Gjilan – Poeti Hajredin Kovaçi mori pjesë të mërkurën e kaluar në Orën e madhe letrare në kuadër të takimit letrar “Pena e Flakës 2018” në Gjilan.
Kovaçi, i cili përfaqësoi Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në këtë takim letrar, ka qenë poeti i vetëm ndër shqiptarët në Mal të Zi nga 23 poetët shqiptarë nga të gjitha trevat që recituan poezitë e tyre në Orën e madhe letrare, në Bibliotekën “Fan S. Noli” të këtij qyteti.
Ai ka lexuar poezinë “Shtatëdhjetë e tre vite heshtje!” kushtuar Masakrës së Tivarit, e cila ndonëse nuk ka fituar çmim, është pëlqyer dhe mirëpritur nga publiku.
Vetë poetët konkurrues kanë vlerësuar poezinë më të mirë. Çmimin “Pena e Flakës” e ka fituar poetja nga Shqipëria, Entela Kasi, përndryshe kryetare e PEN Qendrës së Shqipërisë, me poezinë “Nëse bota është e egër, Anja…”.
Të gjitha poezitë e lexuara në Orën e madhe letrare do të publikohen në revistën letrare-kulturore “AGMIA”.
Në këtë takim janë shpallur edhe rezultatet e Konkursit anonim letrar për poezi e tregim të shkurtër.
Takimi letrar “Pena e Flakës”, që sivjet shënoi edicionin e 27-të, organizohet nga ARS Club “Beqir Musliu” – Gjilan, në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit”.
Manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit” është një festival kulturor multidimensional, i cili fillon më 11 janar me ndezjen simbolike të flakadanit, për të vazhduar deri më 31 janar me aktivitete të ndryshme kulturore, duke mbledhur në Gjilan mijëra artistë e artdashës nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët për tri javë rresht e shndërrojnë këtë qytet në kryeqendër të kulturës shqiptare. Përmes vlerave të artit ky manifestim nderon martirët e kombit që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. i. k.