Krijim i ndjenjës sëtrajtimit të pabarabartë

Kur raste të tilla ndodhin njëri pas tjetrit, lind një pyetje që nuk mund të injorohet: A kemi të bëjmë me incidente të izoluara, apo po krijohet një model reagimi sa herë që shqiptarët shprehin identitetin e tyre kombëtar?

Kaltrina Hoti

Kohët e fundit po ndodhin disa raste që kanë ngritur shqetësim te shqiptarët në Malin e Zi. Fillimisht u hoq përmendorja e dëshmorit Isuf Kamer Çelaj. Më pas një qytetar u gjobit për një poster simbolik me mbishkrimin “Të gjithë jemi Isufa”. Së fundi, në Guci u iniciuan procedura ndaj të rinjve që mbanin flamurin “Autochthonous” gjatë një koncerti, ndërsa sipas informacionit publik ata po festonin në mënyrë paqësore.
Kur raste të tilla ndodhin njëri pas tjetrit, lind një pyetje që nuk mund të injorohet: A kemi të bëjmë me incidente të izoluara, apo po krijohet një model reagimi sa herë që shqiptarët shprehin identitetin e tyre kombëtar?
Në një shtet demokratik, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje. Askush nuk duhet të paragjykohet vetëm për shkak të identitetit të tij, as të trajtohet ndryshe sepse shpreh përkatësinë e vet kombëtare në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin.
Prandaj institucionet kanë përgjegjësinë të jenë plotësisht transparente. Nëse vlerësojnë se është shkelur ligji, ato duhet të tregojnë qartë se cili nen është shkelur dhe mbi cilat fakte mbështetet ky vlerësim. Sundimi i ligjit nuk ndërtohet mbi perceptime, por mbi prova dhe zbatim të barabartë për të gjithë.
Kur simbolet, monumentet ose format e shprehjes që lidhen me identitetin shqiptar bëhen vazhdimisht objekt polemikash apo masash ndëshkuese, është e kuptueshme që shumë shqiptarë të krijojnë ndjesinë se po trajtohen ndryshe. Kjo nuk është në interes të askujt.
Malit të Zi i duhet besimi mes qytetarëve dhe institucioneve, jo dyshimi. Bashkëjetesa nuk forcohet duke krijuar ndjesinë se identiteti i një komuniteti shihet me më shumë dyshim se i tjetrit. Ajo forcohet vetëm kur ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe kur çdo qytetar ndihet i respektuar, pa dallim kombësie.
Prandaj pyetja ime nuk është kundër askujt. Pyetja ime është për institucionet: Si do t’i bindni qytetarët shqiptarë se ligji zbatohet në mënyrë të barabartë, kur raste të tilla po ndodhin kaq shpesh dhe po krijojnë ndjenjën e një trajtimi të pabarabartë?

Të fundit

më të lexuarat