Mundësi e mirë e shkëmbimit të përvojave dhe projekteve të suksesshme

“Kur u bë takimi i parë, pati zëra të ndryshëm: ‘Po bëhet bashkimi kombëtar’, ‘Komunat shqiptare po bëhen të gjitha bashkë’. E themi sërish: Ne po bëjmë shkëmbim të përvojave të komunave shqipfolëse. Së pari, nuk kemi nevojë për përkthyes, e së dyti, është koha e bashkëpunimit. Është absurde të bashkëpunojmë me komuna të tjera para se të bashkëpunojmë edhe me njëri-tjetrin”, u shpreh kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti

Prishtinë – Paralelisht me festimet e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në Prishtinë u zhvillua edhe takimi i dytë i Unionit të Bashkive Shqiptare të Rajonit.
Takimi u mbajt në dy ditë, 16 dhe 17 shkurt, dhe në qendër të diskutimeve ishin politikat për ruajtjen e mjedisit dhe cilësisë së ajrit.
Përgjatë këtyre dy ditëve, secila bashki paraqiti idetë e veta për “Qytetin e Gjelbër” dhe hapat konkretë për zhvillimin e qyteteve sa më të pastra dhe të sigurta për qytetarët.
Delegacioneve në këtë takim u prinë kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Arian Murati, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, dhe administratori i përgjithshëm i Bashkisë së Fierit, Florjan Muçaj. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat