Çmimin “Hamit Boriçi” për vitin 2017 e kanë fituar gazetarja e Radio Shkodrës Merita Sokoli – Çoba, gazetarja Kozeta Bruçi nga TV1 Channel”, folësi i Televizionit Antena Nord, Ardit Kraja, fotografja Vjollca Tafili, gazetarja Bendis Druni nga Star Plus TV, gazetari Denis Bajraktari nga Televizioni Rozafa dhe gazetari i TV 1 Channel, Musa Kurtulaj
Shkodër – Për të dytin vit me radhë, Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë – Dega rajonale Shkodër ka ndarë çmimet “Hamit Boriçi” për gazetarët më të mirë në Shkodër për vitin 2017 dhe kontributin e tyre në fusha të ndryshme të gazetarisë.
Kryetari i Degës rajonale të UGSH-së për Shkodër, Gaspër Marku, ka thënë se beson që Çmimi “Hamit Boriçi”, i themeluar me nismën e kësaj dege, do të jetë në vazhdimësi një nga çmimet më të spikatura të medias jo vetëm në Shkodër.
“Do të këmbëngulim ta kalojmë në shkallë kombëtare, duke ia dedikuar një emri shumë të madh të kësaj fushe, shkodranit tonë të mirënjohur Hamit Boriçi”, ka thënë ai.
I pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të çmimeve ka qenë vetë gazetari, studiuesi dhe pedagogu i gazetarisë prof. dr. Hamit Boriçi, i cili ka falënderuar UGSH-në, kolegët e tij dhe pjesëmarrësit për vlerësimin e punës së tij.
“Unë jam një nga ata që janë vlerësuar, por këtu ka shumë të tjerë si unë që kanë dhënë kontribute edhe më të mëdha. Ndihem krenar që i përkas një brezi tradicional të gazetarisë në Shkodër pasi që shokët e mi sot nuk janë. Mbaj përgjegjësi edhe për punën time që kam bërë dhe që do bëj për aq sa do të kem mundësi”, ka thënë ai.
Më pas janë ndarë çmimet “Hamit Boriçi” për vitin 2017, të cilët i kanë fituar: gazetarja e Radio Shkodrës Merita Sokoli – Çoba për realizimin e emisionit tradicional për fëmijë në valët e kësaj radioje, gazetarja Kozeta Bruçi “për realizimin e emisionit të përjavshëm ‘Aromë Shkodre’ në TV1 Channel”, folësi i Televizionit Antena Nord, Ardit Kraja, si “folësi më i mirë në mediat vizive lokale”, fotografja Vjollca Tafili, gazetarja Bendis Druni “për realizimin e emisionit muzikor ‘Night star’ në Star Plus TV”, gazetari i ri Denis Bajraktari “për realizimin e kronikës më të mirë sociale në Televizionin Rozafa” dhe gazetari i TV 1 Channel, Musa Kurtulaj, për karrierën e tij të gjatë në media.
Të gjithë fituesit kanë thënë se ndjehen krenarë për fitimin e këtij çmimi.
Njëri nga fituesit e çmimit, gazetari Musa Kurtulaj, ka bërë po ashtu thirrje që Çmimi “Hamit Boriçi” për gazetari të ngritet në nivel mbarëkombëtar.
“Shfrytëzoj këtë takim që t’i bëjmë thirrje Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë që Çmimi me emrin Hamit Boriçi të jetë jo vetëm kombëtar, por gjithëkombëtar. Të bisedojmë edhe me shoqatat e gazetarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi që ta njohim këtë çmim në mënyrë që të vlerësojmë jo thjesht Hamit Boriçin, por një kolonë të godinës së medias shqiptare në tërësi”, ka thënë ai.
Ndarja e çmimeve u bë në kuadër të aktivitetit të titulluar “2018 – nevojë për hapje të mëtejshme të UGSH-së në rajon dhe BE“, që u mbajt të shtunën në Bibliotekën e Universitetit “Luigj Gurakuqi” – Shkodër.
Koordinatori Rajonal i Veriut dhe i Marrëdhënieve me Jashte pranë UGSH-së, Arben Lagreta, ka folur për historikun e punës së Degës rajonale të UGSH-së, shkëmbimet e përvojave dhe kualifikimet profesionale, si dhe nevojën e zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe të BE-së, kurse në emër të UGSH-së, të pranishmit i ka përshëndetur Valdet Qyrfyçi, kryetare e degës së Unionit në Durrës.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është organizata më e madhe që tubon gazetetarët në Shqipëri. i. k.