(Gjekë Gjon Gjonaj, Trieshi – trashëgimia dhe tradita, SHAI “Art Club”, Ulqin, 2026)
Gazetari, publicisti dhe studiuesi Gjekë Gjonaj ka botuar së fundi librin “Trieshi – trashëgimia dhe tradita”, një studim monografik etnokulturor që vjen si dhuratë e autorit për vendlindjen e tij, por njëkohësisht edhe shlyerje e një “borxhi” moral. Sepse siç thotë ai në hyrje, “ky libër nuk lindi thjesht si rezultat i një pune kërkimore apo si një projekt akademik formal, por si një thirrje e brendshme dhe morale për të mos lejuar që kujtesa historike dhe kulturore e Trieshit të zbehet me kalimin e kohës”.
Libri trajton aspekte të ndryshme të Trieshit, kësaj treve të veçantë etnogjeografike shqiptare. Materialin e shtjelluar në libër Gjonaj e ka ndarë në dhjetë kapituj, ku trajton prejardhjen, vendbanimet, fiset dhe popullatën (kreu I), ushqimet popullore (kreu II), arkitekturën popullore (kreu III), virtytet etnopsikologjike (kreu IV), traditat dhe zakonet (kreu V), folklorin (kreu VI), bestytnitë (kreu VII), objektet arsimore dhe fetare (kreu VIII), trashëgiminë natyrore (kreu IX) dhe toponiminë e Trieshit (kreu X).
Në parathënien e librit, redaktori Prof. dr. Anton Nikë – Berisha shprehet se “Dukuritë e vështruara dhe të ndriçuara si dhe dëshmitë e shumta që sjell për trashëgiminë e pasur dhe të lashtë të malësorëve të Trieshit të Malësisë së Madhe, po dhe të dhënat e tjera, të shtjelluara e të ndriçuara me dije e përkushtim, e bëjnë studimin e Gjekë Gjonajt të një rëndësie të shumëfishtë”.
Ndërkaq recensenti Prof. dr. Hajrullah Koliqi vlerëson se kjo vepër “është një studim monografik i mirëfilltë për zonën e Trieshit, ku pulson zemra e autorit, e këtij intelektuali humanist dhe atdhetar, me dinjitet dhe integritet shembullor”.
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Agron Dedivanajt dhe Gjokë Gjolajt, dy bashkatdhetarëve tanë nga Trieshi me banim në SHBA. Ai është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë, ndërsa redaktor teknik i librit është Gazmend Çitaku.
Gjekë Gjonaj është autor i dhjetë librave, ndërsa ka përkthyer katër vepra në gjuhën shqipe dhe malazeze. Ai ka kontribuuar gjithashtu si redaktor, recensent dhe korrektor i disa botimeve të autorëve shqiptarë. Ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me një sërë mediesh dhe portalesh shqiptare në Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.
i. k.
