Podgoricë – Në prani të përfaqësuesve dhe zyrtarëve të lartë të Kuvendit dhe Qeverisë së Malit të Zi, ambasadorëve të disa vendeve, kryetarëve të partive politike shqiptare, përfaqësuesve të komuniteve fetare dhe mediave, Ambasada e Republikës së Kosovës shënoi të enjten mbrëma me një koktej pritjeje në Hotelin “Centre Ville” në Podgoricë 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në fjalën e rastit, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Malin e Zi, Skënder Durmishi, ka folur për rrugëtimin dhe rezultatet e arritura nga Kosova që prej shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008.
Ai ka thënë se dhjetë vjet nuk janë shumë, por janë më shumë se shumë për nga rezultatet e arritura.
“Kanë peshë e simbolikë të veçantë sepse janë dhjetë vitet e para të shtetit të Kosovës. Por përtej simbolikës flasin edhe statistikat për hapa konkretë të progresit që është arritur gjatë kësaj kohe”, ka theksuar Durmishi.
Ai ka veçuar disa të arritura të Kosovës gjatë këtij dhjetëvjeçari.
“Formimi dhe konsolidimi gradual i shtetit, ngritja e institucioneve demokratike, infrastruktura juridike, ndërtimi i sistemit dhe skemave sociale, shëndetësore e arsimore. Në planin e brendshëm kemi parametra stabilë të zhvillimit, rritje ekonomike në mesataren e rajonit. Vitin e kaluar arritëm në katër për qind të rritjes ekonomike, kurse projektojmë për këtë vit rritje prej 4.6 për qind”, ka theksuar Ambasadori i Kosovës. i. k.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “803” të revistës Koha Javore