Qeveria e Kosovës ndan 12 milionë euro

Prishtinë – Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka nënshkruar të premten kontratën për vazhdimin e ndërtimit të rrugës Deçan – Plavë.
Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës kanë qenë deputetët që vijnë nga Deçani dhe kryetari i kësaj komune.
“Në vigjilje të 10-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes së re për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në vazhdën e sukseseve të Qeverisë Haradinaj, në prezencën e deputetëve të Parlamentit të Kosovës, që vijnë nga Komuna e Deçanit dhe të kryetarit të Komunës, e nënshkrova kontratën për fillimin e punimeve në rrugën Deçan – Plavë, e cila do të financohet me rreth 12 milionë euro”, është shprehur ministri Lekaj.
Nga Ministria e Infrastrukturës kanë bërë të ditur se në koordinim të plotë me operatorin e kontraktuar, ndërtimi i kësaj rruge do të fillojë në muajin mars të këtij viti, varësisht nga kushtet atmosferike.
“Kjo rrugë do të përafrojë edhe me tepër shqiptarët që jetojnë në të dyja anët e kufirit, do të lidhë dy shtetet tona, Kosovën dhe Malin e Zi, por mbi të gjitha do të ndikojë në zhvillimin e turizmit si një arterie ndër më kryesoret për Deçanin”, thuhet në njoftim.
Duke i uruar qytetarët e Deçanit për këtë zhvillim pozitiv, ministri Pal Lekaj ka thënë se “Qeveria Haradinaj është e interesuar që të investojë në infrastrukturën rrugore në të gjithë vendin, gjithnjë duke u bazuar në nevojën e qytetarëve, por edhe në strategjinë tonë për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit.”

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat