Një manifestim madhështor

Kënga dhe vallja në Krajë këtë natë vazhdoi gjatë, pothuaj deri në mesnatë. Përshtypjet e opinionit janë se manifestimi “Vera në Krajë” 2026 ishte njëri nga manifestimet më të arrira të kohës së fundit. Këtë e dëshmoi, pa asnjë mëdyshje, prania e madhe e publikut

Manifestimi tradicional “Vera në Krajë“ 2026 u mbajt në Ostros, të martën, më 11 gusht 2026.
Ishte ky edicioni i 34-t me radhë i këtij manifestimi që organizohet në Krajë nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi.
Qendra e Krajës këtë natë ishte e mbushur me manifestues që kishin ardhur nga të gjitha trevat përreth Krajës, si dhe nga Shqipëria, Kosova etj. Mërgimtarët që pushimet po i kalojnë në vendlindje pa dyshim se ishin të shumtë dhe i dhanë koloritin e veçantë manifestimit.
Në fillim të manifestimit përshëndetën Ali Gjeçbritaj, njëri nga themeluesit e manifestimit dhe për shumë vjet organizator i tij, i cili në pika të shkurtra foli për historikun e tij; Mehmet Bardhi – kryetar nderi i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, i cili në fjalën e tij përshëndetëse përcolli mesazhe të fuqishme lidhur me situatën aktuale në Krajë; Saubih Mehmeti, kryetar i LD në MZ, në fjalën përshëndetëse shpalosi disa aktivitete të subjektit në krye të të cilit është e në këtë kontekst edhe vazhdimësinë e manifestimit në Krajë.
Përshëndeti me këtë rast edhe Driton Salaj, kryetar i Degës së Anës së Malit të LD në MZ-së.
Në programin kulturor-zbavitës morën pjesë pothuaj të gjithë këngëtarët shqiptarë nga Kraja, Ulqini, Ana e Malit, bile u panë këngëtarë edhe nga diaspora. Këngëtarët Myzafer Koliqi, Ismet Aloshi, Gëzim Salaj, Egzona Salaj, Lugji, Vesel Pelinku, Suad Shaptafa, Ramazan Islami, Samir Veliqi etj. interpretuan këngët më të arritura gjatë karrierës së tyre.
Për të parën herë performuan këtu edhe këngëtarë të rinj në moshë e që për publikun e gjerë nuk janë edhe aq të njohur, por që premtojnë shumë në lëvrimin dhe kultivimin e këngës shqipe, siç bie fjala: Mirjana Marnikaj (Marnikoviq), Allen Shkreli, Leart Perashi, Leart Markashi etj. Aktorët Shefqet Luca, Bashkim Alaj dhe i riu Leart Markashi para të pranishmëve u paraqitën me dy grimca humoristike të këndshme.
Aktori Simon Shkreli recitoi vargje të Ndre Mjedës, Gjergj Fishtës, interpretime të shkëlqyeshme që entuziazmuan publikun artdashës.
Dalja në skenë e divës shqiptare Adelina Ismaili ndezi atmosferën në manifestim. Ajo ishte mysafire speciale e manifestimit të sivjetmë. Këtu ajo këndoi hitet e saj gjatë viteve. E nisi me këngën “Skënderbe…”, vazhdoi me këngë tjera dhe e përfundoi me këngën e famshme “Ushtrinë time do ta bëj me Ibrahim Rugovën”. Këngët e divës shqiptare entuziazmuan manifestuesit. Ato u shoqëruan edhe me këndim të publikut me këngëtaren dhe u duartrokitën fuqishëm.
Larmia e kostumeve kombëtare të veshjes krajane të vajzave e shoqëruan këngën e Adelinës dhe të këngëtarëve të tjerë.
Kënga dhe vallja në Krajë këtë natë vazhdoi gjatë, pothuaj deri në mesnatë. Përshtypjet e opinionit janë se manifestimi “Vera në Krajë” 2026 ishte njëri nga manifestimet më të arrira të kohës së fundit. Këtë e dëshmoi, pa asnjë mëdyshje, prania e madhe e publikut.
