Infrastruktura rrugore e Malësisë, pasqyrë e pushtetit aktual

Infrastruktura rrugore e dobët, e bazuar kryesisht në riparime dhe arnime, në Malësi, e sidomos në Tuz, që është qendra e Malësisë, është pasqyra më e mirë e këtij pushteti pothuajse 30- vjeçar, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal.
Nëse të qëllon të udhëtosh me makinë nëpër Malësi, të bie në sy fakti se përpos trafikut të rënduar në qytezën e Tuzit dhe mosrespektimit të kodit rrugor, e infrastruktura rrugore, sidomos gjatë reshjeve të shiut, është në gjendje të mjerueshme.
Kjo gjendje në qendrën e Tuzit, jo vetëm se është kaotike për trafikun, por gropat e hapura, të maskuara, sepse janë të mbushura me ujë, paraqesin rrezik potencial për vozitësit, automjetet e tyre, por edhe për qytetarët në përgjithësi.
Gjendja nuk është më e mirë as nëpër fshatrat e Malësisë, ku infrastruktura është joadekuate edhe në periudhën pa shira, sepse ka përplot hendeqe të hapura nga ndërtimi i ujësjellësit, të cilat nuk u riparuan kurrë.
Një aks rrugor që duhet veçuar si tejet të dobët e të pambajtur është edhe rruga nëpër luginën e Cemit, ku gropat dhe arnimet joadekuate janë shumë të rrezikshme.
Kjo rrugë e lënë pas dore, me vite është në plan që të ripunohet, për t’u lidhë me shtetin shqiptar, por jo se nuk është ripunuar, por ka vite që as nuk është arnuar.
A thua ngase këto fshatra janë bastion i partive shqiptare?
Vlen të ceket se nga kjo rrugë varet edhe hapja e pikës kufitare në Grabom, ku Shqipëria veçse e ka ndërtuar rrugën deri në kufi me Malin e Zi.
As rruga kryesore që lidh dy shtete, Malin e Zi dhe Shqipërinë, edhe pse e riparuar, nuk është në gjendje të mirë.
Ajo paraqet pasqyrë të dobët për kalimtarët jovendas, të cilët fitojnë përshtypje sikur në këtë vend as që jetohet. E pra, falë banorëve të Malësisë, dhe me ndihmën e partive satelite, ky pushtet po mbijeton edhe sot.
Në fund, duhet veçuar se deri te hyrjet e oborreve, madje edhe deri te garazhet dhe shtëpitë e funksionarëve  artiakë, të partisë në pushtet dhe të aleatëve të saj, nuk mungon asfalti i ri. Albert Camaj

Të fundit

më të lexuarat