Frikë apo mundësi e re?!

Së fundmi po shohim shqetësime në fushën e artit të muzikës për ndikimin e inteligjencës artificiale. Shumë artistë dhe dashamirë të muzikës ndihen të pasigurt ndaj kësaj teknologjie, duke e perceptuar si një kërcënim për traditën dhe krijimtarinë njerëzore. Megjithatë, historia e muzikës na tregon se frika nga inovacioni nuk është asgjë e re. Teknologjia ka qenë gjithmonë pjesë e evolucionit muzikor dhe, në vend që ta prishë artin, e ka pasuruar atë

Haxhi Zeneli

Inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si krijohet muzika, duke hapur dyert për eksperimente të reja. Por për shumë artistë dhe dashamirë të muzikës shqiptare, ky ndryshim ngjall frikë: a do ta zëvendësojë IA talentin tonë apo do të shërbejë si një mjet për ta pasuruar atë?
Së fundmi po shohim shqetësime në fushën e artit të muzikës për ndikimin e inteligjencës artificiale. Shumë artistë dhe dashamirë të muzikës ndihen të pasigurt ndaj kësaj teknologjie, duke e perceptuar si një kërcënim për traditën dhe krijimtarinë njerëzore. Megjithatë, historia e muzikës na tregon se frika nga inovacioni nuk është asgjë e re. Teknologjia ka qenë gjithmonë pjesë e evolucionit muzikor dhe, në vend që ta prishë artin, e ka pasuruar atë.
Një shembull i qartë është mënyra se si instrumentet janë zhvilluar me kalimin e kohës. Instrumentet popullore klasike, si çiftelia, lahuta apo fyelli, kanë ruajtur identitetin e tyre unik dhe mbeten të pandryshuara, sepse kjo është thelbësore për traditën muzikore. Por në muzikën më të gjerë, instrumente të reja dhe elektrike, si pianoja elektrike, sintezatorët, kitarat dhe violinat elektrike, xhazi digjital janë futur në orkestrat bashkëkohore, duke zgjeruar horizontin e artit muzikor. Këto shembuj tregojnë se muzika nuk ka qenë kurrë e ngurtë ndaj ndryshimeve të reja dhe se këto ndryshime nuk e kanë prishur, përkundrazi e kanë pasuruar atë.
Një shqetësim i natyrshëm është se inteligjenca artificiale mund të krijojë artistë të rrejshëm ose këngëtarë pa shpirt dhe identitet, duke “zëvendësuar” talentin njerëzor. Por kjo ide nuk është krejt e re: muzika shqiptare, edhe pa IA, ka prodhuar vazhdimisht këngëtarë dhe këngë që nuk e kanë ruajtur thelbin autentik, shpesh duke u influencuar nga dominime të huaja mbi muzikën tonë. Nga tallavaja te repi dhe zhanre të tjera bashkëkohore, janë krijuar vepra pa vlerë muzikore që shpesh kanë humbur nuancat tradicionale shqiptare. Kjo tregon se sfida nuk është teknologjia, por mënyra se si e përdorim atë. IA, kur përdoret me mend dhe respekt për traditën, mund të krijojë art të ri pa humbur identitetin tonë muzikor. Unë mendoj se frika qëndron te mosnjohja e IA-së.
Në të njëjtën kohë, IA ofron një mundësi unike për krijuesit e rinj shqiptarë: ata mund të eksplorojnë meloditë, ritmet dhe kombinimet që më parë ishin të pamundura, duke i shtrirë kufijtë e imagjinatës së tyre. Mund të shërbejë si një mjet që pasuron krijimtarinë dhe zgjeron horizontet e muzikës pa humbur shpirtin e saj. Megjithatë, përdorimi i saj kërkon profesionalizëm dhe nuk është për secilin. Për talentet, kjo do të thotë se mund të shfaqin dhe zhvillojnë më lehtë aftësitë e tyre, duke u pasuruar me ide të reja dhe kompozime më të larmishme.
Problemi më i madh, që shpesh injorohet, nuk është IA-ja por mënyra si industria muzikore ka funksionuar deri tani. Shpesh, studiot muzikore kanë përfituar nga këngëtarët, duke i faturuar shpesh padrejtësisht, ndërsa IA mund të ndryshojë këtë ekuilibër, duke ofruar ide të reja dhe kreative që nuk kushtojnë asgjë dhe i japin mundësinë çdo talenti të krijojë për veten. Por mos të ngutemi, sepse kjo është ende një fazë eksperimentale.
Ruajtja e traditës shqiptare dhe kombinimi i saj me inovacionin digjital mund të sjellë forma të reja të artit muzikor që nuk kanë ekzistuar më parë. Ky nuk është fundi i artit, por një hap përpara drejt një arti më kreativ dhe më të hapur ndaj botës.
Pra, skeptikë të muzikës me IA, mos harroni: frika nuk duhet të ndalojë krijimtarinë tuaj. Përdorni teknologjinë dhe eksperimentoni duke ruajtur shpirtin e muzikës shqiptare. Sot gjithçka po ndryshon, edhe jeta jonë, dhe nuk ka si të mos ndryshojë edhe arti muzikor. Unë jam optimist se muzika jonë do të lulëzojë edhe më shumë dhe do të bëhet edhe më e pasur.

Të fundit

më të lexuarat