Tuz- Kuvendi i Komunës së Tuzit në kuadër të kryeqytetit ka mbajtur më 2 mars 2018 seancën e dytë, gjatë së cilës këshilltarët kanë debatuar për katër pika të rendit të ditës mes të cilave edhe për Propozim-Vendimin për emërimin e kryetarit të komunës në kuadër të kryeqytetit.
Partia Demokratike e Socialistëve si fituese e numrit më të madh të mandateve në zgjedhje të nëntorit, ka propozuar kandidatin e saj për kryetar të Komunës së Tuzit në Kuadër të Kryeqytetit, në emër të së cilës foli Halil Dukoviq, i cili propozoi për këtë post Z. Abedin Axhoviq, për të cilin shpalosi dhe një biografi të karrierës së tij të gjatë në fushën e mjekësisë dhe të politikës. Ky ishte dhe kandidati i vetëm i propozuar, duke qenë se partitë opozitare nuk kishin propozuar kandidat.
Në votimin e parë Z. Abedin Axhoviq nuk arriti të fitoj votat e mjaftueshme për ta ushtruar këtë post pasi që ai mori vetëm 16 vota nga 17 sa ishin të nevojshme duke qenë se rezultoi me dy vota kundër, mirëpo pas përsëritjes së votimit me 17 vota për dhe sërish 1 kundër ai u rizgjodh për kryetar të komunës së Tuzit në Kuadër të Kryeqytetit. Në këtë votim nuk morën pjesë këshilltarët e ASH-së dhe të LDSH-së.
Për propozimin e Axhoviqit në këtë post kanë debatuar këshilltarët e partive politike shqiptare por edhe të Demokratëve të cilët nuk e mbështetën propozimin e PDS-së që për kryetar të komunës të rizgjedhet Abedin Axhoviq. Këshilltari i “Demokratëve”, Shtjefën Camaj tha se ai nuk mund të mbështes një kandidat të një strukture e cila vullnetin e lirë të popullit e blen me trysni, të holla dhe forma të tjera.
Këshilltari i ASH-së, Prelë Ujkaj, ka shprehur pakënaqësi ndaj propozimit të Axhoviqit, duke thënë se veprimtaria e tij as në të kaluarën nuk ka qenë konstruktive, duke dhënë si shembull projektet madhore që ende vazhdojnë të zvarriten nga viti në vit si dhe për mosnjohjen e gjuhës shqipe në nivelin e duhur të një kryetari i cili përfaqëson një popullatë ku shqiptarët përbëjnë shumicën.
Nikë Gjeloshaj (ASH), tha se me zgjedhjen e Z. Axhoviq për kryetar komune është manipuluar votuesi shqiptar pasi sipas tij, Axhoviq nuk ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore dhe në media si dhe deri në momentin e fundit është përfolur për një kandidat tjetër për këtë post. Po kështu kritika ndaj kandidaturës së Z. Axhoviq kanë shprehur edhe këshilltarë të tjerë të partive politike shqiptare, ndërkohë që këshilltarë nga koalicioni qeverisës kanë folur në superlativ për z. Axhoviq si njeri human në fushën e mjekësisë por dhe për aftësi sipas tyre në fushën e politikës.
Në këtë seancë me 18 vota për, 2 kundër dhe 1 abstenim u miratua edhe Propozimi i vendimit për verifikimin e vendimit për financimin e përkohshëm të Komunës së Tuzit në kuadër të kryeqytetit për periudhën Janar- Mars 2018. Po ashtu me vota të shumicës u miratua edhe Propozimi i vendimit për themelimin e forumeve punuese të Kuvendit të Komunës së Tuzit në kuadër të kryeqytetit dhe Propozimi i vendimit për vulat e komunës së re.
Vërejtje për vulat paraqiti ASH-ja, konkretisht këshilltari Gjergj Camaj, i cili bëri thirrje që të ndryshohet neni 3 i dispozitave të përgjithshme, që ka të bëjë me vulat që sipas tij aktualisht është i mangët dhe vetëm në gjuhën malazeze. Ai apeloi që çdo vulë e komunës së re, krahas gjuhës malazeze të jetë edhe në gjuhën shqipe, një rekomandim që u mbështet pastaj nga të gjitha partitë në kuvend.
Ndërkaq, në dokumentin e kuvendit të hartuar për Propozimin e vendimit për verifikimin e vendimit për financimin e përkohshëm të Komunës së Tuzit në kuadër të kryeqytetit për periudhën Janar- Mars 2018, thuhet se deri në miratimin e vendimit për buxhetin e Komunës së Tuzit në kuadër të kryeqytetit për vitin 2018 do të kryhet financimi i përkohshëm për të cilin do të miratohen mjetet deri në shumën e cila iu përgjigjet një të dymbëdhjetave të shpenzimeve të realizuara në vitin fiskal paraprak.
Ndërkaq, dokumenti i cili ka të bëjë me forumet e përhershme të punës të kuvendit parasheh formimin e këtyre këshillave të kuvendit:
“Këshilli për Statut dhe Rregullore, Këshilli për Zgjedhje dhe Emërime, Këshilli për Financa- Ekonomi-Zhvillim, Këshilli për Planifikim dhe Rregullim Hapësinor, këshilli për Veprimtari Komunale dhe Banim, Këshilli për Komunikacion dhe Mbrojtje të Mjedisit Jetësor, Këshilli për Veprimtari Sociale, Këshilli për Bashkëpunim Ndërkomunal dhe Ndërkombëtar, Këshilli për Dhënien e Propozimeve të Emërtimeve të Vendeve, Rrugëve dhe Shesheve dhe Këshilli për Çështje të Personave me Invaliditet dhe Parandalim të Varësisë nga Droga”.
Në dokumentin e kuvendit të hartuar për vulat, në mes tjerash thuhet se “me këtë vendim rregullohet punimi, përdorimi, ruajtja dhe asgjësimi i vulës së Kuvendit së Tuzit në kuadër të kryeqytetit dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me përdorimin e saj. t. u.