Uji i dasmës

Debora Popoviq

Ishte tetor i vitit 1982. Mëngjesi kishte zbardhur mbi Krajë, ndërsa nëpër oborret e shtëpive ende ndihej freskia e natës. Nga oxhaku i shtëpisë së Sylës ngrihej tymi i parë i ditës. Nuk ishte një mëngjes si gjithë të tjerët. Në atë shtëpi kishte ardhur dita e shumëpritur: Isufi, djali i madh i Sylës, do të merrte nuse nga Zogajt.
Që në ditët e mëparshme, shtëpia ishte mbushur me gjallëri. Të afërmit kishin ardhur për të ndihmuar, gratë i përgatitnin ushqimet, ndërsa burrat merreshin me rregullimin e oborrit dhe përgatitjet për pritjen e dasmorëve. Në një anë ziente mishi në kazanët e mëdhenj, në tjetrën përgatitej buka, ndërsa zërat e grave dhe këngët që herë pas here shpërthenin në oborr paralajmëronin se ajo ditë do të mbahej mend gjatë.
Në mes të gjithë kësaj pune, Syla iu drejtua së shoqes:

  • Qame, a janë bërë gati buljerat? Duhet të nisemi për ujë te Ublat e Bolejve. Nuk bën të na vijnë dasmorët e të mos kemi ujë për t’i pritur!
    Qamja, pa i ndërprerë punët, thirri dy vajzat e reja të shtëpisë, Aishen dhe Zaden.
  • Merrni buljerat dhe shkoni te Ubla e Madhe. Mbushini mirë, se sot kemi shumë mysafirë. E mos u vononi, se puna këtu nuk pret!
    Vajzat i morën enët dhe u nisën nëpër shtegun që të çonte drejt ublave. Rrugën e njihnin mirë. E kishin përshkuar shumë herë, por atë ditë çdo hap u dukej më i veçantë. Teksa ecnin, bisedonin për dasmën, për nusen që do të vinte dhe për gëzimin që priste shtëpinë e Sylës.
    Kur arritën tek Ubla e Madhe, gjetën aty edhe dy gra të tjera të fshatit, të cilat kishin ardhur të mbushnin ujë. Përshëndetjet dhe bisedat nuk munguan. Njëra prej tyre i pyeti:
  • A qenka gati dasma e Isufit?
  • Gati është, – iu përgjigj Aishja. – Sot do të na mbushet oborri me miq.
    Ato iu afruan ublës, u përkulën mbi gurët e saj dhe nisën t’i mbushnin buljerat. Uji ishte i freskët dhe i kthjellët. Zadja e preku me dorë dhe buzëqeshi.
  • Sa i ftohtë është! Nuk ka ujë më të mirë se ky.
  • Prandaj na kanë dërguar këtu, – ia ktheu Aishja. – Dasma është e madhe dhe mysafirët duhen pritur siç e ka zakoni.
    Pasi i mbushën enët, i vendosën me kujdes dhe morën rrugën e kthimit. Buljerat rëndonin në duart e tyre, por vajzat vazhdonin të ecnin pa u ndalur. E dinin se në shtëpi i prisnin me padurim.
    Ndërkohë, oborri i Sylës ishte mbushur me njerëz. Dëgjoheshin këngë, urime e të qeshura. Burrat ishin ulur në sofër, ndërsa gratë vazhdonin të kujdeseshin për mysafirët. Në largësi nisën të shfaqeshin edhe krushqit, të cilët po afroheshin me nusen.
    Kur Aishja dhe Zadja hynë në oborr me buljerat e mbushura, Qamja doli t’i priste.
  • A e sollët ujin?
  • E sollëm, nënë. Është ujë i freskët prej Ublës së Madhe.
    Qamja i mori enët dhe i vendosi pranë vendit ku përgatitej sofra. Pak më vonë, kur mysafirët u ulën për të ngrënë, Syla vetë u kujdes që askujt të mos i mungonte asgjë. Uji u shërbehej në gota, nga një mysafir te tjetri, dhe me të njëjtat fjalë që përcillnin mikpritjen e asaj kohe:
  • Urdhëroni, ujë të mirë prej Ublave të Bolejve!
    Plaku i familjes, që rrinte në krye të sofrës, ngriti gotën dhe tha:
  • Për hajr dasma! U trashëgofshi! Zoti e ruajtë këtë shtëpi dhe e mbushtë gjithmonë me gëzim!
    Të gjithë iu bashkuan urimit. Këngët vazhduan, sofra u mbush me të mira dhe dasma zgjati deri në orët e vona. Atë ditë, në shtëpinë e Sylës nuk mungoi asgjë. Por, mes gjithë ushqimeve, këngëve e gëzimit, edhe uji i sjellë nga ublat kishte pjesën e vet në atë festë.
    Vitet kaluan. Isufi dhe nusja e tij krijuan familjen, fëmijët u rritën, ndërsa shumë nga ata që kishin marrë pjesë në atë dasmë nuk jetojnë më. Aishja dhe Zadja u plakën, buljerat u lanë mënjanë dhe jeta mori një rrjedhë tjetër.

(Ky punim me shifrën “230701” është vlerësuar me Çmimin e Parë në konkursin letrar me temë “ublën”, në kuadër të manifestimit “Festa e Gështenjave” 2026 në Krajë)

Të fundit

më të lexuarat