Ulqin – Partia Socialdemokrate ka arritur të fitojë një këshilltar pas përsëritjes së zgjedhjeve në dy vendvotime në Komunën e Ulqinit. PSD ka fituar 15 vota më shumë të dielën në vendvotimet në Darzë dhe Ndërmarrja Komunala Publike, sesa në zgjedhjet e mbajtura më 4 shkurt 2018, duke e kaluar pragun zgjedhor.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Socialistëve përkundrejt rritjes së numrit të votave (66 vota më shumë se në raundin e parë), e ka humbur një mandat të këshilltarit, prandaj do të ketë tetë këshilltarë nga nëntë që kishte fituar në raundin e parë të zgjedhjeve.
Rritje të numrit të votave (66 vota) në dy vendvotimet ka pasur edhe Forca e Re Demokratike, por pa ndryshuar gjë në numrin e këshilltarëve.
Edhe partitë tjera i kanë ruajtur numrin e mandateve të këshilltarëve, të fituara në zgjedhjet e mbajtura më 4 shkurt.
Në përbërjen e re të Kuvendit të Komunës së Ulqinit do të përfaqësohen gjithsej tetë subjekte politike. Kështu PDS dhe Forca e Re Demokratike do të kenë nga tetë këshilltarë, Koalicioni “Zgjohu Ulqin” (PD, Lëvizja Qytetare “Perspektiva” dhe LD në MZ) shtatë këshilltarë, UDSH dhe Socialdemokratët e Malit të Zi nga tre këshilltarë, Lëvizja Qytetare URA dy këshilltarë, kurse PSD dhe Partia Boshnjake nga një këshilltar. Dy lista zgjedhore, Demokratët dhe Koalicioni i përbërë nga Fronti Demokratik dhe Partia Popullore e Socialistëve nuk kanë fituar asnjë këshilltar. i. k.