
Sa herë që shqiptarët në Plavë dhe Guci kërkojnë me qetësi dhe respekt të drejtat e tyre, përgjigjja është pothuajse gjithmonë e njëjtë: “Askush nuk ju urren”, “Jeni të mirëpritur”, “Të gjithë jemi të barabartë”.
Por pyetja nuk është nëse dikush na urren apo jo, por a trajtohemi me të vërtetë si të barabartë në institucionet publike?
Marrëdhëniet mes njerëzve janë një gjë, institucionet janë diçka tjetër. Një qytetar mund të sillet mirë ose keq ndaj një tjetri, por institucionet e kanë detyrim ligjor dhe moral t’i përfaqësojnë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë.
Në Plavë dhe Guci, shqiptarët nuk kërkojnë privilegje. Nuk kërkojnë më shumë se të tjerët. Kërkojnë vetëm atë që u takon: respektimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit të tyre.
Ngjarja e fundit në Guci, gjatë inaugurimit të Sahat Kullës, ngriti përsëri këtë shqetësim. Në një territor ku shqiptarët janë pjesë e historisë, kulturës dhe jetës së përditshme, ceremonia u zhvillua pa asnjë fjalë në gjuhën shqipe. Gjithçka u orientua në një drejtim fetar, ndërsa gjuha e një pjese të rëndësishme të popullsisë mbeti e padukshme.
Dua të jem shumë e qartë: kjo nuk është një kritikë ndaj asnjë feje. Shqiptarët e kanë dëshmuar ndër shekuj se dinë të jetojnë me besime të ndryshme dhe t’i respektojnë ato. Feja është çështje personale dhe duhet të mbetet e respektuar për secilin. Por identiteti kombëtar, kultura dhe gjuha nuk mund të zëvendësohen me simbole fetare.
Gjuha shqipe nuk është pronë e një partie politike, as e një grupi. Ajo është pjesë e historisë së këtij vendi dhe duhet të ketë vendin që e meriton në institucionet publike.
Shqetësimi më i madh është se kjo nuk është një ngjarje e izoluar. Për shumë vite, shqiptarët kanë parë se si gjuha e tyre anashkalohet, se si përfaqësimi i tyre zvogëlohet dhe se si identiteti i tyre trajtohet si diçka dytësore. Jo me deklarata të hapura kundër tyre, por në mënyra më të heshtura, më të sofistikuara dhe më të vështira për t’u vënë re. Pikërisht kjo e bën situatën më shqetësuese.
Asimilimi nuk ndodh gjithmonë me ndalime dhe urdhra. Shpesh ai ndodh përmes heshtjes, neglizhencës dhe injorimit të vazhdueshëm. Edhe më shqetësuese është heshtja e atyre që janë zgjedhur për t’i përfaqësuar shqiptarët. Kur institucionet harrojnë një komunitet, detyra e përfaqësuesve të tij është të flasin. Kur ata heshtin, krijohet përshtypja se gjithçka është në rregull. Por nuk është në rregull.
Një komunitet nuk humb vetëm kur i mohohen të drejtat. Ai humb edhe kur mësohet të mos flasë për to. Prandaj është koha të shtrojmë disa pyetje të thjeshta:
Pse gjuha shqipe vazhdon të trajtohet si e parëndësishme në hapësirat publike të Plavës dhe Gucisë?
Pse shqiptarët duhet vazhdimisht të kujtojnë se ekzistojnë?
Dhe deri kur do të vazhdojë kjo heshtje institucionale?
Këto pyetje nuk drejtohen kundër askujt. Ato drejtohen në mbrojtje të barazisë, dinjitetit dhe respektit që çdo qytetar meriton. Sepse njohja e gjuhës dhe identitetit të një populli nuk është privilegj. Është e drejtë. Dhe çdo e drejtë që nuk respektohet sot, bëhet një padrejtësi më e madhe nesër.
