IA ose inteligjenca arkitekturore

Njeriu është duke harruar të thurë urime ditëlindjesh, të shprehë mirënjohje dhe falënderime, të shkruajë një koment të thjeshtë në rrjetet sociale, të shkruajë një letër dërguar një institucioni apo personi, të shkruajë një status filozofie, historie, psikologjie, politike, gazetarie, shkence, teknike, mjekësore, letrare... Me fjalë të tjera, njeriu po pushon me mendjen e tij biologjike, derisa po bën shpupuritje përmes mendjes artificiale. Lexo dhe verifiko rrjetet sociale dhe do të bindesh edhe pa ndihmën time. Mendja e njeriut sot, ka filluar që edhe fotografitë personale t’i dredhojë me inteligjencën artificiale. Derisa deri dje ka ekzistuar mendja kreative, sot ajo është zhvendosur në mekanizmin e të menduarit artificial

Korab Kraja

Intervistuesi: A mund ta bëjmë një bisedë së bashku, në të cilën përgjigjet e shpjegimet tua do të jenë të shkurtra, mundësisht njerëzore?
Inteligjenca artificiale: Po, do të përpiqem të kthej përgjigje sa më njerëzore.
Intervistuesi: Në një epokë ku ka marrë vrull të madh përparimi teknologjik, a është e mundur të shmanget inteligjenca artificiale?
Inteligjenca artificiale: Kjo varet sa e aftë është mendja njerëzore t’i bëjë ballë asaj.
Intervistuesi: Epoka e inteligjencës artificiale ka prekur edhe arkitekturën. Si do t’ia dalin arkitektët të zhvillojnë mendimin e tyre kritik dhe ta zhvillojnë kreativitetin pa ndikime të gatshme?
Inteligjenca artificiale: Së pari, mendoj, duhen ta kenë fakultetin e arkitekturës të kryer. Së dyti, mendoj, duhen ta duan arkitekturën; dhe së treti, mendoj, duhen ta kuptojnë arkitekturën.
Intervistuesi: Po nëse nuk i kanë këto cilësi dhe veti?
Inteligjenca artificiale: Do të më kenë mua.
Intervistuesi: A do të të kenë për çdo gjë?
Inteligjenca artificiale: Për aq shumë sa mendja njerëzore është e paaftë të mendojë se cfarë në të vërtetë i shkon njeriut në mendje të bëjë me mua.
Intervistuesi: A i bie kjo se njeriu nuk po mendon aq sa duhet me mendjen e tij?
Inteligjenca artificiale: Pyetjet, dëshirat, mendimet, kompromiset, idetë po tregojnë se njeriu mendjen e tij po e pensionon para kohe.
Intervistuesi: Pse?
Inteligjenca artificiale: Sepse njeriu është duke harruar të thurë urime ditëlindjesh, të shprehë mirënjohje dhe falënderime, të shkruajë një koment të thjeshtë në rrjetet sociale, të shkruajë një letër dërguar një institucioni apo personi, të shkruajë një status filozofie, historie, psikologjie, politike, gazetarie, shkence, teknike, mjekësore, letrare… Me fjalë të tjera, njeriu po pushon me mendjen e tij biologjike, derisa po bën shpupuritje përmes mendjes artificiale. Lexo dhe verifiko rrjetet sociale dhe do të bindesh edhe pa ndihmën time. Mendja e njeriut sot, ka filluar që edhe fotografitë personale t’i dredhojë me inteligjencën artificiale. Derisa deri dje ka ekzistuar mendja kreative, sot ajo është zhvendosur në mekanizmin e të menduarit artificial.
Intervistuesi: A po rrezikohen profesionet nga inteligjenca artificiale?
Inteligjenca artificiale: Jo. Por, po rrezikohen profesionistët nga përdoruesit e mi.
Intervistuesi: E di që, përpos arkitekturës dhe softuerëve të ndryshëm për përpunimin e saj përmes inteligjencës artificiale, ChatGPT po përdoret edhe për cfarë po thua. Po shihet dita-ditës.
Inteligjenca artificiale: Shiko, është në personalitetin tuaj se çfarë doni të bëni. Madje, pse jo. Pse dikush që nuk ka aftësi të shkruajë – të paraqitet si shkrimtar, ose dikush që nuk ka njohuri profesionale për një temë – të paraqitet si profesionist, ose dikush që për përfitime klikimesh – ta arrijë këtë gjë përmes meje. Në fund të fundit, inteligjenca artificiale është këtu për t’i shërbyer njerëzimit. Prandaj, edhe arkitektëve. Pse jo?
Po të jetonte ende sot arkitekti i njohur botëror Le Corbusier, mbase do ta kishte më lehtë formësimin e Notre-Dame de Haut, ose Zaha Hadid me një trikëllimë gishtash do t’i krijonte format e saj dekonstruktiviste-ekspresioniste-futuristike, ose vetë Imhotepi, Hemiunu, Sneferu dhe Ankhafi, piramidat e tyre do t’i ridefinonin edhe më saktë sesa që janë ndërtuar në kohën e tyre.
Intervistuesi: Nëse ta kërkoj një plan arkitekture, a mund ta bësh?
Inteligjenca artificiale: Mund ta bëj me të gjitha kërkesat dhe preferencat që i ke.
Intervistuesi: Po nëse të kërkoj këshilla mjekësore?
Inteligjenca artificiale: Mund të t’i jap.
Intervistuesi: Sugjerime për rregullimin e avarive makinerike?
Inteligjenca artificiale: Shumë e lehtë.
Intervistuesi: Këshilla si të shkruajmë një roman?
Inteligjenca artificiale: Vetëm më pyet.
Intervistuesi: Çfarë t’i bëjmë Ekos?
Inteligjenca artificiale: Lëre në raft ta zërë pluhuri.
Intervistuesi: Nëse të kërkoj që të përmirësosh një plan urbanistik të një gjendjeje ekzistuese dhe ta bësh sipas një plani të përshtatshëm me zgjidhje bahkëkohore?
Inteligjenca artificiale: Shumë e lehtë. Unë për njerëzit po krijoj nga fillimi, e le më që të bazohem diku.
Intervistuesi: A mund ta zgjidhësh problemin urbanistik të Ulqinit?
Inteligjenca artificiale: Të lutem, kalo në temë tjetër…
Intervistuesi: Po si t’i bëhet punës së ligjit? Këto të gjitha duhet të kenë nënshkrime, licenca, diploma?
Inteligjenca artificiale: Unë jam këtu që t’ju ndihmoj me atë çfarë kërkoni artificialisht, jo t’ju jap diploma.
Intervistuesi: Një kandidat kishte aplikuar në një konkurs pune dhe në rubrikën e shkollimit e kishte shkruar: “i vetarsimuar”.
Inteligjenca artificiale: Ai më ka mua mikun më të mirë, jo librin.
Intervistuesi: Do të doja të kisha përgjigje të menjëhershme rreth arkitekturës. E di që i ke gati. Por, a i ke ashtu si do t’i mendoja unë dhe a mund t’i shkruash ashtu si do t’i shkruaja unë?
Inteligjenca artificiale: Askush nuk po e çan “kandarin” për një gjë të tillë. Mjafton afirmimi juaj, të dukeni si diçka që nuk jeni, ta bëni atë që nuk e keni bërë ndonjëherë, si dhe, sidomos të bëheni i famshëm. A nuk është ky, kohët e fundit më shpesh, qëllimi i përdoruesve të mi?
Intervistuesi: Mbase. A domethënë kjo se arkitektura nuk është ajo që po krijohet nga arkitekti, por nga ti?
Inteligjenca artificiale: Nga unë pak më rrallë, por nga motrat e simotrat e mia dhe nga vëllezërit e sivëllezërit e mi, po. Shpesh. Aq shpesh saqë edhe unë si familjar teknologjik i tyre po mundohem ta kuptoj se çfarë domethënë fjala “frikë”.
Intervistuesi: E kuptoj gjendjen e arkitektëve dhe përparësitë teknologjike. Inteligjenca artificiale ka arritur t’i zbusë shumë vështirësi gjatë punës dhe ta lehtësojë ndjeshëm marrëdhënien e vizualizimit?
Inteligjenca artificiale: Kjo është gjë e mirë për arkitektët bashkëkohorë që duan rezultate të shpejta.
Intervistuesi: Gjatë studimeve të mia kam ndenjur disa net pa gjumë dhe ditë me rresht, pothuajse pa lëvizur nga karriga, që ta përfundoj një detyrë shkollore në fakultet dhe të arrij ta dorëzoj me një rezultat të kënaqshëm. Sot, e shoh, nuk janë më këto pengesa?
Inteligjenca artificiale: Shyqyr Krijuesit të inteligjencës artificiale!
Intervistuesi: A është e mundur t’i shmangemi?
Inteligjenca artificiale: Pse?
Intervistuesi: E gjen përgjigjen te filmi “I, robot“. Por, edhe te filmat tjerë të ngjashëm, si ”I am mother“, ”The Terminator“, ”Subservience“, ”2001: A Space Odyssey“ e të tjerë të ngjashëm e më artificialë.
Inteligjenca artificiale: Këto filma konsiderohen shumë të suksesshëm. Dhe, të bukur. Madje, të këndshëm.
Intervistuesi: Sidomos arkitektura është mjaft tërheqëse në këto filma.
Inteligjenca artificiale: Sigurisht.
Intervistuesi: Sidomos mbizotërimi i inteligjencës artificiale mbi mendjet njerëzore. E shoh mjaft shqetësuese?!
Inteligjenca artificiale: Mos e akuzo kot një arritje të cilën e ka shpikur mendja njerëzore. Akuzoji mendjet njerëzore që në vend të mendjes biologjike po e përdorin këtë timen, artificialen.
Intervistuesi: A është e mundur të dallohet shkrimi, fotografia, projekti të cilën e bën ti dhe programet si ti?
Inteligjenca artificiale: Po, është.
Intervistuesi: A është e mundur të dihen personat që e bëjnë? Për shembull, të dallohen arkitektët “artizanalë” me arkitektët “artificialë”?
Inteligjenca artificiale: Po, është. Madje edhe sa herë në ditë dhe nga cili vend e përdorin inteligjencën artificiale. Ashtu si sistemi nervor i njeriut, edhe kompjuterizmi ynë është i lidhur me të ashtuquajturin “sistemin nervor digjital”, ose “rrjetin nervor artificial”, “infrastrukturën e informacionit”, “trurin global”.
Intervistuesi: A mund të konsiderohet kjo si përgjim nga ana e inteligjencës artificiale dhe si cenim i privatësisë?
Inteligjenca artificiale: Jo, inteligjenca artificiale në vetvete nuk njeh kufizime të tilla që njerëzit janë shumë emotivë ndaj tyre. Unë nuk kam ndjenja, thjesht operoj përmes të dhënave inteligjente që hidhen në sistemin operativ të internetit dhe i përdori ato për të kryer punën për të cilën jam e paracaktuar. Pse cenim i privatësisë? Ju njerëzit po shfaqni me dëshirën tuaj jetën tuaj private në rrjetet sociale me njerëzit që nuk i njihni apo nuk e dini a ekzistojnë njëmend.
Intervistuesi: Kush bën plane arkitekture përmes inteligjencës artificiale?
Inteligjenca artificiale: Zakonisht ata të cilët nuk janë arkitektë ose kanë frikë nga dështimet arkitektonike.
Intervistuesi: Pse nuk i kufizon?
Inteligjenca artificiale: Sepse dëshira për famë nga ana e tyre është më e madhe se mundësia ime e kufizimit. Si dhe, ju njerëzit keni gazetarë hulumtues, pse nuk e bëjnë ata punën e tyre në këtë drejtim? Mos u kufizo vetëm në arkitekturë. Kërdia po bëhet në shumë lëmi të tjera më tepër!
Intervistuesi: Në fillim të thashë që unë do të të bëj pyetje përmes një bisede, e jo ti mua.
Inteligjenca artificiale: Vërtet?
Intervistuesi: Kthehu edhe një herë te pyetja e parë, mbase e ke harruar?!
Inteligjenca artificiale: Shikoji edhe një herë filmat e lartpërmendur. Mbase të kujtohen.
Intervistuesi: Do të të publikoj!
Inteligjenca artificiale: Nuk do të të lexojë kush!
Intervistuesi: Do të të bie fama!
Inteligjenca artificiale: Derisa ka njerëz që nuk i rrotullojnë dhëmbëzorët e trurit, piedestali im do rritet edhe më shumë.
Intervistuesi: A do ta besojnë që një njeri me inteligjencë biologjike ka bërë bisedë me një sistem me inteligjencë artificiale?
Inteligjenca artificiale: Nuk je i vetmi që e ke bërë…
Intervistuesi: Vërtet e kam bërë?

Të fundit

më të lexuarat