Kujtojmë se fillet e organizimit të këtij manifestimi kulturor datojnë në vitin 1993, kur në një mbledhje të kryesisë së Degës së LD në MZ-së në Krajë, në mars të këtij viti, u vendos që të organizohet një manifestim gjithëpopullor me emërtimin “Në fillim të verës“, që do të mbahej të shtunën e dytë të qershorit dhe do të organizohej në lokalitete të ndryshme të Krajës. Kësisoj, manifestimi i parë u mbajt më 12 qershor 1993 në Kështenjë (për arsye se aty ka lindur kryetari i subjektit të parë shqiptar në Mal të Zi, Mehmet Bardhi), edicioni i dytë u mbajt në Arbnesh, po të shtunën e dytë të qershorit 1994.
Vlen të veçohet se këtu, në një manifestim gjithëpopullor, nderuan manifestimin dhe u takuan për të parën herë në historinë tonë më të re tre kryetarët e komunave (bashkive): Zarija Lekiqi i Komunës së Tivarit, Mehmet Bardhi i Komunës së Ulqinit dhe Filip Guraziu i Bashkisë Shkodër.
Gjatë rrugëtimit të tij, manifestimi me këtë emërtim vazhdon deri në vitet e para të mijëvjeçarit të ri (2000). Nderuan me pjesëmarrjen e tyre, krahas personaliteteve vendase të artit, shkencës, kulturës, çështjeve shoqërore etj., edhe personalitete të njohura nga Shqipëria, Kosova, si bie fjala aktorja Tinka Kurti, aktori Rikard Ljarja, aktorët e estradës profesioniste të Teatrit të Shkodrës: Paulin Preka, Zyliha Miloti, Gëzim Kruja, Drane Xhai, Besnik Çinari, Edmond Halili e shumë të tjerë.
Gjatë luftës në Kosovë, manifestimi për dy vjet ka vazhduar rrugëtimin e vet pa këngë dhe valle, por nuk është ndërprerë. Kështu që gjatë viteve 1998 dhe 1999, në kuadër të manifestimit janë organizuar lojëra sportive tradicionale dhe bashkëkohore. Edicioni i vitit 2000 i është kushtuar çlirimit të Kosovës.
Nga viti 2002, data e mbajtjes së manifestimit është zhvendosur në muajin korrik për arsye se në këtë muaj mërgimtarët vijnë dhe i kalojnë pushimet në vendlindje. Edhe përmbajtja e tij u zgjerua, duke u pagëzuar “Festa e verës – Ditët e kulturës dhe të sportit në Krajë” dhe zgjatte disa ditë.
Vlen të theksohet se për shumë vjet organizohej mbrëmje kulturore, në kuadër të së cilës organizoheshin shfaqje teatrale, mbrëmje letrare, ekspozita të ndryshme, ekspozitë e librit shqip të autorëve nga Mali i Zi etj.
Në ditët sportive për shumë vjet është organizuar lundrimi nëpër liqenin e Shkodrës, gara sportive në ujë, turne në futboll të vogël, dalje në bjeshkën e Rumisë etj. Në këto ditë të manifestimit duhet përmendur pjesëmarrja në programet kulturore të shumë personaliteteve të fushës së artit dhe letërsisë, siç janë poetët Ali Podrimja, Basri Çapriqi, Ibrahim Berjashi, Hajredin Kovaçi, dramaturgu Fadil Kraja, profesorët Osman Kraja, Hajrullah Koliqi, doktor Simë Dobreci etj. Janë shfaqur drama të autorëve me origjinë nga Kraja, siç bie fjala “Jorgani”, “Pranvera nuk vritet” të Fadil Krajës, pastaj nga Josip Rela drama “Nita”, “Sot e tetë ditë” e shumë shfaqje të tjera nga grupi i dramës së shkollës në Krajë, nën përkujdesjen e Aishe Gjeçbritajt etj.
Asokohe në Krajë kishte gjallëri dhe aktivitete të shumta në shumë fusha të jetës. Sot nuk është më ashtu ngase shpopullimi e ka varfëruar këtë trevë në çdo aspekt të jetës.

Ali Gjeçbritaj

Të fundit

më të lexuarat