeve ose mosveprimeve të tyre. Prandaj sot, çdo refuzim i kërkesave të ndërkombëtarëve në emër të sundimit të ligjit dhe interesave shtetërore të Kosovës duhet përshëndetur dhe mbështetur. Gjykatësit dhe prokurorët serbë nuk mund të largohen dhe të kthehen sa herë që duan, me urdhër të Serbisë dhe “amin”-in e përfaqësuesve ndërkombëtarë.
Kosova duhet të jetë falënderuese ndaj bashkësisë ndërkombëtare për çlirimin dhe pavarësinë e saj, si dhe për ndihmën në ndërtimin e shtetit dhe të institucioneve pas luftës dhe shpalljes së pavarësisë, por njëkohësisht duhet t’ua bëjë me dije se ka ardhur koha që institucionet shtetërore të Kosovës t’i marrin vetë vendimet në përputhje me interesat shtetërore (nacionale) të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Bashkësia ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e saj nuk kanë të drejtë, as ligjore dhe as morale, të sillen ndaj Kosovës sikur të jetë koloni e tyre. Sepse, në emër të të drejtave të pakicave, Kosova rrezikon të shndërrohet në një shtet jofunksional, ashtu siç është sot Bosnja e Hercegovina, ku “kontribut” për këtë ka pikërisht bashkësia ndërkombëtare.
Në anën tjetër, institucionet shtetërore dhe forcat politike në Kosovë duhet të dëshmojnë se kanë arritur pjekurinë e duhur politike për t’i zgjidhur vetë problemet dhe krizat politike-shoqërore në vend.
