A ka vend për më shumë teatër?

Qëllimi i përbashkët i çdo shoqërie është që hapësirat e krijuara për artin dhe kulturën të jenë sa më pranë qytetarëve dhe të shërbejnë për atë mision për të cilin janë krijuar

Toni Ujkaj

Të ndodhur në pikun e sezonit veror, afër fillimit të muajit gusht, njerëzit përveç gjetjes së një zgjidhjeje për t’i përballuar temperaturat e larta dhe përvëluese të këtyre ditëve, kërkojnë të përmbushin një nevojë tjetër – atë për të freskuar mendjen. Pra, në këto ditë vape, krahas pushimit dhe kërkimit të freskisë fizike, lind nevoja edhe për diçka që na shkëput nga rutina e përditshme, që na shkarkon stresin e akumuluar të punëve rutinore dhe na jep një kënaqësi, siç është fjala vjen, një shfaqje teatrore apo një dramë.
Natyrisht, një mjedis i vogël si Malësia jonë ka mundësi më të kufizuara sesa qendrat më të mëdha, por pikërisht për këtë arsye çdo aktivitet kulturor ka një rëndësi të posaçme.
Në shumë qytete gjatë muajve të verës, aktivitetet kulturore shtohen edhe më shumë. Në Ulqin, për shembull, gjatë kësaj periudhe shpesh njoftohemi për ngjarje të ndryshme kulturore, duke i dhënë qytetit një hapësirë ku krahas sezonit turistik, gjallëron edhe jeta artistike.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë se në komunën e Tuzit mungojnë aktivitetet kulturore. Përkundrazi, gjatë kësaj periudhe dhe në vazhdim organizohen disa të tilla në lokacione të ndryshme. Por, përtej kësaj, roli i një qendreje kulturore është i pazëvendësueshëm, pasi ajo duhet të jetë një nga hapësirat kryesore ku kultura takohet drejtpërdrejt me publikun, ku zhvillohen shfaqje, programe artistike dhe veprimtari të tjera skenike.
Në këtë aspekt, vëmendja përqendrohet te Qendra Kulturore-Informative “Malësia”, si institucion i krijuar për të qenë një pikë referimi e jetës kulturore në vend dhe për të përmbushur nevojën që ekziston në këtë drejtim.
Pas një rikonstruksioni, investimi e një pritjeje që zgjati më shumë se një vit, pritshmëritë ishin që kjo hapësirë të gjallëronte edhe më shumë jetën kulturore. Logjikisht, pritej që pas përfundimit të punimeve, publiku të kishte më shumë mundësi për ta shijuar këtë institucion.
Megjithatë, të paktën në aspektin publik, pas aktivitetit më të fundit të organizuar më 9 qershor 2026 (pra afro dy muaj më parë), në këtë qendër nuk po vërehen veprimtari kulturore.
Për këtë arsye shtrohet pyetja se ku mund të shkojë sot qytetari i Malësisë për të ndjekur një shfaqje teatrore apo një dramë në vendin e vet?
Qendrat kulturore janë krijuar edhe për këtë arsye, që publiku të ketë një skenë ku të shohë shfaqje teatrore, drama dhe forma të tjera artistike që kërkojnë një hapësirë të përshtatshme dhe pak më specifike për t’u realizuar.
Pra, krahas aktiviteteve të tjera që organizohen në vend, një rëndësi të veçantë do të kishte që kjo skenë të jetë aktive, të ketë vazhdimësi dhe të krijojë një lidhje konsistente me publikun.
Kjo bëhet edhe më e rëndësishme gjatë muajve të verës, në raport me stinët tjera, për shkak se vendit po i rikthehen shumë mërgimtarë për të kaluar pushimet e tyre në vendlindje. Ata, përveç dëshirës për të qëndruar me familjarë e shokë, pa dyshim do të dëshironin ta përjetonin vendlindjen edhe në dimensione të tjera – përmes jetës kulturore, përmes ndonjë shfaqjeje, apo ndonjë ngjarjeje artistike dhe jo vetëm përmes koncerteve që dominojnë dukshëm. Për këtë arsye, nevoja për një jetë kulturore më aktive në vendin ku jetojmë bëhet më e theksuar.
Edhe mundësia për ta kërkuar këtë përvojë, si për shembull në Ulqin, Shkodër apo ndonjë qytet tjetër, gjatë sezonit turistik shpesh shoqërohet me vështirësi, për shkak të trafikut të rënduar që dominon rrugët, në cilindo drejtim të nisesh.
Pra, nuk duhet harruar se një qendër kulturore në një komunitet e përmbush rolin e vet vetëm atëherë kur dyert e saj janë të hapura për publikun dhe kur në skenën e saj ngjiten artistët, sepse në këtë mënyrë ajo bëhet pjesë aktive dhe një derë e hapur e jetës kulturore të një komuniteti.
Qëllimi i përbashkët i çdo shoqërie është që hapësirat e krijuara për artin dhe kulturën të jenë sa më pranë qytetarëve dhe t’i shërbejnë misionit për të cilin janë krijuar.

Të fundit

më të lexuarat