Feja e shqiptarit

Ka ardhur koha që fjalia “Feja e shqiptarit është shqiptaria” të lexohet përsëri në kuptimin se asnjë përkatësi kolektive nuk duhet të jetë justifikim për urrejtje ndaj tjetrit. Jo si nxitje e dallimeve, por si paralajmërim se çfarë ndodh kur një dimension i identitetit përpiqet të përpijë të gjitha të tjerat. Sepse kur identiteti bëhet përjashtues, ai pushon të jetë i përbashkët

A.M. Perkaj

“Feja e shqiptarit është shqiptaria” është thënia që i atribuohet diplomatit dhe shkrimtarit nga Shkodra dhe njërit prej rilindësve shqiptarë, Pashko Vasa. Kjo fjali vjen nga poema e tij “O moj Shqypni” dhe ka qenë motoja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Thelbi i kësaj motoje nuk ishte mohimi i fesë, por ideja se shqiptarët, të ndarë në atë kohë mes islamit, ortodoksisë dhe katolicizmit, janë, para së gjithash një komb, dhe se identiteti kombëtar do të duhej t’i tejkalonte ndarjet fetare. Megjithatë, ekziston edhe një anë tjetër, shumë më e ndjeshme e kësaj ideje.
Në shekullin XIX, motoja kishte një funksion të qartë politik: të thyente ndarjet fetare mes shqiptarëve nën Perandorinë Osmane dhe të krijonte një identitet të përbashkët kombëtar. Në këtë kontekst, ajo vepronte si një mesazh integrues.
Por, problemi lind më vonë, kur kjo ide fillon të interpretohet sikur “feja nuk ka fare rëndësi”, ose sikur duhet të shtyhet në plan të dytë.
Në shekullin XX, sidomos në Shqipërinë komuniste, kjo moto praktikisht u radikalizua: në vitin 1967 regjimi e shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë. Institucionet fetare u mbyllën, priftërinjtë dhe imamët u përndoqën, ndërsa feja u shty jashtë jetës publike. Këtu arrihet tek ajo pikë ku, në vend që feja të zëvendësohej me unitet kombëtar, ndodhi shtypja e identiteteve fetare dhe zhvendosja e tyre në sferën private.
Pas rënies së komunizmit, feja u rikthye në hapësirën publike, por pasojat mbetën:

  • identitetet fetare mbesin të ndjeshme;
  • ekzistojnë stereotipe në marrëdhëniet mes myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve;
  • në disa qarqe ende përdoret identiteti kombëtar si “më i lartë” ndaj identitetit fetar, gjë që mund të sjellë tensione.
    Kjo shihet qartë në komunikimet në rrjetet sociale, përmes postimeve dhe komenteve, ku pjesëtarët e të njëjtit komb, por të besimeve të ndryshme, shpesh i drejtohen njëri-tjetrit me fjalët më fyese. Kjo është një dukuri reale shoqërore dhe nuk është specifike vetëm për shqiptarët, por për gjithë Ballkanin, ku feja dhe kombi shpesh ndërthuren.
    Në mjedise të tilla, kur një komponent i identitetit (kombi ose feja) imponohet si “kryesori”, tjetri shpesh shtypet ose stigmatizohet.
    Në Kosovë, tensionet historikisht kanë qenë më shpesh të natyrës ndëretnike dhe politike, sesa thjesht fetare. Sot megjithatë, në marrëdhëniet mes pjesëtarëve të së njejtës kombësi, feja ndonjëherë përdoret si një marker identitar.
    Ka ardhur koha që fjalia “Feja e shqiptarit është shqiptaria” të lexohet përsëri në kuptimin se asnjë përkatësi kolektive nuk duhet të jetë justifikim për urrejtje ndaj tjetrit. Jo si nxitje e dallimeve, por si paralajmërim se çfarë ndodh kur një dimension i identitetit përpiqet të përpijë të gjitha të tjerat. Sepse kur identiteti bëhet përjashtues, ai pushon të jetë i përbashkët.

Të fundit

më të lexuarat