Kryetar i kuvendit të ri u rizgjodh Fadil Kajoshaj nga UDSH

Në këtë seancë një hapësirë e konsiderueshme iu kushtua debatit me akuza të ndërsjella të përfaqësuesve të partive politike shqiptare të cilët akuzonin njëri- tjetrin për mosarritje të unifikimit të faktorit politik shqiptar para zgjedhjeve lokale të 26 nëntorit 2017, por dhe partinë në pushtet. Nga ana tjetër edhe demokratët kanë kritikuar PDS-në e cila sipas tyre ka ushtruar trysni tek votuesit dhe ka praktikuar shitblerjen e votave gjatë zgjedhjeve të nëntorit

Tuz- Seanca konstitutive e Kuvendit të Komunës së Tuzit në kuadër të kryeqytetit e cila ishte ndërprerë në fillim të muajit janar, ka vazhduar të mërkurën në të cilën morën pjesë këshilltarët e dalë nga zgjedhjet e fundit lokale në Tuz.
Seancën konstitutive e ka drejtuar këshilltari më i vjetër, Naser Krkanoviq nga PDS-ja i cili fillimisht njoftoi se këshilltarja e ASH-së, Lindita Çunmulaj ka dhënë dorëheqje nga posti i këshilltares të cilën në këtë post e zëvendësoi këshilltarja Lindita Gjonaj po nga ASH-ja.
Në këtë seancë është parashtruar një pikë e rendit të ditës që kishte të bënte me emërimin e kryetarit të ri të parlamentit të kësaj komune. Fillimisht kryetari i grupit të këshilltarëve të PDS-së, Halil Dukoviq, në bazë të nenit 58, paragrafi 2 i statutit të Komunës së Tuzit në kuadër të kryeqytetit, ka propozuar që kryetar i ardhshëm i parlamentit të emërohet Z. Fadil Kajoshaj i cili këtë post e mbante dhe në dy përbërjet e kaluara të parlamentit. Ndërkaq opozita parlamentare nuk ka paraqitur asnjë propozim për emërimin e kryetarit të parlamentit.
Para formimit të komisionit tre- anëtarësh, dy nga pozita dhe një nga opozita, i cili më pas monitoroi votimin e këshilltarëve me vota të fshehta për emërimin e kryetarit të parlamentit, drejtuesi i seancës hapi debatin parlamentar në të cilin këshilltarët debatuan rreth procesit të zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Ndërkohë, në këtë seancë një hapësirë e konsiderueshme iu kushtua debatit me akuza të ndërsjella të përfaqësuesve të partive politike shqiptare të cilët akuzonin njëri- tjetrin për mosarritje të unifikimit të faktorit politik shqiptar para zgjedhjeve lokale të 26 nëntorit 2017 por dhe partinë në pushtet. Nga ana tjetër edhe demokratët kanë kritikuar PDS-në e cila sipas tyre ka ushtruar trysni tek votuesit dhe ka praktikuar shitblerjen e votave gjatë zgjedhjeve të nëntorit.
Ndërkaq, pas përfundimit të debatit, filloi procesi i votimit të fshehtë për emërimin e kryetarit të kuvendit. Në momentin e propozimit të komisionit që përcolli procesin e votimit, këshilltarët e ASH-së, LDSH-së dhe të Demoratëve e kanë braktisur seancën duke mos marrë pjesë në votim.
Ndërkohë, me 20 vota pro të këshilltarëve të koalicionit qeverisës në katër vitet e ardhshme (PDS-së, UDSH-së, PB-së dhe të Social-demokratëve) u rizgjodh për kryetar të kuvendit të ri, Z. Fadil Kajoshaj nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve.
Në përmbyllje të seancës në fjalë, Z. Fadil Kajoshaj në fjalën e rastit ka falënderuar në emër personal dhe në emër të partisë së tij të gjithë ata që ia dhanë votëbesimin për tu rizgjedhur në postin e kryetarit të kuvendit në katër vitet e ardhshme.
Rikujtojmë se në zgjedhjet lokale të 26 nëntorit në Tuz dhe në ato të përsëritura në një qendër votimi më 23 dhjetor, më së shumti mandate ka fituar Partia Demokratike e Socialistëve me plot 14 mandate, pasuar nga Alternativa Shqiptare me 7 mandate, LDSH-ja 3 mandate, Partia Boshnjake me 3 mandate, Unioni Demokratik i Shqiptarëve 2 mandate, Demokratët 2 mandate dhe Socialdemokratët 1 mandat. t.u.

Të fundit

më të lexuarat