Prezantoibibliotekën digjitale tëkomuniteteve pakicë

Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave ka prezantuar të premten në Librarinë “Ulqini” platformën e re digjitale, e cila në një vend të vetëm përmbledh publikime, hulumtime, revista dhe botime të tjera të realizuara përmes projekteve të mbështetura nga ky institucion.
Nëpunësja e Fondit, Kristina Sinishtaj, ka treguar arsyen se pse kanë zgjedhur Ulqinin për të bërë prezantimin e parë të kësaj platforme.
“Është kënaqësi që prezantimin e parë të kësaj biblioteke e bëjmë në Ulqin, i cili është një qytet me pasuri të madhe kulturore dhe po ashtu ka një kontribut të jashtëzakonshëm sa i përket krijimtarisë botuese të komunitetit shqiptar në Mal të Zi”, ka thënë ajo.
Pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të njihen me funksionalitetet e platformës, përmbajtjet e saj dhe mënyrën e përdorimit, si dhe me fondin e pasur të publikimeve të digjitalizuara që do të jenë në dispozicion të publikut të gjerë.
Nëpunësja e Fondit, Emina Skenderoviq, ka thënë se biblioteka ekziston prej shumë vitesh, por librat nuk kanë qenë të sistematizuar siç e kërkon një bibliotekë.
Ajo ka treguar se iniciator i idesë për krijimin e një biblioteke fizike të Fondit, të sistematizuar siç duhet, ka qenë drejtori Xhenis Nurkoviq.
“Por duke pasur parasysh që ndodhemi në erën digjitale, ka ardhur në idenë që ajo të jetë e qasshme edhe për publikun e gjerë. Dhe që biblioteka të mos jetë vetëm fizikisht në Fond, por njerëzit të kenë mundësi t’i shohin titujt tanë edhe përmes këtij versioni digjital të bibliotekës. Ky version digjital është bërë në një mënyrë shumë të thjeshtë që të mund ta përdorin të gjithë qytetarët”, është shprehur ajo, duke sqaruar mënyrën e përdorimit të platformës dhe kërkimit të librave.
Sipas përfaqësuesve të Fondit, biblioteka digjitale përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ruajtjes, digjitalizimit dhe rritjes së qasjes në trashëgiminë kulturore, gjuhësore dhe historike të popujve pakicë dhe komuniteteve të tjera kombëtare pakicë në Mal të Zi.
Të pranishëm në prezantim ishin drejtori i Fondit, Xhenis Nurkoviq, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, si dhe një numër i autorëve, përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, përfituesve të projekteve etj.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat